Përsëri autori është mjaft i rëndësishëm, madje i influencuar një kohë nga Cage, por i pavarur në prirjet që lëvroi prej muzikës klasike drejt idesë për ta bërë atë me ndikim social në masat punonjëse, gati në kufijtë e metodës së realizmit socialist, edhe pse është gabim të flitet për skemë në veprën e Cardew-s.
Është njoftuar se më 30 qershor, ora 20.00, në kopshtin e Muzeut Historik Kombëtar, bëhet një prezantim premierë i kompozitorit britanik Cornelius Cardew. Projekti “Provoje... Sërish... Më mirë këtë herë” i mbështetur nga Fondacioni “Robert Bosch” po komentohet si përpjekje “mbi marrëdhënien e ngushtë mes Shqipërisë dhe veprës themelore të kompozitorit”.
Ka vërtet “lidhje të ngushtë”? “Unë nuk di që Karjdu të ketë shkruar pjesë për Shqipërinë.” Pohimi i kompozitorit shqiptar Vaso Tole ia heq velin promocional që i vishet premierës së Cardew-s në Shqipëri, vel që i jep rëndësi idesë për rimarrjen e historisë, për rimarrjen e periudhës së socializmit me dekor Muzeun Kombëtar, një vepër tipike e epokës. “Historitë me komunizëm dhe Enver”, këndvështrimi i të huajve mbi epokën, qëllon nganjëherë më nostalgjik se rrëfimi i vendasve.
Programi i mbrëmjes së shtunë përmban: disa këngëve revolucionare të Cornelius Cardew përpunuar nga kompozitori gjerman Christian von Borries, të interpretuara nga Kori dhe Orkestra e Universitetit të Arteve. Vepra tjetër korale “Mësimi i madh” që ekzekutohet në piano nga Vincent Ë.J. van Gerven Oei nga Holanda, vjen e përkthyer për herë të parë në shqip.
Kompozitori shqiptar Vaso Tole, tregon në këtë intervistë “eksperimentin” e shkrirjes së “Flamurit të Kuq” të Cardew-s me himnin kombëtar “Flamuri Kuq e Zi”.
“Preludi” i përket periudhës kthesës që Cardew bëri duke mbajtur qëndrim ndaj avangardëës. Në vitin 1972 shkroi dy polemika kundër dy liderëve të avangardës, Stockhausen dhe Cage, duke kritikuar “ideologjinë reaksionare” në punën e tyre. Te “Stockhausen i shërben imperializmit” ai edhe veprën e tij ia nënshtron kriticizmit. Me rastin e realizimit të “Piano Album” në fillim të viteve shtatëdhjetë, Cardew shkruan: “E ndërpreva kompozimin me gjuhën e avangardës për një sërë arsyesh: për ekskluzivitetin e saj, fragmentarizmin dhe indiferentizmi saj ndaj gjendjes reale të botës sot, për botëkuptimin e saj individualist.” Këtu hapet periudha e dytë e krijimtarisë së tij (1970-1980) gjatë së cilës Cardew është aktivist në rrymat marksiste, dhe më 1979 është një nga themeluesit e Partisë Komuniste Revolucionare të Britanisë. Pjesa për piano “Red Flag Prelude” i përket kësaj periudhe bashkë me “Soon - There Will Be A High Tide Of Revolution In Our Country”, “Four Principles on Ireland”, “Long Live Chairman Mao!”, “Red Aid Song”, “Revolution is the Main Trend In The World Today”, “The East is Red”, “Vietnam Sonata”, “We Sing for the Future”, që siç shihen nga titujt janë kompozime mbi një pjesë të mirë të teksteve që bazohen në citate të Mao Ce Dunit.
Këngët revolucionare me këtë frymëzim dhe sfondi historik i miqësisë shqiptaro-kineze në një dekadë, janë e vetmja lidhje e tërthortë e muzikës së Cardew-s me Shqipërinë komuniste. Tole ka njohje të hershme me veprën e Cardew-s dhe e quan koncert të rrallë atë që pritet të jetë vërtet i tillë në Muzeun Historik Kombëtar. Pjesa me autorë Cardew-Tole interpretohet nga pianistja Merita Rexha.
Zoti Tole, çfarë prezantoni ju në koncertin premierë me vepra nga Kornelius Kardju?
Jam mbështetur në një pjesë të Kornelius Kardju që quhet “Red Flag Prelude”. Preludi është shkruar në një kohë kur Kardju ka dashur të vizitojë Shqipërinë në vitet ‘70. Mendova që këtë pjesë për piano ta shndërrojë në preludin kuqezi, që janë ngjyrat e simbolit tonë kombëtar duke bërë vazhdimin e kompozimit të Kardjus. Kjo “ndërhyrje” njihet si teknikë kompozicionale, sigurohet uniteti përmes përdorimit të materialit të njëjtë muzikor dhe njëkohësisht arrihet njëfarë zgjerimi i konceptit kompozicional që ka patur autorit. Është një mirëseradhje për Korneljus Kardju në Shqipëri me këtë koncert që do të bëhet në datën 30.
Kur ju ka rënë në dorë “Red flag”?
Unë kam patur kontakt me emrin dhe krijimtarinë e tij në vitet 1993-‘94 ndërkohë që isha në Shkollën e Lartë të Muzikës në Esen dhe Këln. Kornelius Kardju dimensionin e tij si kompozitor bashkëkohor e zgjeroi shumë pas bashkëpunimit me shkollën e Darmstadt-it në Gjermani, në fund të viteve shtatëdhjetë, dhe në mënyrë të veçantë me një kompozitor nga më autoritarët në muzikën e shek.20 Karlheinz Stockhausen. Në ato vite e kam njohur muzikën e tij dhe në momentin që lindi ideja e këtij projekti për të bërë diçka për Kornelius Kardju në Shqipëri, unë iu riktheva shënimeve të mia dhe e potencova këtë vepër shumë simbolike për ta sjellë për publikun shqiptar.
Pjesët që ai shkroi për Shqipërinë çfarë janë?
Shiko, Kardju nuk ka shkruar pjesë mirëfilli për Shqipërinë. Për shkak të një ideologjie të majtë që ai preferonte, ai pati interes për të zbuluar domethënien kulturore të disa vendeve të cilat në atë periudhë nxisnin apo praktikonin ideologjinë e majtë. Këngët që ai shkroi për klasën punëtore janë një lidhje indirekte.
Keni dijeni që të ketë trajtuar motive shqiptare?
Unë di që nuk ka.
Çfarë karakteristikash fiton muzika e tij në kohën e angazhimit politik?
Krijimtaria e tij ka kaluar nëpër tri faza. Në romantizëm dhe post-romantizëm në fillimet e tij si student i Kolegjit të Muzikës në Londër. Pastaj kaloi në një fazë postmoderne deri në fillim të viteve shtatëdhjetë. Faza e tretë mund të quhet si faza e realizmit popullor ku ai iu referua shumë gjinive demokratike si kënga. Shkroi shumë këngë të karakterit revolucionar dhe këngë të protestës. Kardju është një kompozitor me të gjitha dimensionet: autor klasik modern me vepra për orkestër, për muzikë dhome, për piano, me vepra të muzikës elektroakustike, dhe këto krijime revolucionare që përmenda së fundi. Më 1981 ai vdiq në një aksident me makinë që s’u mor vesh kurrë se si ndodhi.
U bë përcaktuese ideologjia në artin e tij?
Kur flasim për Kornelius Kardju flasim për një njeri të cilin ideologjia nuk e përpunonte dot. Përkundrazi në reflekset dhe ndikimet e teorive të ndryshme, si filozofit kineze të vjetra apo moderne të shek. 20, ai gjithmonë ka ditur që të mos shkelë mbi parimet e profesionit. Kardju nuk ishte kompozitor ideologjik. Ishte një kompozitor që reflektonte herë pas herë dhe tendencat në jetën e tij shoqërore.
Duhet të jetë rast i rrallë ky që ju jepet për të kompozuar “bashkë” me të.
Shumë i veçantë është për mua ky rast. Në të vërtetë kam patur dy raste të tilla. I parë ka qenë kur 100 kompozitorë të botës shkruan nga një pjesë për piano për 100- vjetorin e lindjes së John Cage, një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës botërore. Dhe rasti i dytë është ky.
Besoj kjo pjesë e shkruar për Kardju është simbolikisht shumë e gjetur por edhe muzikalisht qëndrojnë jashtëzakonisht mirë materialet e veprës sa nuk gjen dot që kjo pjesë është kompozuar nga dy autorë në dy periudha të ndryshme kohore.
Këngë revolucionare në Muzeun Kombëtar: ju tingëllon ironik sfondi që është zgjedhur për koncertin?
Organizatorët kanë dashur ta vendosin konceptin e Kardjus në Shqipëri brenda një monumenti tipik të periudhës socialiste, si për të dhënë një mesazh që ky ishte një njeri edhe i lirë në muzikën e tij, edhe i kushtëzuar nga preferencat që pati.
Ne na krijohet mundësia që të zbulojmë një kompozitor shumë të rëndësishëm të muzikës avangardë europiane duke kaluar nëpër këto stinët e tij muzikore. Këto janë fjalët që më vijnë më për mbarë në këtë moment për të përkufizuar përvojën e Kornelius Kardju me këngët revolucionare si “stinë muzikore”.