Toleranca fetare ne Shqiperi vjen nga prurjet kulturore

Toleranca fetare ne Shqiperi vjen nga prurjet kulturore

Ekspozita “Katolicizëm dhe kulturë” është hapur në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë me rastin e vizitës së Papa Françeskut. Specialisti dhe shefi i Bibliografisë, Maksim Gjinaj në një bisedë për “Shekulli”-n tregon se, synimi i ekspozitës është që të ndiqet një rend kronologjik i ngjarjeve, si nga ana gjinore edhe ajo tematike. Eksponatet e kësaj ekspozite janë përzgjedhur nga fusha të ndryshme të kulturës dhe të artit. Kjo përzgjedhje nxjerr në pah kontributet në: letërsi, filozofi, arkitekturë, muzikë, pikturë etj. Veprat shprehin dialogun ndërfetar dhe tolerancën fetare në Shqipëri. Ekspozita do të qëndrojë hapur deri më datë 30 shtator.

“Ekspozita çelet me rastin e Papa Françeskut dhe Biblioteka Kombëtare propozoi kryesisht prurjet kulturore. Është me histori shumë të hershme prurja kulturore e këtij elementi dhe Biblioteka Kombëtare në fondet e saj ka libra dhe objekte të tjera, të cilat janë me shumë vlerë”, shprehet Gjinaj. Sipas Gjinajt, synimi kryesor i kësaj ekspozite është që të prezantohen kryesisht prurjet librore, por edhe përpjekjet e mëdha të studiuesve ose shkrimtarëve të mëdhenj katolikë. “Të prezantohen B-të e mëdha, siç quhen në historinë e kulturës shqiptare. Njëkohësisht kjo ekspozitë duhet që të tregojë faqet edukative të veprimtarisë së tyre, vlerat e mëdha në krijimin e harmonisë fetare, rrjedhimisht edhe mes gjithë shqiptarëve”, shpjegon ai.

Ekspozita hapet me veprën më të lashtë që ruhet në Bibliotekën Kombëtare, një nga librat e shtypur në 50 vitet e para, mbas hapjes së shtypshkronjës së Gutenbergut. “Është libri i Papa Piu-t II, i cili mban mbi 52 letra, të Papa Piu-t, me personalitetet e mëdha të kohës në mesin e shekullit XV. Libri është botuar në vitin 1473, pas vdekjes së Papës dhe është një nga 7 inkunabulat që kemi ne, është me e vlefshmja. Këtu ka edhe letra drejtuar Skënderbeut dhe vlerësime për të, për luftën e shqiptarëve kundër turqve, madje shtrihet deri në lashtësi duke vlerësuar edhe Pirron e Epirit”. Vepra e parë në gjuhën shqipe është “Meshari” i Gjon Buzukut. “Ne i kemi vënë qëllim vetes që, veç veprave të krijuesve të mëdhenj të rrezatojmë edhe rrezatimin, me këtë nënkuptoj se si është pritur shekuj më pas vepra dhe çfarë studimesh janë bërë lidhur me këtë vepër”. Përpos “Mesharit”, prezantohet edhe rrezatimi shkencor i “Mesharit” nga Eqerem Çabej në vitin 1968. Njëkohësisht prezantohet “Formula e Pagëzimit”, që është gjurma e parë e shkrimit shqip të dokumentuar dhe e digjitalizuar nga origjinali. “Vepra e Bogdanit është vepër e njohur, sa e thellë, aq edhe e bukur për syrin. Është një libër shumë i vlefshëm që e kemi në origjinal”. Ekspozohet edhe “Studimi filozofik” i Ibrahim Rugovës për këtë vepër, studimi i Martin Camajt etj. Më tej është Pjetër Budi me botimin e dytë në origjinal se i pari është i fotografuar, nga “Doktrinës Kristiane” dhe ribotimet e tij të mëpasme. “Na vjen keq që në një ekspozitë nuk mund që t’i prezantojmë të gjitha veprat dhe i heqim me shumë dhimbje, bëjmë reduktimin e tyre, sepse është ekspozitë dhe nuk është bibliografi që të jetë e plotë, prandaj përpiqemi që të krijojmë një ide të saktë mbi veprën e tyre. “Kemi studimin e plotë të Budit dhe studimin mbi të nga Rexhep Ismajli, studiues nga Kosova dhe nga Selman Riza kemi një studim tjetër”.

Frank Bardhi i ka lënë trashëgim kulturës shqiptare fjalorin latinisht-shqip, studimi është i vitit 1635 dhe ka njohur disa ribotime. “Ana statike dhe shkencore është botuar në 1932 në Paris dhe fjalori është në gjuhën shqipe, që është ribotuar më pas nga shtëpia botuese “Çabej”, njëkohësisht kemi punimet gjuhësore të Françesko Maria da Leçes, kemi përpjekjet e para për alfabet në vitin 1716”. Më tej Gjinaj tregon për “Kuvendin e Arbrit” në latinisht dhe në gjuhën shqipe të botuar 3 vjet pas ngjarjes, botuar gjithnjë me nxitjen e Papa Klementit XI, papë me orgjinë shqiptare.

““Kanuni i Lekë Dukagjinit” është një vepër shumë e njohur, e mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi. Kemi botimin e parë të plotë të vitit 1933, botimin në gjuhën gjermane, italiane, angleze etj”. Sipas Gjinajt, Mjeda është një nga kolosët e letërsisë shqipe, por njëkohësisht edhe i shkencës së gjuhësisë. “Ndoshta ka studime të vogla, por me shumë rëndësi për gramatikën shqipe, dhe për alfabetin e gjuhës shqipe. Prezantojmë edhe një nga nëntë vëllimet e mjedologut më të madh të shqiptarëve, Mentor Quku, i cili u nda nga jeta para pak muajsh”. Ekspozohen gjithashtu edhe kërkimet e mëdha të studiuesve katolikë në fushat e folklorit. “Kanë kërkuar dhe kanë evidentuar perla të folklorit shqiptar, veçanërisht Donat Kurti dhe shumë të tjerë, që prezantohen këtu me botime origjinale dhe ribotime. ‘Tregimet e Moçme Shqiptare’ të frymëzuara nga këto perla janë libra që na kanë shoqëruar gjithë jetën”. Në këtë ekspozitë prezantohet edhe puna e Marubëve”.

Prezantohen edhe shqipërimi i veprave të letërsisë klasike. “Nuk është e thjeshtë të prezantosh Danten, Homerin, poetët e mëdhenj të Italisë etj., në gjuhën shqipe. Këta autorë kanë ardhur në shqip nëpërmjet: Gjon Shllakut, Pashk Gjeçit, Ernest Koliqi dhe Henrik Lacaj. Dy përfaqësues në zë të njohur për atdhetarizmin e tyre, por edhe për prurjet kulturore janë pikërisht Nënë Tereza dhe At Zef Pllumi”. Prezantohen edhe disa nga kolosët e letërsisë dhe mendimit katolikë si: Patër Anton Harapi, Vinçens Prenushi, Lazër Shantoja, Martin Camajn, Anton Pashku, edhe më të fundit fare Zef Zorba. Është prezantuar botimi i plotë i “Lahutës së Malcis” i Fishtës (1937). Vitrina e shtypit prezanton një pjesë të shkrimeve të katolikëve që ishte më tepër kulturor sesa fetar. Revista “Hylli i dritës” dhe digjitalizimi i saj qysh nga fillimi deri në mbylljen e saj 1913-1944. Në diasporë vijoi edhe gjatë viteve të diktaturës botimi i shtypit katolik. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama