Më datë 24 shkurt nisi, publikisht, ai që tashmë mund të seriali “Tomë Doshi”. Gjithçka nisi nga një mbledhje e grupit parlamentar të Partisë Socialiste ku deputeti Doshi shprehu mjaft kritika ndaj një pjese të kabinetit qeveritar. Një ditë më pas, më 25 shkurt Doshi në përfundim të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, Doshi u shpreh se i hapte luftë Ramës dhe se kur të fliste ai do të dridheshin të gjitha themelet e mazhorancës. Po atë ditë kryeministri Rama mblodhi në një darkë një pjesë të deputetëve ku pjesë e diskutimit ishte çështja Doshi. Më datë 26 shkurt, pas seancës plenare Tomë Doshi drekoi me deputetin Kokëdhima. Pas drekës me deputetin Kokëdhima, një ditë më pas më datë 27 shkurt Doshi, “zbuti” deklaratat ndaj Ramës, duke u shprehur se ato nuk ishin sulme personale, por reagim për përmbushjen e detyrimeve ndaj elektoratit. Më datë 27 shkurt në mbrëmje Doshi takon ministrin Tahiri, ku, sipas dëshmitarëve, pati një bisede me tone të larta mes Doshit dhe Tahirit.
Përjashtimi dhe akuzat e Doshit
Në datën 2 mars Partia Socialiste mblodhi grupin e saj parlamentar, duke marrë vendimin për përjashtimin e deputetit Doshi. Pasi doli nga mbledhja e grupit, Doshi akuzoi drejtpërdrejt Ilir Metën se është ai që fshihet pas vendimit për përjashtimin dhe se kryeparlamentari është tutor, i Edi Ramës. Deputeti shkoi edhe më tej, kur tha se kreu i Kuvendit kishte paguar njerëz për vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi. Pas përjashtimit të Doshit reagoi edhe ambasada e SHBA-ve, në Tiranë, e cila përshëndeti vendimin e PS-së. Më datë 2 mars, Kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho deklaroi se Tom Doshi fillimisht pretendoi se kunati i Berishës, Agim Rama ka ofruar shuma të mëdha për eliminimin fizik të tij dhe të deputetit tjetër Mhill Fufi. Më datë 3 mars në kryeministri mbërritën për të diskutuar mbi çështjen “Doshi”, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, Ministri i Brendshëm Tahiri, dhe deputeti i LSI-së Braho.
Po atë ditë Presidenti Nishani thirri kryeprokurorin Adriatik Llalla, për një takim takimi në Presidencë. Pas akuzave të Doshit reagoi për herë të parë kryeparlamentari Meta. Kryetari i Kuvendit sqaroi se 5 muaj më parë është vënë në dijeni nga vetë deputeti Doshi se Agim Rama, kunati i ish-kryeministrit Berisha, kishte paguar 500 mijë euro për eliminim fizik të tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi. Kryetari i kuvendit Meta shtoi se nuk ka asnjë provë që mund ta implikojë atë në ato çka akuzon Doshi. Ndërkohë Partia Demokratike bëri një kërkesë mocioni për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, e cili u firmos nga Meta. Më pas ngjarjet morën një zhvillim të shpejtë. Tomë Doshi foli për një skenar vrasjeje me emra konk retë: Durim Bami, i konsideruar si “vrasës i penduar”, Fatjon Skënderi i cilësuar si ndërmjetës, Agron Kuliçaj, ish zv/drejtor i Përgjithshëm i Shtetit, Eugen Beci, ish kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Agim Rama, kunat i ish-kryeministrit Sali Berisha, Ymer Lala, shok i Tonit, por dikur dhe shok i Tom Doshit, Ylli Xhaxhollari, pronar i lokalit “Viva”.
Flitej edhe për përfshirje të kryeprokurorit Adriatik Llalla. Pastaj mësohet se për këtë skenar të nisur që në gusht 2014 ishte në dijeni dhe vetë kryeministri, kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Në një deklaratë publike, Tahiri e quajti farsë. Mazhoranca e quajti skenar të organizuar nga opozita megjithatë i bëri thirrje prokurorisë që të zbardhte ngjarjen. Opozita kërkoi dorëheqjen e Ilir Metës dhe më 12 mars nisën protestat deri në dorëheqjen e kryeparlamentarit. Për herë të parë në Prokurori shkallët i ngjitën zyrtarë të lartë të shtetit, Kryeministri Rama, ministri Saimir Tahiri, kryeparlamentari Ilir Meta, bashkëshortja e tij, deputetja e LSIsë Monika Kryemadhi, por dhe deputetë si Mhill Fufi, Mark Frroku, Edi Paloka, Petrit Vasili dhe Spartak Braho. U morën edhe dëshmitë e protagonistëve kryesore Fatjon Skënderi, apo Ymer Lala. Ambasada e SHBA-së deklaron se kishte anuluar takimin e grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri- SHBA. Në prokurori nisën përballjet.
Dëshmitë në Prokurori
Deputeti i Partisë Socialiste Tomë Doshi ne datën 5 mars dha dëshminë e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke vënë në dispozicion provat dhe videon 37 minutëshe. Durim Bami u arrestua në datën 2 mars nga efektivët e policisë teksa tentonte të largohej nga Shqipëria. Një ditë më pas, në datën 3 mars, Bami dha dëshminë e tij të parë në prokurori, ku pranoi akuzat e drejtuara ndaj tij. Në datën 4, Durim Bami dëshmoi përpara prokurorëve të kundërtën, duke thënë se nuk kishte marrë porosi nga askush. Sipas Bamit ky është një skenar i përgatitur nga deputeti Doshi. Më datë 6 mars pranë organit të akuzës u paraqit Ilir Meta. Ai dëshmoi se kjo çështje ishte e pavërtetë dhe se ishte i gatshëm të ballafaqohej me Doshin dhe Berishën. Rreth mesditës në Prokurori dëshmoi edhe kryeministri i vendit Rama ku tha se publiku është peng i një historie gangsterësh me protagonist kryesor Berishën. Në 7 mars, organi i akuzës mori në pyetje Mark Frrokun.
Ai mohoi se ishte në dijeni për ndonjë atentat për vrasje ndaj Doshit. Në datën 9 mars Sali Berisha dëshmoi në prokurori, por nuk dha detaje për dëshminë e tij. Në datën 11 mars Fatjon Skenderaj dëshmoi në Prokurori. Ai ka pohuar se është i gatshëm të ballafaqohet me Doshin dhe Bamin për të mohuar akuzat se ka qenë porositës apo ndërmjetës për ndonjë plan vrasjeje. Në datën 10 mars u bë ballafaqimi për herë të dytë midis Doshit dhe Frrokut. Në datën 12 mars është bërë ballafaqimi i parë midis Durim Bamit dhe Tomë Doshit. Por Bami i ka qëndruar versionit të tij të mëparshëm. Prokuroria thirri Petrit Çinarin, personin për të cilin Doshi e denoncoi si të porositur nga babai i Metës për ta vrarë. Ndërsa nga ana e saj LSI ka zbardhur një dokument ku thuhet se Doshi i kishte blerë një apartament bashkëshortes së Çinarit.
Doshi dhe Bami, zhvilluan më 14 mars seancën e dytë të ballafaqimit mes tyre. Doshi kërkoi të merren si provë pamjet filmike të aeroportit të Hanoverit. Sipas Doshit, Spartak Braho dhe Nard Koka janë takuar me vëllanë e shtetasit Skënderaj. Më 18 mars 2015, Doshi ka bërë ballafaqim në prokurori me biznesmenin Ymer Lala, i akuzuar si person që ka dijeni për komplotin e vrasjes. Gjithçka u mohua nga biznesmeni. Në mesditën e 20 marsit prokurorët konkluduan me hetimet duke e vlerësuar gjithçka një inskenim, për të cilën kërkojnë dakordësinë e parlamentit për të arrestuar deputetët Doshi e Frroku.