Topalli Humbem prej konsumit 8-vjecar nuk eshte drame

Topalli: Humbem prej konsumit 8-vjecar, nuk eshte drame

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje se një ndër shkaqet që PD-ja humbi zgjedhjet ishte konsumimi 8-vjeçar. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ajo foli edhe për zgjedhjet në PD dhe drejtimin e selisë blu nga Lulzim Basha.

Po bëhen 3 muaj qëkur PD doli në opozitë. Pas humbjes, vëmendja e partisë u përqendrua te zgjedhja e kryetarit të ri të saj dhe u tha se analiza e humbjes do bëhej shumë shpejt. Kanë kaluar kaq muaj, por ende s’ka nisur analiza. Përse?


Është e vërtetë, kështu është thënë. Kanë kaluar 6 muaj qëkur PD doli në opozitë. Ishte shumë e paparashikueshme që nga 16 shtatori, kur u konstituua Parlamenti i ri dhe u formua qeveria e re, do të ndodhnin kaq shumë gjëra që duhet të kishin vëmendjen dhe përqendrimin total dhe reagimin e menjëhershëm të opozitës.


Zyrtarë të lartë të PD-së kanë filluar të shprehin mendimet e tyre se cilat ishin shkaqet e humbjes në zgjedhje. Për ju, cilat ishin shkaqet kryesore që PD humbi?


Besoj se janë disa shkaqe, ndër të cilat është konsumi 8-vjeçar. Besoj se është më komplekse se kaq. Në demokraci një herë fitohet, një herë humbet, pastaj fiton përsëri. Nuk është dramë dalja në opozitë. Ajo që do ishte dramë për një vend, është fakti nëse fillon të kthehesh mbrapa në disa reforma të cilat shqiptarët i kanë arritur në 20 vite. Nëse mua diçka më trishton, është nihilizmi ndaj asaj që Shqipëria ka arritur në 20 vite, është deklarimi si viti zero, ndërkohë që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Unë sapo erdha nga një konferencë që e konsideroj shumë të rëndësishme të Këshillit Atlantik, të Forumit Transatlantik Parlamentar. Shqipëria është një vend që pavarësisht nga kriza në të cilën ajo është rrethuar, i ka rezistuar shtrëngatës së madhe dhe nuk ka rënë në recesion. Nuk ishte një arritje e lehtë, ishte e vështirë.


Ju ende nuk keni zgjedhur strukturat drejtuese. PD-ja ka një historik të vonuar në zgjedhjen e strukturave. Më parë ishte kryetari i partisë që merrte përgjegjësinë për vendimet. Kur pritet të fillojë procesi i strukturave të reja të partisë? Do përdoret parimi “një anëtar-një votë” si me kryetarin?


Nëse e kishit fjalën për zotin Berisha, i cili i merrte vetë vendimet, unë kam qenë bashkëpunëtore bashkë me kolegë të tjerë për 16-17 vjet. PD-ja ka funksionuar me konsulta dhe një ekip që diskutonte. Mund të binim dakord ose jo dhe pastaj respektonim të gjithë vendimin. Unë besoj se pavarësisht se PD-ja ka humbur, është një forcë e jashtëzakonshme.


Ndryshimi në krye të PD-së ishte një ndryshim brezash, pra një ndryshim jo i vogël. Cili është mendimi juaj për udhëheqësin e ri të PD-së, zotin Basha?


Unë respektoj… do ta shikoja në dy momente. Më ka impresionuar pjesëmarrja jashtëzakonisht e madhe e anëtarësisë së PD-së brenda dy javëve nga humbja që kjo forcë politike pësoi më 23 qershor, për t’i dhënë kryetarin e ri PD-së.


Çfarë e pengoi PD-në tetë vite të luftonte seriozisht korrupsionin?


PD-ja ka bërë një luftë dhe ka pasur vullnetin politik për ta luftuar korrupsionin. Ai ka ekzistuar, por ka pasur vullnet për ta luftuar. Nuk do kishim arritur të mblidhnim 9 miliardë USD më shumë po të mos e kishim luftuar korrupsionin. Numri i të dënuarve është rritur shumë, ka qenë edhe në nivel zv.ministrash dhe sekretarë të Përgjithshëm. Qeverisja ka punuar shumë në ashpërsimin e masave të dënimeve të Kodit Penal që kemi bërë edhe para pak muajsh. Perceptimi ndaj korrupsionit, qoftë edhe me pamjet e fundit të blerjes së votës, është një gjë jashtëzakonisht e rëndë. Perceptim i korrupsionit është edhe nëse emëron në krye të Albpetrolit administratorin e pasurisë së deputetit, apo kur mbyll një biznes për të marrë në shkëmbim një gjobë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama