Kuvendi ka nisur punimet sot me debat mes ish-kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe kryetari aktual të Kuvendit, Ilir Meta. Topalli i kërkoi Metës të përgjigjet mbi shkarkimet që sipas saj po ndodhin në adminnistratën e Kuvendit. Topalli theksoi se në këtë formë po digjet investimi prej miliona lekësh që është kryer gjatë trajnimit të këtyre punonjësve.
“Sot shënohet 23 vjetori i PD dhe unë sjell në vëmendje, sot këtu, se janë hequr një numër i madh grash nga puna nga administrata e Kuvendit. Deri tani janë hequr 45 dhe janë në listë dhe 25 te tjerë, nga një administratë që përbehet me mbi 200 vete, është shpenzuar paraja e dynjasë që të trajnohen këta njerëz dhe këta janë hequr nga puna. Ju përsërisni këtu se jeni konstruktiv, por keni hequr nga puna njerëz që merreshin me botimet e Kuvendit, redaktorë, punonjës të aftë. Nëse konstruktiviteti është të bëni terror ky është një lajm shumë i keq dhe dhurata me shëmtuar që mund ti bëni vendit, ditën e themelimit të Partisë Demokratike”, tha Topalli.
Kryetari i Kuvendit Meta ka kërkuar që të ngrihet një Komision hetimor lidhur me problemin e ngritur. “Këto informacione që keni ju nuk i kam. Ju i paskeni më të sakta se unë kam 10 ditë që kam qenë me vizita jashtë vendit. Për shkak të seriozitetit që ka kjo çështje edhe pse nuk përzihet me festën e PD-së, jam i gatshëm të bëj interpelancë për problemet e reformës që po bëhet edhe në administratën e Kuvendit për çdo emërim që po bëhet dhe për çdo konkurs që do bëhet, për çdo shqetësim. Unë nuk shikoj asnjë arsye për të ngritur zërin në kuptimin e tonit jo të shqetësimit. Ju mund të keni shumë të drejtë sepse unë nuk e kam këtë informacion që keni ju. Nuk jam kryetar parlamenti për tu marrë me emërimet por për tu marrë me zbatimin e ligjit. Unë jam gati t’ju jap llogari. Ju bëni kërkesën pretendimet konkrete dhe unë ju jap sqarim për çdo çështje për çdo gabim që mund të jetë bërë”, tha Meta.
Ai kërkoi nga Topalli që të bëjë kërkesë për komision hetimor për këtë çështje dhe personat përgjegjës për çdo emërim të japin llogari.