Një darkë private mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, nuk kaloi pa vëmendje megjithëse pak dihet se çfarë është biseduar në këtë takim. Topi foli sot për mediat duke thënë hapur se mund të gjenden rrugë bashkëpunimi mes tij dhe Ramës për çështje të ndryshme për të cilat është biseduar gjatë darkës. Ndërkohë preferoi të bënte ironi me ish-kreun e PD-së, Berisha, duke iu referuar dhe kohës kur mes të dyve u krijua përçarja përfundimtare.
“Çdo takim duhet të konsiderohet në planin qytetar. Kemi të drejtë të takohemi pavarësisht këndvështrimit të ndryshëm politik. Besoj në politikë kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme që nuk i takojnë interesave personale, por atyre të Shqipërisë, sidomos për çështje të rëndësishme, ndryshime kushtetuese, për reformë administrative territoriale dhe që i takojnë shtetit dhe mbështesin filozofinë politike, pse jo. Mund të bashkëpunojmë shumë mirë. Shqiptarët duhet të kuptojnë që nuk mund të jemi të ndarë. Kur jemi bashkë mund të realizojmë gjëra të mira, apo jo,” tha Topi sot një ditë pas darkës me ramën.
I pyetur nëse ka nevojë për ndryshime kushtetuese, Topi u përgjigj: “Unë besoj që po. Aq më shumë kur edhe ata që kanë bërë ndryshimet brenda një nate kanë kuptuar që kanë gabuar”.
Ish- presidenti ironizoi edhe ish- kryeministrin, që e ka akuzuar pas 21 janarit se ishte pjesë e puçit të shtetit së bashku me Edi Ramën. “Për atë që e ka shumë për zemër Facebook-un, do të thotë se është kompletuar faza e katërt e grushtit të shtetit,” tha Topi. Më 21 janar 2011 Berisha ishte kryeministër, ndërsa Topi president.