Torasa Partizani i ka mundesite per kampion

Torasa: Partizani i ka mundësitë për kampion

Mesfushori me tipare sulmuese i Partizanit, Agustin Torasa, gjatë një prononcimi për emisionin "Pasi i Fundit" në RTSH, ka treguar aventurën që po përjeton në Shqipëri me fanellën e Partizanit, ku pritshmëritë i kanë dalë ndryshe. torasaArgjentinasi, ndonëse ka ardhur në një futboll të panjohur, ndihet i kënaqur dhe kampionatin shqiptar e vlerëson të vështirë. Fillimisht Torasa sqaroi pakënaqësinë që shfaqi në momentin e zëvendësimit në ndeshjen ndaj Flamurtarit.

"Çdo lojtar dëshiron që të futet në fushë dhe ta luajë deri në fund ndeshjen. Për këtë arsye nuk e prita mirë zëvendësimin ndaj Flamurtarit, por nuk kam asgjë kundër askujt. Nuk dua që të jetë mungesë respekti ndaj trajnerit, që mori këtë vendim, por as shokëve të ekipit", tha 27-vjeçari.

Përshtatja

"Ndihem shumë mirë te Partizani dhe më kanë pritur në mënyrën më të mirë të mundshme, tifozët, shokët e ekipit, presidenca etj. Prandaj ndihem shumë mirë këtu dhe i kënaqur. Për sa i përket kampionatit shqiptar unë nuk e njihja fare kur mbërrita këtu. Mendoj se është një kampionat shumë i fortë, ndonëse dikush që vjen nga jashtë ka përshtypjen e një kampionati shumë të thjeshtë. Por tani që jam këtu, ndërrova mendim dhe them se kampionati është shumë i fortë dhe më duhet të jap më të mirën. Më pëlqen gara që po zhvillohet në këto momente dhe shpresoj të tregoj cilësitë e mia", vijoi Torasa.

Titulli kampion

"Çelësi i suksesit sipas meje është që të kemi besim te vetja. Në ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit nuk treguam përqendrim deri në minutën e fundit. Prandaj me përqendrim maksimal dhe me besimin te titulli do të arrijmë që të marrim fitoren ndaj Vllaznisë. Unë besoj te titulli kampion, gjersa edhe matematika na e lejon një gjë të tillë. Ekipi është pak i zhgënjyer nga rezultatet e fundit, të cilat nuk i prisnim. Por, me besim në veten tonë, mendoj se Partizani i ka të gjitha mundësitë për të dalë kampion", përfundoi argjentinasi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama