Prokuroria e Serres në Greqi ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen për 13 gardianë dhe ish-drejtorin e burgut të Nigritas, ku rreth 7 muaj më parë u vra në mënyrë makabre pasi u torturua barbarisht i burgosuri shqiptar Ilia Kareli.
13 gardianët akuzohen për ‘tortura me pasojë vdekjen’ ndërsa ish-drejtori i burgut për ‘përkrahje të autorëve të krimit’. Pamjet video të marra nga brenda burgut dhe të publikuara nga vetë mediat greke treguan pamjet e tmerrshme të torturave çnjerëzore deri ne vdekje të shqiptarit, i cili para vrasjes së tij kishte qëlluar për vdekje me thikë një gardian të burgut të Malandrinos, ku vuante dënimin prej disa vitesh. Ngjarja e rëndë ndodhi më 27 mars të këtij viti dhe solli reagime të shumta të opinionit publik shqiptar.