Helena Kadare është e para femër e njohur shqiptare që ka pranuar publikisht dhe ka falur tradhëtinë e bashkëshortit të saj. Sigurisht të falësh nuk do të thotë të harrosh. Në librin e saj, Helena Kadare kujton çdo detaj të tallazeve shpirtërore që ka trazuar jo pak martesën e saj. Shijen e parë të hidhur të tradhëtisë e ka provuar ende pa nisur mirë jetën bashkëshortore. Një telegram i shkurtër drejtuar Kadaresë nga një grua me inicialin M. ndez shkëndijën e parë të dyshimeve tek Helena.
“Në mendje më kishin ngelur si gozhdë fjalët “sonte me trenin e fundit” dhe në fund të tyre shkronja M. Një grua do të vinte me trenin e fundit ose ai vetë do të shkonte tek M-ja, gjithmonë me atë tren. Takim dashurie me siguri, ç’të ishte tjetër. C’detyrim mund të kishte? Bashkë me kuriozitetin po më kapte dëshpërimi”
Gjithsesi, historia u justifikua nga Kadareja si një njohje e rastit para se ata të lidheshin. Me siguri kjo ngjarje do të pluhurosej nga harresa nëse nuk do të kishte një të dytë që do e trondiste martesën e tyre deri në rrënjë. Ishte dhjetori i vitit 1969 dhe shtëpia e tyre ishte mbushur plot me miq pasi po festohej ditëlindja e vajzës së tyre.
“Aty pas mesnate, fare rastësisht, vura re fytyrën e nënës sime tepër të shqetësuar. E pyeta ç’kishte, por nuk m’u përgjigj. Kërkova me sy Is, që e kisha humbur nga sytë njëfarë kohe, gjersa e gjeta në një kënd të aneksit të kuzhinës, që bënte sikur vallëzonte me një vajzë, por në të vërtetë ishin përqafuar e po putheshin."
Megjithëse i zënë në flagrancë, Kadareja nuk pranon fajin.
“I thashë prapë se i kisha parë me sytë e mi te këndi i aneksit të kuzhinës kur po putheshin. Mashtrues! Si kujton se do ma hedhësh me këto profka. Por ai ngulte këmbë si mushka. Sipas tij, ai s’kishte asnjë faj. Ishte ajo që e kishte përqafuar gjatë vallëzimit dhe e kishte puthur. Kështu që ai s’kishte ç’të bënte.”
Të nesërmen Helena Kadare, së bashku me Gresën e vogël, largohet për në shtëpinë e prindërve të saj në Elbasan ku qëndron për shumë ditë derisa me ndërmjetësi të Sabri Godos kthehet sërish në shtëpi.
Një tjetër histori tradhëtie zbulohet pas kthimit nga një udhëtim në Kosovë të shkrimtarit.
“Të nesërmen e mbërritjes, ndërsa po merresha me si zakonisht me teshat e udhëtimit, nga xhepi i palltos, bashkë me imtësira të tjera, ra një letër. Do të mjaftonin 2-3 sekonda për të kuptuar se ç’ishte ajo letër: një letër dashurie. Nuk desha ta besoj sepse për çdo gjë mund të të shkonte mendja gjatë një udhëtimi në Kosovë, por jo për këtë. Letra ishte shkruar në dialektin verior dhe pikërisht në atë të Kosovës dhe jo vetëm që ishte erotike, por bënte fjalë për një gjë që kishte ndodhur vërtetë, një kujtim i paharruar i asaj mbrëmjeje në pyll e të tjerë.”
Një flirt i shkurtër që nuk e cënoi kështjellën e tyre të dashurisë, por pak para daljes së “Dimrit të vetmisë së madhe” një tjetër histori trondit marrëdhënien e tyre. Disa shënime në faqen e një ditari tradhëtojnë kësaj radhe shkrimtarin e madh.
“Papritur vura re me habi se në ditar ishin shtuar shënime të tjera. Datat ishin të mëvonshme. 1966-1967. Berat. 1971 etj. Ishin shënime të kursyera, shumica për atmosferën e zymtë të jetës letrare. Mirëpo midis tyre kishte shënime për një vajzë. Megjithëse rreshtat ishin të shkurtër, kuptohej qartë se ishte fjala për një lidhje intime. Nga 2-3 hollësi të pakta merrej vesh që vajza i përkiste një zyrtari të lartë.”
Në një intervistë dhënë pak ditë më parë për gazetaren Beti Njuma, Helena Kadare ka rrëfyer me sinqeritet pse e ka falur tradhëtinë në marrëdhënien e saj.
“Lexuesit nuk do të besonin nëse unë do ta paraqisja Ismailin një ëngjëll që ishte indiferent ndaj femrave. Me famën e tij dhe njohjet që kishte, ishte e natyrshme të tërhiqej. Sigurisht që çdo grua e përjeton me xhelozi, por me kalimin e kohës kuptova se asnjë nga këto gjëra nuk mund të na çonin drejt ndarjes”, u shpreh Helena.
Falja e tradhëtisë është shenjë force apo dobësie? Kur lexon librin e Helena Kadaresë kupton se me rrëfimin e saj shkrimtarja e njohur nuk kërkon të japë mesazhe, por një dëshmi të sfidave të një gruaje në një martesë të vështirë që ka zgjedhur të falë.