Pesë shqiptarë dhe një maroken kishin zbuluar një ide të sofistikuar për tregtimin e drogës.
Të arrestuarit në Aquila, sipas të dhënave të publikuara nga hetuesit italianë bënin trafik droge me anë të vezëve plastike me çokollatë brenda.
Por, vezët e tyre “Kinder surprise” ishin vërtet surprizuese, pasi brenda tyre nuk kishte çokollatë, por drogë. Amarildo Leska 29 vjeç, Agron Tocka 37, Erando Çela 28, Artan Quamili 49 dhe marokeni, Anis Lafsahi 25, u arrestuan fillimisht dhe po hetohet nën masën e arrestit shtëpiak. Ndërsa Fatmir Leskaj, 23 vjeç, është në kërkim.
Pjesë e hetimeve në liri janë dhe Albert Misiraj, Gentian Skenduli, Khalid Lafsahi, Massimiliano Visco, Laurentino Oddis dhe Yassir Edouar. Këta persona bënin shkëmbim lënde narkotike të llojit marijuanë dhe drogë të llojit kokainë, duke e fshehur atë në vezët plastike.
Ata i dërgonin fillimisht vezët në një dyqan në Romë dhe më pas droga u shpërndahej klientëve të ndryshëm në Aquila.
Sipas policisë italiane, kreu i grupit është Amarildo Leksaj, i cili gjatë operacionit të policisë u përpoq të arratisej i veshur vetëm me mbathje dhe pa këpucë. Ai u kap pas një vrapi 3 km.
Nga përgjimet rezulton se personat e përfshirë në këtë trafik përdornin kode me emra të çuditshëm për të identifikuar drogën. Njëherë quhej “djali i vogël, apo “mishi i shtëpisë”, ndërsa për të identifikuar hashashin ata përdornin emërimin “vajza”. Në një mesazh shkruhet: “Më duhen 5 vajza”.