DURRES, 22 Tetor/ATSH/- Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Cannon deklaroi sot nga Durrësi se autoritetet britanike po hetojnë mbi gjendjen e të dhënat e publikuara nga "The Guardian" për numrin e lartë të fëmijëve shqiptarë të trafikuar në Angli.
I pranishëm në një forum të hapur të organizuar në kuadër të muajit antitrafik në Universitetin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit, diplomati britanik tha për mediat se "një pjesë e atij raporti pasqyronte një realitet të dyshimtë do ta quaja. Ky raport është bërë objekt hetimi në Britani dhe po mundohemi të kuptojmë se çfarë pjese e raportit është e vërtetë dhe çfarë pjese jo".
Sigurisht që ndodh që në Britani të vijnë fëmijë të pashoqëruar që udhëtojnë vetëm, shtoi ambasadori por ata janë të moshës nën 18 vjeç. Ne jemi duke punuar ngushtësisht këtu me institucionet dhe policinë për të ndalur këtë fenomen"..
Ambasadori solli në vëmëndje se largimi i të miturve pa familje jashtë vendit përbën vepër penale, pasi konsiderohet braktisje e tyre. "Trafikimi i qënieve njerëzore është një problem shumë më i gjerë dhe në rritje. Kjo është një simptomë e problemeve të tjera më të rënda social-ekonomike. Nuk prek vetëm familjet, por edhe shoqëritë dhe ndodh me përfshirjen e krimit të organizuar. Do të thotë që ky nuk është një problem që përfshin strukturat e policisë, por është problem i shoqërisë në tërësi. Mënyra për ta adresuar këtë problem, përveç aksioneve të qeverisë, janë gjithashtu edhe informimi dhe integrimi". /a.g/