Kalvari i shqiptarëve në kërkim të një jete të re në Perëndim nuk ka të sosur. Mbrëmjen e së martës, 48 shqiptarë u bllokuan në veri të Francës, brenda një kamioni-frigorifer që kishte si destinacion Britaninë. Mediat prestigjioze “The Standard” dhe “Huffington Post” raportojnë se klandestinët u ndaluan në terminalin Channel Tunnel në anën e Francës. Zyrtarët e Forcës Kufitare pohojnë se përdorimi i kamionëve frigoriferë apo cisternave të mbyllura për trafikimin e qenieve njerëzore mund të përfundojë edhe në tragjedi. Klandestinët shqiptarë u zbuluan gjatë një kontrolli rutinë në terminal, në orën 21 të mbrëmjes së martë, të fshehur në pjesën e pasme të kamionit, ndërsa prinin të udhëtonin drejt Kentit.
Policia konstatoi se frigoriferi nuk ishte në funksion, ndërsa përveç shqiptarëve, kamioni nuk kishte ngarkesë tjetër. Autoritetet kufitare konstatuan se kamioni nuk kishte dyer të jashtme, çka e rrezikon edhe më tej sigurinë e klandestinëve. Në kamion u gjetën 41 meshkuj dhe 7 femra, në dukje në gjendje të mirë shëndetësore. Tre prej tyre besohet se janë minorenë. Klandestinët u shoqëruan nga autoritetet franceze, ndërkohë që shoferi rumun i kamionit u arrestua nga policia dhe është nën hetim. “The Huffington” ka kontaktuar me zv.drejtorin e Forcës Kufitare, Dave Hutchinson, i cili ka pohuarse “rreziku i përdorimit të kamionëve-frigoriferë apo cisternave për trafik klandestin në këtë rrugë është i lartë. Ndërsa pasojat, janë potencialisht fatale”. Ai shtoi më tej se rasti i të martës ndërthur përfshirjen e krimit të organizuar dhe njerëzve në nevojë. “Ky rast demonstron mungesën e plotë të kujdesit të krimit të organizuar që trafikon qenie njerëzore ndaj këtyre individëve.
Ajo çka e bën edhe më shumë alarmante, është gjetja e të miturve në kamion”. Qentë nuhatës, detektorët, dioksidi i karbonit apo kontrollet fizike janë disa prej metodave të përdorura nga forcat kufitare, për të zbuluar klandestinët që tentojnë të hynë në Britani, përmes kanalit të La Manshit. Autoritetet besojnë se një numër i konsiderueshëm shqiptarësh përdorin këto automjete të rrezikshme, për të mbërritur në Britani. Një fenomen i tillë pritej të zbehej me liberalizimin e vizave, por rasti i fundit, i zbuluar në veri të Francës, tregon se shqiptarët gjejnë tashmë mënyra të reja për të përfunduar në një vend të lakmuar sa i përket tregut të punës si ai i Britanisë së Madhe. Vend ku ndodhet aktualisht një komunitet i konsiderueshëm shqiptarësh, një pjesë e mirë e të cilëve kanë emigruar atje me dokumente false kosovare gjatë kohës së luftës.