Incident i rëndë ajror në kufirin mes Rusisë e Ukrainës. Poroshenko: Ky është akt terrorist
Një avion udhëtarësh në bordin e të cilit ndodheshin 295 pasagjerë, që i përkiste shoqërisë ajrore malajziane “Malaysia Airlines”, është rrëzuar dje në territorin e Ukrainës. Lajmi u bë i ditur fillimisht nga mediat ukrainase e ato ruse, që saktësonin se një aeroplan malajzian udhëtarësh ishte përplasur në Ukrainë, rreth 60 kilometra pranë kufirit me Rusinë. Agjencitë ruse të lajmeve Interfax dhe ITAR-TASS, duke cituar burime të industrisë së aviacionit dhe atyre të sigurisë nga të dyja vendet, thanë dje paradite se aeroplani i tipit “Boeing 777” po fluturonte nga Amsterdami për në Kuala-Lumpur, kryeqyteti i Malajzisë. Avioni malajzian që kryente fluturimin Nr. MH17, e kishte humbur kontaktin rreth 50 kilometra para kufirit me Rusinë. Këtë informacion e kishte pohuar fillimisht vetë shoqëria ajrore malajziane në faqen e saj zyrtare në Facebook. Avioni i tipit “Boeing 777” e kishte lënë Amsterdamin në orën 12:15, sipas orës lokale, dhe duhej të mbërrinte në mëngjes herët në orën 6:10, sipas orës lokale malajziane në Kuala-Lumpur. Sipas “Flightradar24.com”, në kohën e rrëzimit të avionit malajzian, mësohet se kishin fluturuar edhe dy avionë të mëdhenj pasagjerësh në një distancë prej 25 kilometrash. Një “Boeing 777” i shoqërisë ajrore të Singaporit dhe një “Boeing 787” i “Air India”-s. Sipas agjencisë Interfax, që citonte dje burime të zyrtarëve ukrainas në Kiev, mësohet se aeroplani është rrëzuar në qytetin Shakhtar në rajonin lindor, Donjeck, që është edhe epiqendra e luftimeve mes separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare ukrainase.
Akuza Moskës nga zyrtarët ukrainas
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko akuzoi drejtpërdrejt separatistët prorusë se kanë kryer një “akt terrori”. “Ky rast nuk është një katastrofë. Ai është një akt terrori”, shkroi zëdhënësi i Poroshenkos, Svjatoslav Zegolko në faqen zyrtare në Tëitter të kreu të shtetit, dje pasdite. Më parë, gjatë paradites dhe mesditës, një zyrtar i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Anton Harashenko, deklaroi dje në mesditë se avioni malajzian që është përplasur në pjesën lindore të Ukrainës, ishte goditur nga një raketë e tipit tokë-ajër, e prodhimit rus. Harashenko tha se të 280 udhëtarët, si dhe 15 anëtarët e ekuipazhit kanë humbur të gjithë jetën. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës që drejtohet nga Presidenti Poroshenko, Andrij Lisenko, tha se aeroplani luftarak ukrainas i tipit SU-25, është rrëzuar mbrëmë “në përmbushje të detyrave të tij brenda territorit të Ukrainës”. Kryeministri ukrainas, Arsenij Jazenjuk, njoftoi dje në mesditë se kishte urdhëruar menjëherë nisjen nga puna të një hetimi për atë që ai e quajti si “katastrofë ajrore”. “Ne nuk e përjashtojmë mundësinë që edhe ky avion të jetë qëlluar”, thuhej në deklaratën e tij që u referohej dy rrëzimeve të avionëve ukrainas në ditët e mëparshme nga separatistët pro-rusë. Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama ka premtuar çdo ndihmë të mundshme për hetimin e çështjes nga ana e shtetit ukrainas. Edhe kryeministri britanik David Cameron është shprehur me fjalët:”jam i shokuar dhe i dëshpëruar”, sipas agjencisë Reuters. Po ashtu njoftohet se në Kiev janë grumbulluar dje turma njerëzish që vinin lule para ambasadës holandeze, duke shprehur solidaritetin dhe hidhërimin ndaj humbjes së jetëve njerëzore.
Pro-rusët: Ne s’kemi gisht!
Ka mbërritur menjëherë reagimi i Kryeministrit të vetëshpallur të së ashtuquajturës “Republikë Popullore e Donjeckut”, Aleksandër Borodai, i cili ka hedhur poshtë çdo lloj përfshirje në këtë çështje, duke thënë se separatistët pro-rusë, nuk posedojnë raketa të afta për të rrëzuar aeroplanë që fluturojnë në lartësi që kapin kuotat e 10 mijë metrave lartësi. Në vijim të shpjegimeve të tij në lidhje me incidentin fatkeq, lideri i separatistëve pro-rusë, madje ka shtuar se e gjithë kjo histori mund të ishte një “provokim” nga ana e ushtrisë dhe qeverisë ukrainase, për të njollosur ndërkombëtarisht kauzën e popullsisë ruse të Ukrainës.
Rusia: Akuzat e Ukrainës “absurde”
Presidenti rus, Vladimir Putin, pas marrjes së lajmit, i shprehu qeverisë malajziane keqardhjen e tij për incidentin, duke e përshkruar atë si “një katastrofë mbi territorin e Ukrainës, që ka shkaktuar kaq shumë viktima”, thuhet në telegramin që Putini nisi dje paradite nga Kremlini. Po dje në mesditë, ka mbërritur menjëherë edhe reagimi zyrtar nga Moska, me anë të Ministrisë së Mbrojtjes së Federatës Ruse, e cila ka hedhur poshtë pretendimet se avioni në fjalë është rrëzuar nga raketat e lëshuara nga luftëtarët pro-rusë, duke i cilësuar akuzat e Kievit si “absurde”, sikundër edhe të gjitha akuzat e tjera të mëparshme ndaj ndihmave ushtarake të pretenduara për separatistët pro-rusë nga ana e Moskës zyrtare. Zyrtarët ukrainas vazhdimisht i kanë akuzuar forcat e armatosura të Rusisë për përfshirje direkte në konfliktin tashmë më të gjatë se tre muaj, në të cilin qeveria properëndimore në Kiev, po lufton për të neutralizuar kryengritësit pro-rusë në pjesën lindore të vendit.
Fati i trishtë i “Malajzia Airlines”
Ministri i Mbrojtjes i Malajzisë, Hishammuddin Hussein, mësohet se kishte shpërndarë me anë të kontos së tij në Twitter njoftimin se nuk ka akoma asnjë shenjë që të dëshmojë se avioni është qëlluar. Megjithatë, ai ka urdhëruar ushtrinë dhe ekspertët e saj për të nisur menjëherë hetimet. Gjithashtu, pas marrjes së lajmit, agjencitë e lajmeve njoftonin se Kryeministri malajzian, Najib Razak, është shprehur i shokuar nga lajmii rrëzimit tëavionit. Për shoqërinë “Malaysia Airlines”, ky incident është humbja e dytë e madhe brenda harkut të një viti. Më 8 mars 2014, avioni me numër fluturimi MH370, pas nisjes nga Kuala Lumpur në drejtim të Pekinit, u zhduk nga radarët dhe prej tij akoma nuk është gjetur asnjë gjurmë. Në bordin e “Boeing 777” ndodheshin 239 vetë.