Tragjedia Anita Bitri Hetimet vdekja nga pakujdesia teknike

Tragjedia Anita Bitri: Hetimet, vdekja nga pakujdesia teknike

Si ndërroi jetë Anita Bitri, tashmë ka një variant zyrtar. Ditët e fundit të saj, përbëjnë faqet e një raporti të posaçëm të policisë së New Yorku-t.

Sipas konkluzioneve të drejtësisë amerikane, në këtë tragjedi nuk ka asnjë element kriminal dhe vdekja ka ardhur nga bllokimi i paqëllimshëm i tubit të shkarkimit të monoksidit të karbonit, të bojlerit gjatë ndërtimit të ballkonit në krahun anësor të shtëpisë. Në këto rrethana, institucionet shtetërore kanë vendosur që të mos ndalohet dhe të mos ndiqet penalisht asnjë person.

Tragjedia ka ardhur si pasojë e neglizhencës dhe e injorancës teknike nga ana e punëtorëve që po kryenin punime ndërtuese te shtëpia e Anita Bitrit. Ky nuk është një aludim, por përgjigjja ka ardhur nga tri ekspertiza të njëpasnjëshme dhe një pune shumë të gjatë për zbardhjen e tragjedisë së familjes Bitri nga ana e FBI-së dhe e policisë njujorkeze.

Të tria këto ekspertiza nxorën një konkluzion të vetëm: Bllokimi i tubit të shkarkimit të monoksidit të karbonit nga ana e punëtorëve gjatë ndërtimit të një ballkoni në pjesën anësore të shtëpisë, bënë të mundur që në brendësi të shtëpisë të futej, nga djegia e gazit të kaldajës së sistemit të ngrohjes (bojlerit), një sasi monoksid karboni e barabartë me 762 mijë për centimetër/cub, kur mjaftonte vetëm një sasi prej 6 për qind për vdekjen e çdo qenieje të gjallë. Sasia e lartë e monoksidit të karbonit brenda sipërfaqes së shtëpisë bëri që të shuhen njëkohësisht tri jetë të pafajshme. Konkluzioni është i qartë dhe i pakundërshtueshëm bazuar në teknologjinë më moderne amerikane. Tragjedia ishte aksidentale.

I gjithë opinioni shqiptar dhe amerikan është prekur nga tragjedia "Bitri" e 19 tetorit 2004. Ishte pikërisht këngëtarja që për famë kishte kaluar kufijtë shqiptarë, Anita Bitri, që ka ndërruar jetë së bashku me nënën Hazbije dhe vajzën e saj Siborën. Kjo tragjedi preku thellësisht gjithë zemrat e shqiptarëve dhe bëri të mundur që diaspora shqiptare në Amerikë të rimblidhej si kurrë ndonjëherë dhe me një koncert humanitar të shpaloste virtytet fisnike dhe bukurinë shpirtërore të popullit tonë të mrekullueshëm.

Çfarë ndodhi në tetor të 2004-ës...

Një qese plastmasi u mori jetën Anitës, vajzës dhe nënës së saj

Anita së bashku me nënë Hazbijen vendosën të bënin disa punime ndërtuese rreth shtëpisë. Për këtë qëllim kontaktojnë një person, i cili pretendon se ka një kompani të madhe ndërtimi. Duke bërë shumë publicitetet si ndërtues, ky person (Petrit Salillari), i cili në fakt është vetëm murator i thjeshtë dhe pa eksperiencë projektimi arrin që ta bindë Anitën dhe nënë Hazbijen që të zbatonte punime ndërtuese rreth shtëpisë. Në fillim ky “specialist” bën projektin, duke rënë dakord dhe për shumën përkatëse. Ai do të ndërtonte murin rrethues të shtëpisë, si dhe portën e jashtme dhe do të bënte shtrimin me beton të oborrit. Punimet filluan.

Më 4 tetor Anita dëshironte dhe disa punime shtesë para shtëpisë, pasi ishin të nevojshme. Do të lartësonte truallin para hyrjes kryesore të shtëpisë dhe njëkohësisht do të ndërtohej dhe ballkoni anësor, (që solli fatkeqësinë) të cilin Anita kishte vendosur ta zbukuronte me lule. Fillimisht u ndërtua armatura për lartësimin e truallit para shtëpisë dhe njëkohësisht dhe armatura e ballkonit anësor.

Më datën 13 tetor, e mërkurë, në orët e para të mëngjesit, në shtëpinë e Anitës, makina betoniere filloi hedhjen e betonit në truallin para shtëpisë dhe njëkohësisht në armaturën e ballkonit anësor, pa marrë parasysh se punëtoret ishin të pakualifikuar dhe pa eksperiencën e duhur në punimet ndërtuese.

Kur filloi hedhja e betonit nga betoniera në ballkonin anësor, u vu re se armatura ishte më e lartë se një tub që dilte nga faqja anësore e shtëpisë. Meqenëse ky tub ishte gati 10 cm nën nivelin e armaturës, u kërkua me urgjencë një qese plastmasi, e cila u bë si shtupë për bllokimin e këtij tubi, me qëllim shmangien e hyrjes së betonit në të, një gabim fatal.

Punëtorët nuk e dinin se për çfarë shërbente ky tub. Megjithatë, do të kishte mjaftuar një kontroll i thjeshtë nga jashtë apo kalimi i njërit prej punëtorëve brenda shtëpisë, që të kuptohej se ky tub ishte i shkarkimit të kaldajës (bojlerit) dhe që absolutisht nuk mund të betonohej ose bllokohej. Punëtorët nxitonin që brenda ditës të shtrohej me beton i gjithë trualli para shtëpisë dhe ballkoni anësor njëkohësisht. Një punë shumë e madhe për një kohë shumë të shkurtër. Kështu, betoni u hodh dhe dita e punës përfundoi në orën 19.00 të asaj pasditeje, por duke mos përfunduar punimet dhe duke lënë dhe qeskën e plastmasit te tubi i shkarkimit të kaldajës pa ditur rëndësinë e këtij tubi. Por tragjedia ndodhi pas një jave për shkak se koha ishte ende e ngrohtë dhe nuk ishte e nevojshme të vihej në funksionim bojleri për ngrohje.

Shumë ditë më pas punëtorët nuk u paraqitën për shkak se binte shi.

Më 17 tetor në Nju Jork koha u ftoh shumë dhe njerëzit u detyruan të ndezin bojlerët për ngrohjen e shtëpive. Atë të diel në orën 12.00 të paradites, Anita niset në një koncert jashtë Nju Jorkut, ndërsa Hazbija dhe Sibora shkojnë për vizitë tek mikesha e tyre, ndërsa vogëlushja luante me shoqen e shkollës. Aty qëndruan deri në orën 16.00. Më pas u kthyen në shtëpinë e tyre.

Në orën 22.30, kur në shtëpinë e ftohtë arrin Anita. Menjëherë ajo bën ndezjen në maksimum të bojlerit për ngrohjen e shtëpisë, pasi bënte shumë ftohtë. Familja Bitri bie në gjumë. Kaq u desh që Hazbija, Anita dhe Sibora e vogël të flenë përjetësisht, duke ëndërruar për një botë më të bukur dhe më të mirë.

Ndonjëherë duket ironi e fatit, por në fakt ishte neglizhencë totale.

Qeveria njujorkeze miraton ligjin “Anita”

Vendosje e detyrueshme e detektorit të gazit

NEW YORK - Duke marrë shkak nga kjo tragjedi, Qeveria e Nju Jorkut miratoi ligjin për vendosjen e detyrueshëm të detektorit kundër monoksidit të karbonit duke shpëtuar nga ky gaz fatal me qindra familje të pafajshme amerikane.

Në këtë linjë mbetet për t’u vlerësuar qëndrimi i Qeverisë së Nju Jorkut, të cilët me respektin dhe humanizmin që treguan ndaj kësaj tragjedie, si dhe me vënien e ligjit mbi vendosjen e detyrueshëm të detektorit kundër monoksidit të karbonit, emrin "Ligji Anita", lehtësuan zemrat e plagosura të familjarëve dhe fansave të këngëtares së famshme shqiptare Anita Bitri.


NGA NEW YORK BEQIR SINA : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama