Ashtu siç kishte premtuar, mëngjesin e sotëm raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein zhvilloi një takim me familjarët e Aleks Nikës, një prej demonstruesit të vrarë gjatë protestës së 21 janarit të katër viteve më parë.
Zbardhja e tragjedisë dhe vendosja e drejtësisë për të ndjerin ishte qëllimi i këtij takimi, i cili mësohet se zgjati rreth një orë. Bashkëshortja e Aleks Nikës e informuar për vizitën e tij tre-ditore në Tiranë, kishte kërkuar takimin me eurodeputetin Knut Fleckenstein.
Prej 4 vjetësh familjarët kërkojnë që përgjegjësit për atë ngjarje të vendosen para drejtësisë, por duke i humbur shpresat nga drejtësia shqiptare, kërkuan mbështetjen e përfaqësueseve evropianë.
Vetë europarlamentari Fleckenstein gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar ditën e djeshme, theksoi se ky takim do të shërbente për të marrë mendimin e tyre në lidhje me hetimet 4-vjeçare për këtë tragjedi.
“Katër vite është një periudhë shumë e gjatë për hetimet dhe jam i interesuar të dëgjoj se si e shohin ata progresin e hetimeve dhe pastaj do pyes përfaqësuesit e qeverisë se çfarë mendojnë ata”, u shpreh eurodeputeti Fleckenstein ditën e djeshme. Në protestën e 21 janarit kundër qeverisë e cila drejtohej në atë kohë nga Sali Berisha, humbën jetën 4 demonstrues të cilët u qëlluan me armë në Bulevardin përballë kryeministrisë. Sot është dita e fundit e qëndrimit të eurodeputetit në Tiranën zyrtare, i cili ka zhvilluar këto dy ditë takime me zyrtarët shqiptarë lidhur me zgjidhjen e ngërçit politik në vend dhe integrimin evropian të Shqipërisë.
Xhaxhai i Aleks Nikës: Raport, çështja do zgjidhet nga drejtësia shqiptare
Pas takimit të zhvilluar me eurodeputetin, xhaxhi i të ndjerit Aleks Nika, Mark Nika shpjegoi për televizionin “A1 Report”, se çështja e 21 janarit do të bëhet pjesë e raportit të Knut Fleckenstein. Ky i fundit i kishte siguruar familjarëve të Aleks Nikës se pas reformave lidhur me drejtësinë në Parlamentin shqiptar, tragjedia do të zgjidhet nga vetë drejtësia shqiptare.
“Politika ka ndërhyrë në drejtësi dhe është e vështirë për ta drejtuar nga gjykata. Na mirëkuptoi dhe ai e di vështirësinë që ka drejtësia, me reformat që do të bëhet Parlamenti çështja do të zgjidhet me drejtësinë shqiptare, eurodeputeti do i pasqyrojë në raportin përfundimtar. Pjesë e raportit, do të jetë 21 janari për të gjithë të vrarët në demonstratën. Kemi pretendime se drejtësia është e korruptuar, gjyqtarët janë në unitet”, u shpreh Mark Nika.