Trajneri Sormani sjell nje mesfushor italian per demat

Trajneri Sormani sjell një mesfushor italian për demat

Partizani do të paraqitet në Champions ndaj Ferencvaroshit me dy përforcime në repartin sulmues, italo-ganezin Kaleb Ekuban dhe sllovenin Dalibor Volas. Me këto dy afrime sulmi konsiderohet më i plotë, por të kuqtë mbeten në kërkim të përforcimeve të tjera. Për këtë tur të dytë të Champions-it, të kuqtë kanë mundësi që të federojnë edhe një lojtar shtesë, 24 orë përpara takimit të 13 korrikut.

luka bertoni

Për momentin, prioritet për drejtuesit e kuq mbetet afrimi i një mesfushori. Burime të ndryshme pranë klubit kanë bërë me dije se ky lojtari i kërkuar mund të vijë nga Italia. Luka Bertoni është një nga emrat më të lakuar për momentin në ambientet e të kuqve të kryeqytetit. 24-vjeçari nuk ka nevojë për testime, pasi ai njihet mirë nga trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani, i cili e ka pasur në ekip kur ka drejtuar Sudtirolin.

Luka Bertoni është produkt i akademisë së Milanit. Pas formimit si lojtar me të rinjtë e Milanit, mesfushori qendror, më 11 korrik 2012, u huazua te Sudtiroli ku edhe debutoi me ekipin e ri. Më 12 korrik 2013, Bertoni u transferua te Karpi në Seria B, por ishte në bashkëpronësi me Milanin.

Debutimin në Seria B e ka bërë më 24 gusht, ku Karpi u mund 1-0 nga Ternana. Në 2014-ën, mesfushori u kthye te Sudtiroli, i cili merrte pjesë në Lega Pro. Lojtari është në pronësi të Karpit deri në verën e 2017- ës, por po punohet që ai të vijë i huazuar te Partizani.

Nëse palët gjejnë akordin para datës 21 korrik, Bertoni mund të shtohet në listën e federimeve të Partizanit për Ligën e Kampioneve. Me shumë mundësi Luka Bertoni pritet të jetë zëvendësuesi i brazilianit Felipe Gomes, i cili ishte titullar te Partizani në pjesën e dytë të sezonit të shkuar



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama