Armando Sadiku ka mbetur i izoluar te Zyrihu, një klub i cili ka rënë në kategorinë e dytë zvicerane dhe që aktualisht kërkon shumë për kartonin e sulmuesit shqiptar. Portali "tio.ch" ka diskutuar këtë çështje me trajnerin Arno Rosini, i cili njeh mirë situata të tilla pasi drejton prej 30 vitesh në futbollin zviceran, më së fundmi ekipin e Bellinzonës.
"Ai është për momentin i bllokuar te Zyrihu. Ai është në momentin e shpërthimit, është e kuptueshme që nuk do të luajë në kategorinë e dytë. Klubi kërkon 9,5 milionë franga për të? Kjo ndoshta ishte tentativa e parë e klubit për t'u mbrojtur kur u përball me kërkesat e lojtarit. Mendoj se palët do të vazhdojnë të flasin dhe që në fund do të bien dakord", tha ai.
"Zyrihu nuk përfiton asgjë nëse e mban kundër dëshirës. Më mirë ta lënë të largohet, pas një pagesë të lartë. Sa vlen ai? Mund të vlejë 3, 4, 5 milionë, është gjithmonë e vështirë të bësh një vlerësim. Ajo që është e sigurt, është se flasim për një djalosh që di të shënojë. Është një futbollist i cili nëse mbështetet, mund të lërë shenjë edhe në Serinë A apo Bundesligë.
Por ai është një futbollist i 20 metrave të fundit. Nuk është një nga ata futbollistë të cilëve mund t'u kërkosh të dalin nga zona për të marrë topin. Nëse gjen klubin e duhur, trajnerin e duhur, ai mund të lërë shenjë. Sadiku di gjithmonë të shtyjë topin në rrjetë", deklaroi Rosini.