Trajnimet e semundjet spitalet e Triestes ndihme Shqiperise

Trajnimet e semundjet, spitalet e Triestes, ndihme Shqiperise
Spitalet e Triestes, bashkëpunim me Shëndetësinë shqiptare për rastet e renda dhe specializimin e mjekëve. Zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, ka firmosur pak ditë më parë marrëveshjen me Francesko Kobello, drejtor i Përgjithshëm i spitaleve në Trieste. Një marrëveshje ambicioze, që synon trajnimin dhe specializimin e profesionistëve të Shëndetësisë shqiptare në teknika të ndryshme kurimi, mes të cilave isteroskopia, terapia e fibrozës cistike, otorinolaringologji, onkologji, kirurgji, ndihma e shpejtë dhe urgjenca pediatrike, ka dhënë frytet e para. Nëntëmbëdhjetë mjekë specialistë, për gjashtë muaj me radhë, kanë ndjekur nga afër praktikat shëndetësore në një prej qendrave më prestigjioze të shërbimit shëndetësor italian, “Burlo Garofalo” (institut kërkimor, trajtues dhe me karakter shkencor) dhe “CRO di Aviano”, të asistuar nga mjekë dhe profesionistë italianë. Brenda këtij harku kohor, dy raste të rënda pacientësh shqiptarë që kërkonin ndihmë të specializuar mjekësore janë asistuar pranë strukturës spitalore “Cro di Aviano”. Është analizuar kështu viti i parë i bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe rajonit Friuli Venecia Giulia.

Në emër të qeverisë shqiptare, zv.ministri i Shëndetësisë, z. Bardh Spahia (një nga negociatorët e promotorët e këtij bashkëpunimi), gjatë vizitës zyrtare në Trieste,  shoqëruar dhe nga përfaqësues të lartë të Konsullatës shqiptare në Milano, ka diskutuar dhe rënë dakord mbi termat konkrete të bashkëpunimit në të ardhmen. Bashkëpunim që përqendrohet në mundësi kualifikimi afatgjatë për mjekët shqiptare në fusha konkrete, bursa studimi, por dhe kurim pacientësh (specifikisht diagnozat e komplikuara) një pikë tjetër delikate për të cilën Shëndetësia shqiptare ka ende nevojë. “Shqipëria, sot ka një sektor shëndetësor që do të ecë një në hap me kohën për të arritur nivelet europiane, duke u përqendruar në kualifikimin e burimeve njerëzore, si një nga aspektet më të rëndësishme të çdo reforme dhe investimi në Shëndetësi. Këto arrihen falë bashkëpunimeve ndërkombëtare shëndetësore të kësaj natyre”, i shpjegoi zv.ministri Spahia, interesimit të medias italiane, të pranishme në takim.

Sipas tij,  rëndësishme për qeverisë shqiptare kanë qenë dhe do të mbeten perfeksionimi i të gjithë sektorëve të Shëndetësisë, shkëmbimi i eksperiencave, nxitja e formimit dhe kërkimit shkencor dhe nevoja e bashkëpunimit në fushën humanitare. Pikërisht në këtë pikë, falë dhe raportit të shkëlqyer me “Cro di Aviano”, kemi mundur të bashkëpunojmë për trajtimin e dy rasteve të rënda, që kishin nevojë për një trajtim të specializuar. Si pjesë e kësaj marrëveshjeje ishin në Burlo javët e shkuara tetë mjekë shqiptarë dhe 11 të tjerë në “CRO di Aviano”. Shkëmbimi i njohurive e “best practices” përfshiu mjek dhe infermierë. “Na është kërkuar, – shpjegoi drejtori shkencor, z. Zauli, – përfshirja në sektorë të veçantë të kolegëve shqiptarë. Mbas takimit të parë në maj, u fokusuam në tema që rezultojnë të rëndësishme për Shëndetësinë shqiptare: mjek dhe infermierë punuan së bashku me specialistët tanë në sektorët përkatës, si etika profesionale, deontologjia, isteroskopia, terapia e fibrozës cistike, otorinolaringologji, ndërhyrja e shpejtë ne pediatri,  kërkimi farmakinetike dhe përgatitja e citostatikëve”.

Vizita katërditore e delegacionit shqiptar në rajonin e Friuli Venezia Giulia-s përfaqëson një moment tepër të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërkombëtar në Shëndetësi, e organizuar nga Informest me rajonin e Friuli Venezia Giulia-s, të cilat përzgjodhën dy institutet rajonale me karakter shkencor, “Burlo Garofolo” dhe “CRO di Aviano”. Projekti i nisur në maj, në Trieste, me përfaqësimin e parë të operatorëve të Shëndetësisë shqiptare, pati si qëllim shkëmbimin e knoë – hoë në temën e shëndetit, në avantazh të strukturave shëndetësore shqiptare. Faza simetrike e formimit u realizua mbi temat onkologjike, ne CRO di Aviano. Delegacioni, bashkë me zëvendësministrin vizituan dhe strukturën shëndetësore të Pordenones në mbylljen e fazës së parë të aktivitetit lidhur me protokollin e bashkëpunimit të firmosur në 2010-n. “Bashkëpunimi dhe solidariteti kanë ne thelb impenjimet e sakta institucionale, veprime që deri sot i kemi koordinuar e zhvilluar me qeverinë italiane”, theksoi zv.ministri Bardh Spahia.

Sipas tij, ky bashkëpunim është një hap më shumë në raportet institucionale ndërmjet dy vendeve tona, në përmirësimin e shërbimeve e cilësisë së jetës. “Akordi i firmosur tetorin e shkuar na tregoi elementin prioritar në bashkëpunimin tekniko–shkencor. Falë punës së shkëlqyer, koordinuar nga Informest, u lejua të përmirësohen situatat organizative, procedurale dhe të përforcohet bashkëpunimi për krijimin e një grupi pune i cili është në gjendje të çoj përpara zbatimin e marrëveshjes, të vlerësojë gjendjen e punës, perspektivat dhe prioritetet duke formuluar propozime dhe projekte mbi tema të interesit të përbashkët. Takimi i sotëm nuk përbën aktin përfundimtar, por një moment planifikimi dhe programimi mbi objektiva të përbashkët”, tha  Spahia.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama