Trajtimi gjenetik per te rikthyer shikimin tek te verbrit

Trajtimi gjenetik për të rikthyer shikimin tek të verbrit
Ky zhvillim cilësohet si një mrekulli në trajtimin e verbimit dhe një hap i jashtëzakonshëm në fushën e terapisë gjenetike. Shkencëtarët mendojnë se kjo mënyrë hap rrugën për  trajtime të reja të 140 formave të tjera verbimesh si pasoje e dëmtimit të gjenit përgjegjës për shikimin

E lindur thuajse e verbër, sytë e Manuelës dridhen. Duke parë vetëm forma të turbullta, ajo, njësoj si Tomasso që vuan nga i njëjti verbim gjenetik, mund të vrojtojë vetëm me vështirësi dhe mund të renditet mes atyre          që verbohen plotësisht para se të arrijnë moshën 40 vjeç.

Këta janë doktorët Maguire. Al është kirurg dhe bashkëshortja e tij Jean Bennet, eksperte e terapisë gjenetike. Doktor Maguire tregon se një ditë e pyeti të shoqen e tij nëse ishte e mundur implantimi i një gjeni në retinë për të zëvendësuar gjenin e dëmtuar. Dhe ajo u përgjigj se po. Kështu filloi rruga e tyre në trajtimin e verbimit.

20 vjet më vonë, pas shumë kërkimesh, eksperimentesh e dështimesh, ata rikthyen shikimin tek qentë në laborator dhe ishin gati ta provonin këtë metodë tek njerëzit nëpërmjet terapisë gjenetike.

Ata gjetën një mënyrë për implantimin e gjeneve në pjesën e mbrapme të syrit dhe i lanë aty derisa të zhvilloheshin.

Manuela, studente, ëndërronte se ky transplantim gjenetik mund t’a ndihmonte që një ditë të lexonte. Ajo pranoi menjëherë t’i nënshtrohej kësaj procedure.

5 javë pas operacionit, mjekët vunë re se sytë e Manuelës filluan të reagonin ndaj dritës. Bebja e syrit zmadhohej e ngushtohej në varësi të dritës njësoj si sytë normalë dhe ajo filloi të dallonte shkronjat e alfabetit.

Shkencëtarët mendojnë se kjo mënyrë trajtimi gjenetik hap rrugën për  trajtime të reja të 140 formave të tjera verbimesh si pasoje e dëmtimit të gjenit përgjegjës për shikimin, si dhe për trajtimin e dëmtimit macular, sëmundje verbimi që prek rreth 2 milionë amerikanë. Por mbi të gjitha, ekspertët e shohin këtë zhvillim si hap të madh drejt një të ardhme kur sëmundjet jo gjithmonë do të cilësohen të pashërueshme. 

Orjeta Zhupa
Marre nga Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama