Portali i njohur për merkaton e lojtarëve, "Transfermarkt" ka përpiluar një listë me futbollistë pjesëmarrës në Euro 2016 të cilët janë pa skuadër dhe përbëjnë një okazion të mirëfilltë për këdo që i kontakton pasi transferohen me parametër zero.
"Transfermarkt" ka ndërtuar edhe një formacion ideal të parametrave zero të Euro 2016 dhe mes lojtarëve të pranishëm spikatin emrat e Arlind Ajetit dhe Migjen Bashës.
Vlera e kartonit të Ajetit është 1,5 milionë euro dhe për "Transfermarkt, ai është një prej emrave të rinj që ka rënë më shumë në sy në Europian. "Ai ka refuzuar një ofertë nga Peskara dhe mund të kthehet të luajë me Atalantën", shpjegon portali i njohur për transferimet.
Ndërkaq, vlera e kartonit të Bashës është caktuar 0,8 milionë euro. Edhe mesfushori shqiptar është me parametër zero pasi ka ndërprerë me mirëkuptim kontratën e tij me Lucernën dhe është në kërkim të një ekipi të ri.