Partizani është skuadra e vetme që ka pasur mbështetjen e dashamirësve të tij në çdo ndeshje ku ka luajtur këtë sezon, me përjashtim të takimit të javës së 18-të ndaj Teutës, e cila u luajt pa praninë e tifozëve.
Humbja me Bylisin i ka prishur të gjitha balancat dhe planet që kishin drejtuesit, por edhe tifozët për transfertën e Korçës. Në kushte më komode për misionin titull, pritej një dyndje e ultrasve të kuq drejt Korçës.
Por edhe tani, kur shanset janë minimale, ultrasit e kuq nuk ndihen të dorëzuar dhe prej ditësh kanë nisur përgatitjet për të bërë detyrën edhe të premten ndaj Skënderbeut.
Ndeshjet e fundit të luajtura në Korçë mes dy ekipeve kanë prodhuar problematika për sa i përket numrit të tifozëve miq që duhet të jenë të pranishëm në stadium.
Gjithnjë pala korçare ka insistuar se do të respektojë rregullin e 5%-shit, me vetëm 300 tifozë të Partizanit, por në fund miqtë kanë qenë dy apo trefish më shumë në tribunë.
Grupimi "Ultras Guerrils" e ka konfirmuar prezencën në takimin e së premtes, madje në faqen e tyre në "Facebook" organizimi për këtë transfertë ka edhe trajtë thumbuese, pasi nuk shkruhet Skënderbeu-Partizani, por Hamzai-Partizani.
Ashtu siç është vepruar për ndeshjet e kaluara, edhe për këtë takim klubi do të vërë autobusë falas në dispozicion të mbështetësve dhe dashamirësve të Partizanit që duan të jenë të pranishëm në Korçë.
Shpresohet që ky takim të jetë reklama më e mirë përmbyllëse e sezonit, duke mos marrë shembull nga ngjarjet e shëmtuara që kanë shoqëruar futbollin shqiptar në dy javët e fundit.
Prej kohësh, dy tifozëritë e kanë prishur traditën e sjelljes që kanë pasur mes tyre dhe le të shërbejë ky takim që gjithçka të kthehet në normalitet, pasi thjesht bëhet fjalë për një ndeshje futbolli.