Falë repertorit të tyre artistik ne kemi të konservuara prej tyre, nëpër arkivat e televizioneve dhe radiove, thesarë të vërtetë artistikë, që shërbejnë në vazhdimësi për edukimin estetik, shpirtëror dhe etnokulturor të brezave të rinj, duke ndikuar në rritjen e dashurisë për traditën muzikore të krijuar në shekuj nga ky popull. Me po atë emocion estetik, sikundër ka gjalluar edhe në të kaluarën, vazhdon ende sot të gjallojë, në zonën e Labërisë, shumëzërëshi lab, duke sjellë freski muzikore, dhe emocione estetike që na pasurojnë shpirtërisht. Kjo pasuri muzikore vazhdimisht ka qenë prezente nëpër veprimtaritë folklorike, që janë organizuar nga ne, si veprimtaritë më të dobishme dhe më të nevojshme për një shoqëri që dëshiron të njohë sa më mirë traditat dhe pasuritë folklorike të krijuara nga brezat njerëzorë, si vazhdimësi e kulturës kombëtare.
Nisur nga ky vlerësim Qendra Kulturore Vlorë, me kujdesin e drejpërdrejtë të Bashkisë ka organizuar festivale të përvitshme të këngës labe, dhe një sërë koncertesh foklorike me synimin që, jo vetëm të përcjellë besnikërisht këta traditë të lashtë muzikore, por edhe të ndërthurë interpretimin folklorik të brezave me njëri tjetrin. Kjo ka ndikuar që brezat e këngëtarëve të përfitojnë nga eksperienca artistike e brezit më të vjetër dhe gjatë aktivizimit të tyre të prezantojnë vlera të vërteta interpretative, duke ekspozuar besnikërisht vlerat e krijuara prej popullit nga koha në kohë.
Kështu është bërë e mundur që në festivalet tona të meparshme por sidomos në Festivalin e fundit, të realizuar para një jave, debutuan grupe të reja folklorike si të rinjtë e Lapardhasë, grupi i të rinjve të Bratit, Tërbaçit, Kaninës e ndonjë tjetër, çka na jep besim se shumëzërëshi lab dhe kënga folklorike e Labërisë do të vazhdojë cilësisht edhe në të ardhmen për të përcjellë me po atë virtuozitet trashëgimë shpirtërore në fushën e muzikës popullore.
Por jemi të ndërgjegjeshëm se edhe tek ne, ky thesar kulturor nuk mund të mos prekej nga ndikimet e botës moderne, Për këtë arsye në vitet e tranzicionit kemi një zbehje të kësaj krijimtarie. Së pari është cënuar masiviteti i saj, dhe së dyti prurja e vlerave të vjetra folklorike, që ende flenë në popull në mos qoftë vonë. Për të përballuar situatën, që sa vjen e përkeqësohet, duhen një sërë masash me karakter organizativ e financiar. Më parë ky kontigjent artistesh kishte trajtim shtetëror, institucional, ndersa sot në ekonominë e tregut si çdo aspekt tjeter i jetës minimalisht kërkon një mbështetje financiare për ta kultivuar dhe konservuar.
Akoma më e vështirë është fakti se shumë Bashki dhe Komuna nuk u përgjigjen kerkesave financiare të grupeve folklorike me pretekstin që nuk kanë fonde! Dhe artistët shpesh vijnë vullnetarisht, për hir të patriotizmit dhe pasionit të tyre për këngën labe. Por sa mund të vazhdojë kështu, kur shumica prej tyre janë punëtorë?
Nuk duhet mohuar fakti qe përfaqsues ose individë të veçantë janë bërë shpesh pjesë e donacioneve për grupe të ndryshme por kjo nuk mund të zëvendësojë angazhimin shtetëror, për këtë vlerë.Dihet se djepi i folklorit dhe këngës labe ka qenë fshati. Aktualisht fshati po braktiset dhe popullata rurale po zbret në zonat urbane.
Shumë nga grupet labe janë instaluar në qytet, sikundër është grupi ”Kaonët” e Delvinës, ‘’Kurora Labe’’ e Gjirokastrës, ‘’Zëri i Bilbilit ‘’ Sarandë, ‘’Djemt e Tepelenës”, po ashtu grupet e Vlorës me përjashtim të Dukatit e ndonjë tjetri etj. Këto grupe u shkëputur nga rrënja që e ushqente këtë këngë, shpesh paraqiten me meleodi të stilizuara deri në stisje, pa patur asnjë lloj origjinaliteti krahinor, ndërkohë që evoluimi i melodisë do mjedisin e saj dhe momentin e saj. Dhe ata që kanë mbetur nëpër fshatra e kanë shumë të vështirë për ta zhvilluar këngën polifonike, pasi mungon ambienti dhe mikroambienti –kënga labe në familje-, pasi tani shumë nga festat nëpër fshatra dhe familje bëhen me muzikë të kultivuar. Ku do t’i dëgjojë dhe njohë njësitë folklorike këngëtari, ku do t’ë mësojë shumëllojshmërinë e këngëve për t’i kënduar në përcjellje të traditës? Më shpesh edukimin e tyre muzikor e bëjnë koncertet folklorike televizive dhe radiofonike, e më shumë kasetat më këngë labe.
Mendoj se për problematikën e shtruar më lart mbetet detyrë se si të fuqizojmë së pari grupet e reja që funksionojnë dhe që kanë pasionin e artin, për t’i orientuar drejt, së dyti të mos ta shohim zhvillimin e isopolifonisë në kushtet e sotme thjesht përmes ndonjë festivali, që jo rrallë bëhet formal, por ta shohim si është gjendja, atje ku grupet jetojnë e kryejnë veprimtarinë e tyre folklorike, duke e parë atë si një nga elementët kryesorë të turizmit kulturor jo vetëm në Vlorë, por në mbarë Shqipërinë e Jugut e më gjerëNisur nga kjo Q. K. V. ashtu si edhe më parë ka aplikuar përsëri në Drejtorinë e Projekteve në M.T.K.R.S, për realizimin për herë të parë të festivalit Rinor të Iso-Polifonisë dhe Festivalin Folklorik Mesdhetar, traditë prej 7 vitesh rresht në periudhën e sezonit Turistik Veror. Megjithëse jemi në një konferencë solemne, përsëri nuk do të jetë keq të vendosim për një konferencë tjetër soleme, për të diskutuar të ardhmen e kësaj pasurine shpirtërore, që vihet në veprim shumë rrallë në kalendarin vjetor.