Transparenca.al PD serish shpif per hemodializen ja e verteta

Presentation1-TIRANË, 27 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Transparenca.al përgënjeshtron si të pabazuara akuzat e Partisë Demokratike për hemodializën, ku rendit akuzën dhe të vërtetën si një argument mbi shpifjen.

Transparenca.al që në krye të radhës sjell akuzën e opozitës, ku citon: "PD për koncesionin e hemodializës: Deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda, akuzoi qeverinë se koncesioni për hemodializën i është dhënë një kompanie fantazmë, e cila, sipas opozitës, nuk ka as përvojë e as zyra".

Ndërsa në vijim, Transparenca.al argumenton me shpjegimin, duke theksuar: "Përgjigje për akuzën e opozitës mbi koncesionin e hemodializës: Lidhur me akuzën se koncesioni i shërbimit të hemodializës i është dhënë një kompanie fantazmë, pa zyrë dhe pa përvojë, sqarojmë se fitues i garës është shpallur bashkimi i dy operatorëve ekonomikë, "Evita" Sh.p.k. dhe "American Hospital" Sh.a., pasi ky subjekt ka plotësuar kriteret e vlerësimit nga Autoriteti Kontraktor në DST. Ndërkohë, për sa i përket pretendimit të opozitës se kompania fituese nuk ka përvojë, sqarojmë se "Evita" Sh.p.k. është një kompani që zotëron një licencë për tregtimin e barnave që nga muaji qershor i vitit 2013, një licencë për shërbim mjekësor nefrologjie në Lezhë që nga muaji dhjetor i vitit 2014 dhe një licencë për shërbim mjekësor nefrologjie në Korçë që prej muajit shkurt të vitit 2014".

Gjithashtu, Transparenca.al në vijim të argumentimit shprehet se "Evita" Sh.p.k. është përfaqësuese zyrtare e prodhuesit japonez "NIPRO", një kompani prestigjioze ndërkombëtare e prodhimit të makinave të hemodializës, i sistemeve të trajtimit të ujit për hemodializë, si dhe materialeve mjekësore të përdorshme në shërbimin e hemodializës."Evita" Sh.p.k., është ndërkohë edhe përfaqësuese zyrtare e kompanive të tjera të njohura ndërkombëtare, si Johnson & Johnson, Ethicion, Cordis, Nobel, etj., dhe xhiroja vjetore e saj për vitin 2014 ishte rreth 225 milionë lekë. Ndërkohë, "American Hospital" Sh.a. është një subjekt i mirënjohur jopublik i ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe prej disa vitesh, shërbime të kujdesit shëndetësor, përfshirë edhe shërbimin e hemodializës, të financuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor".

"Tabela në vijim ofron një pasqyrë të numrit të përgjithshëm të pacientëve që janë trajtuar përgjatë 10 viteve të fundit, shifra të cilat dëshmojnë se vit pas viti akoma më shumë pacientë kanë akses në këtë shërbim", thuhet në faqen zyrtare të Transparenca.al. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama