Ndryshimet në mars
Kreu i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se duke nisur nga muaji mars i vitit 2011, do të bëhet një ndryshim cilësor në linjat e urbanit që pritet të lehtësoje dhe qarkullimin në kryeqytet. “Çdo linjë autobusi urbane në Tiranë do të ketë autobusë të rinj, gjithçka do të firmoset në kontrata në mars të vitit të ardhshëm dhe ndërkohë në vijim ne do të kemi javë pas jave muaj pas muaji një autobus të ri, sipas një plani të kontratave. Ky është një ndryshim cilësor në shërbimin e linjave që jo vetëm do garantojë transportin në kushte maksimale, por duhet të ndikojë dhe lehtësimin e qarkullimit në kryeqytet, që më shumë qytetarë të zgjedhin shërbimin e transportit publik se automjetet e tyre”, u shpreh kryebashkiaku.
Ndotja
Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se ky ndryshim cilësor në linjat urbane të kryeqytetit do ti shërbejë dhe përmirësimit të cilësisë së ajrit. “Ndotja në Tiranë është jashtëzakonisht e ndikuar dhe shkaktuar nga lëvizja e shumë e automjeteve dhe djegia e karburantit që e ndot ajrin në mënyrë shqetësuese. Ndaj duhet zhvilluar transporti urban, zhvillimi i këtyre linjave, shtimi i tyre për një Tiranë ku ajri të jetë më i pastër dhe lëvizja të jetë më e lehtë. Ajo që është e rëndësishme është që ne jemi në një rrugë të sigurt të shërbimit të transportit. Ne mund të themi me plot gojën se kemi arritur standarde evropiane me autobusët e rinj,” tha më tej krye bashkiaku Rama.
Oraret
Në fazën e dytë të masterplanit parashikohen përmirësimi i frekuencave të lëvizjes së autobusëve, si problemet me oraret, vonesat për shkak të trafikut, shpejtësia e lëvizjes, probleme këto që shpesh pengojnë qytetarët të zgjedhin këtë shërbim, duke vënë në përdorim lëvizjen me mjete private edhe atëherë kur nuk është e domosdoshme.
Qendra e kontrollit
Për herë të parë Bashkia e Tiranës dhe operatorët e shërbimit urban do të ngrenë qendrën e menaxhimit dhe kontrollit, nëpërmjet të cilës transmetohen të dhënat në kohë reale për shërbimin në autobus, kontrollet e bashkisë, sjelljes së qytetarëve etj. Ndër të tjera parashikohet të futen edhe biletat elektronike dhe decentralizmi i shitjes së biletës dhe aboneve. Në 23 rrugët kryesore të Tiranës do të ketë akse të dedikuara për të lehtësuar qarkullimin e autobusëve.