Transporti urban Te premten Tirana ska autobuse 24 ore

Transporti urban: Te premten, Tirana s'ka autobuse 24 ore

Greva - Greva që do të zhvillohet të premten do të jetë 24-orëshe, kështu qytetarët nuk do të mund të marrin asnjë autobus të linjave shtetërore

Çmimi - Sindikata e Transportit dhe shoqata ka kërkuar rritje të çmimit të biletës njëpërdorimshme nga 30 lekë të vjetra në 50 lekë të vjetra

Kompetencat - Bashkia e Tiranës ka kërkuar nga qeveria qendrore subvencionim për transportin urban, ndërkohë që Ministria e Transporteve kërkon t’i delegojë kompetencat pushtetit vendor


Ditën e premte, më 14 shkurt, kur të gjithë të dashuruarit do të festojnë, punonjësit e shërbimit të transportit kanë vendosur të protestojnë dhe të mos shkojnë në punë. Nesër në kryeqytet nuk do të ketë në dispozicion asnjë linjë urbanësh brenda qytetit, ndërkohë që qytetarët duhet të marrin masa për të përballuar situatën dhe për gjetjen e zgjidhjes të paktën 24 orë përpara. Kjo është greva e parë 24-orëshe pas dy protestash të njëpasnjëshme me ndërprerje të shërbimit për dy apo katër orë.

Nëse nuk do të ketë një reagim dhe një qëndrim zyrtar nga pushteti qendror dhe vendor lidhur me kërkesat dhe nevojat që ka sot shërbimi i transportit, atëherë greva do të përsëritet edhe në intervale më të gjatë, më shumë se 24 orë.

Transporti urban në Tiranë, të premten, do të përfshihet në një grevë 24-orëshe në shenjë proteste për mosmarrjen e asnjë përgjigjeje zyrtare, sa i takon shqetësimit të ngritur prej muajsh për rritjen e çmimit të biletës së autobusëve.

Përfaqësues të transportit urban qytetar njoftuan fillimin e kësaj greve më të thellë për shkak se nuk po arrihet të paguhen punonjësit e këtij sektori. Kjo grevë vjen pas dy protestave të mëparshme, pas të cilave nuk u gjet asnjë zgjidhje. Bashkia e Tiranës hodhi disa propozime me kërkesë për plotësim nga Ministria e Transporteve, ndërsa qeveria qendrore shprehu qëndrimin që çështja e transportit urban në kryeqytet të kalojë në kompetencat e bashkisë. Gjashtë linjat e transportit urban në Tiranë nuk do t’u shërbejnë për 24 orë qytetarëve ditën e premte. Greva është paralajmëruar nga përfaqësuesit e Sindikatës së Punonjësve të Transportit, të cilët i kërkojnë qeverisë që të ndërhyjë për të zgjidhur ngërçin me shoqëritë private të cilat nuk janë subvencionuar dhe nuk janë përfshirë në nismat për heqjen e TVSH-së apo akcizës së naftës.

 

“Ditën e premte, datë 14.02.2014, grevë 24-orëshe me kompanitë me kontrata kolektive pune. Ne këtë grevë e bëjmë për t’i tërhequr vëmendjen qeverisë që të mos i nxjerrë nga shporta sociale shërbimet e transporteve publike”, tha Zija Hasani, kreu i Sindikatës së Transportit. Sindikalistët kanë reaguar edhe në lidhje me protestat e drejtuesve të furgonëve në Korçë e Kukës. Ata akuzojnë pushtetin vendor se ka dhënë licenca në kundërshtim me ligjin. “Pushteti vendor ka dhënë licenca në kundërshtim me ligjin, janë të parregullta sipas ligjit”, tha Hasani.

Shoqatat e Transportit dhe punonjësit e urbanëve në kryeqytet për më shumë se gjashtë muaj po protestojnë për rritjen e çmimit të naftës dhe problemet që ka shërbimi. Kjo ka qenë java e diskutimeve për draftin që grupet e interesit kërkojnë të paraqesin në qeveri, me propozimin konkret për rritjen e çmimit të biletës nga 30 lekë në 50 lekë.

“Dua të shpreh shqetësimin e Bashkisë së Tiranës për heshtjen totale të qeverisë ndaj letrës së dërguar nga Bashkia, kërkesës së Shoqatës së Transportit Urban dhe pritjes gjithë ankth të qytetarëve për çmimin e biletës”, tha nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, në fillim të kësaj jave. “Duke respektuar përgjegjësitë e pushtetit vendor për administrimin e transportit qytetas, duke marrë parasysh natyrën vendore të tarifave dhe kostove të këtij shërbimi ndaj qytetarëve, si dhe duke vlerësuar e duke mbështetur frymën dhe të drejtat reale të autonomisë vendore, qeveria do të përgatisë amendimet përkatëse ligjore për transferimin e së drejtës së përcaktimit të çmimit të biletave të transportit urban autoriteteve të pushtetit vendor dhe do t’i dërgojë këto amendime ligjore për miratim në Parlament javën e ardhshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Transporteve. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama