Trashegimi dhe genjeshtra zero leke per Shtepine e Flamurit

Trashegimi dhe genjeshtra: zero leke per Shtepine e Flamurit
Plot 80 milionë lekë miratoi dy ditë përpara Këshilli i Ministrave për objekte të reja monumentale dhe për disa aktivitete kulturore, si pjesë e axhendës së jubileut të pavarësisë. Ky fond hyn në arkën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për realizimin e monumenteve të pavarësisë, Kongresit të Lushnjës, Ahmet Zogut, Hasan Prishtinës, për Ditët e kulturës shpirtërore shqiptare në Rusi, për Konferencën Ndërkombëtare “100 Vjet Pavarësi” nga Qendra e Studimeve Albanologjike (në varësi të Ministrisë së Arsimit). Siç shihet asgjë nuk investohet për ndonjë objekt të trashëgimisë që lidhet me “përvjetorin e madh”.

Në Ditën Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, 29 shtator, të cilës Ministria jonë e Kulturës i bashkohet me mesazhet e përkora dhe mjaft të përgjithshme sensibilizuese që hidhen në kësi rastesh, është e natyrshme që të risjellim në kujtesë rastin “Gërmenji”. Kujtojmë premtimet e institucioneve, i ballafaqojmë me vendimet e qeverisë po edhe me qëndrimin e specialistëve të trashëgimisë.

Asnjë lajm për rindërtimin e “Shtëpisë së flamurit” në Korçë, për të cilën MTKRS kishte premtuar se në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës do ta mëkëmbte brenda 28 Nëntorit. Realizimi i objektit brenda një kohe kaq të shkurtër do të ishte i mundur vetëm në përrallë. Që shtëpia nuk përmendet fare në axhendën e buxhetit të fundit të MTKRS, edhe kjo është një përgjigje: përgjigja e indiferencës.

Pirro Thomo një specialist karriere në fushën e trashëgimisë, në restaurimin e objekteve të kultit të krishterë po edhe të banesave historike, këmbëngul për rindërtimin e “shtëpisë së flamurit” duke u bazuar në projektin e parë të restaurimit i vitit 1977, të cilin Thomo e ka dokumentuar në studimin tij “Korça, urbanistika dhe arkitektura” në proces ribotimi. Sipas tij rindërtimi i objektit do të ishte një përgjigje për kërkesën që ka hedhur opinioni shoqëror për t’ia rikthyer historisë së pavarësisë së Shqipërisë një nga shenjat e saj, po edhe si përgjigje që i kundërvihet indiferencës dhe dëmtimit të vlerave historike e kulturore. Në një bisedë për “Shekullin”, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë, profesor Thomo shprehet se fati i trashëgimisë sonë kulturore dhe historike, varet nga ajo shije dhe edukim që iu jepet sot të rinjve shqiptarë në shkolla.

Prof. Thomo, edhe njëherë shikojmë se investimi për mëkëmbjen e “Shtëpisë së Flamurit” në Korçë, ka mbetur jashtë vendimeve financiare për vepra monumentale në kuadër të jubileut. Mos ndoshta vendimmarrësit, pavarësisht premtimeve, nuk besojnë që ky objekt mund “të kthehet” në atë që ishte?

Ruajtja e trashëgimisë kulturore është një proces në vazhdim dhe pasuron vlerat e civilizimeve. Por pavarësisht nga jubiletë, të cilat edhe ato janë të rëndësishme, mendoj se rindërtimi i kësaj ndërtese është plotësisht i mundshëm dhe qytetit të Korçës do t’i mbetet një vlerë e rëndësishme historike për vite me radhë.

Kur pohoj se është plotësisht e mundur rikonstruksioni i ndërtesës kam parasysh disa faktorë. Së pari gjendja ekzistuese e godinës. Ndonëse është rrënuar kati i sipërm me gjithë mbulesat ndërmjet kateve dhe çatia, ruhen gati pesë të gjashtat e katit të parë. Pikërisht në këtë kat ruhen elementet arkitektonike dhe dekorative më me vlerë, si kolonat, porta e hyrjes që mban datën e ndërtimit, 1884, qoshet e mureve, të cilat janë realizuar me gurë të gdhendur dhe nëse do të rrënoheshin edhe ato, rikopjimi i tyre do të ishte jo shumë i pranueshëm. Së dyti, projekti i restaurimit, me autor ark. Robert Ballaurin i vitit 1977 dhe i realizuar më 1978, i përmban të gjitha të dhënat e mjaftueshme për hartimin e projektit të rikonstruksionit, duke përfshirë dhe detajet e ribërjes së dyerve e të dritareve.

Sot është Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë dhe si studiues e specialist në restaurimin e kishave, mendoni se në këtë drejtim po bëhet puna e duhur?

Procesi i restaurimit është një proces në vazhdim. Pavarësisht objektit, ndërtesë kulti, monument arkitekture apo arti, ndërtime fortifikimi, apo elementeve të zhvillimit urbanistik etj., restaurimet dëshmojnë për një evolucion të shoqërisë, pasi çdo objekt përbën vlerë për historinë e saj. Ndër vite është bërë punë e madhe për mbrojtjen e monumenteve.

Për sa i përket ndërtimeve të kultit, duhet të dihet se, si pasojë e braktisjes për një kohë të gjatë të tyre, për arsye të njohura, gjendja është shumë kritike. Gjatë këtyre njëzet viteve të fundit mirëmbajtja e kishave monument kulture është përballuar kryesisht nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Është ndërhyrë në mbi 65 monumente, ndër të cilat mbi 20 janë restaurime të plota, por pa neglizhuar dhe ndërhyrjet shpëtuese, të cilat përbëjnë shumicën.            

Restaurimi i tyre është shumë kompleks, që përfshin probleme të konsolidimit statik, të restaurimit arkitektonik, të konservimit të pikturës murale dhe objekteve të arteve të aplikuara. Përballimi i këtyre problemeve përveç se kërkon ekipe të specializuara, kërkon dhe fonde të konsiderueshme. Megjithatë mendoj se me një organizim më të mirë të institucioneve përgjegjëse diçka mund të arrihet. Kam parasysh një riorganizim të punës të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe, në mënyrë të veçantë, të Drejtorive të Trashëgimisë Kulturore të rretheve, që ato të kenë skuadra specialistësh, të cilat të ndërmarrin ndërhyrje shpëtuese për të ndaluar degradimet e mëtejshme, deri në ndërhyrjet e mirëfillta restauruese.

Sa e rrezikuar është trashëgimia nga transformimi që po pëson dita ditës territori i vendit?

Me transformimet e sotme të territorit të vendit trashëgimia kulturore mund të rrezikohet në shumë mënyra. Ajo mund të mbytet nga ndërtimet e reja pranë monumenteve të kulturës ose brenda ansambleve tradicionale, që nuk respektojnë vlerat dhe karakterin e objekteve të vëna në mbrojtje ose që cenojnë unitetin arkitektoniko-stilistik jo vetëm të ansambleve tradicionale, por dhe të peizazhit dhe të natyrës në përgjithësi, që dhe ajo është një pasuri kombëtare. Bashkëjetesa e trashëgimisë kulturore me zhvillimin mbetet sfidë për çdo shoqëri.

Një ndërtesë historike, një muze, një kishë nuk mund të mbetet një vend ku duhet të kujdesen vetëm disa institucione, por duhet të ketë dhe një ndërgjegjësim qytetar. Mendoni se mund të realizohet kjo nëpërmjet shpjegimit të rëndësisë së objekteve opinionit të gjerë shoqëror?

Sigurisht që informimi i opinionit shoqëror për vlerën e trashëgimisë kulturore është një mjet i rëndësishëm për sensibilizimin e tij për mbrojtjen e kësaj trashëgimie. Por ky sensibilizim mund të jetë më efikas, në qoftë se do të fillonte më herët dhe më gjerë. Nëse nxënësve të shkollave do t’u flitej nga mësuesi i tyre për vlerat dhe rëndësinë e monumentit që ruhet në fshatin e tyre, ose në qoftë se tekstet shkollore të çdo niveli do të përmbanin njohuri mbi pasuritë kulturore dhe atyre ambientale, do të rritej së tepërmi dashuria dhe interesimi për këtë pasuri të çmueshme kombëtare.

Çfarë ndryshimesh vihen re në politikat për ruajtjen e trashëgimisë përgjatë viteve të fundit?

Dëmtimet në monumentet mund të rrjedhin për shkaqe natyrore, për arsye të mungesës së mirëmbajtjes së vazhdueshme, por dhe nga veprimi i personave të pandërgjegjshëm. Ndaj këtyre të fundit zbatimi rigoroz i Ligjit “Për Trashëgiminë” do të ishte një masë e rëndësishme parandalimi. Përveç kësaj dhe reagimi i vendosur i opinionit shoqëror ndaj dëmtuesve dhe neglizhuesve të pasurisë kombëtare do të ishte një mjet tepër i konsiderueshëm për mbrojtjen e saj.

Axhenda sot

Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore ka tre vjet që festohet më 29 shtator. Gjatë kësaj dite MTKRS ofron vizita falas për vendas e të huaj, në muze kombëtarë, parqe dhe monumente kulture.

Në kuadër të kësaj dite inaugurohen tabelat sinjalizuese në shtigjet e vizitorëve që lidhin Parkun Arkeologjik të Antigonesë me fshatin “Asim Zeneli”, ku nisin turet këmbësore.

Parku Kombëtar i Butrintit organizon aktivitetin “Miqtë e Monumenteve”, vizita në park të shkollave të komunitetit.

Në Parkun Arkeologjik të Apolonisë hapet ekspozita me foto të gërmimeve të ekspeditës shqiptaro-franceze në qytetin antik.

Në Kalanë e Krujës, me iniciativë të Muzeut Kombëtar “Gj.K. Skënderbeu” dhe atij “Etnografik”, organizohet një koncert me grupin karakteristik të Krujës.

Në Galerinë Kombëtare të Arteve përgatitet ekspozita “Ikona Shqiptare”.

Në Tiranë organizohen guida të orientuara në rrugën këmbësore pranë Kalasë së Tiranës, si dhe në monumentet kryesore të kryeqytetit si Mozaiku dhe Kulla e Sahatit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama