Trashegimia Moderne e panjohur

Trashegimia Moderne: e panjohur
Trashëgimia Kulturore shqiptare e shekullit të njëzet nuk është e dokumentuar dhe as e studiuar. Lorenc Bejko përpiqet të bëjë një guidë të parë që përfshin: uzina, fabrika, kombinate, bunkerë, reparte, zona ushtarake, deri te objekte të dhunës shtetërore, burgje, kloni kufitar.

Bejko: Trashëgimisë po i propozohet një model i para viteve '90, por edhe fryma e asaj kohe: presione dhe shpifje të ulëta ndaj kritikëve

Trashëgimia Kulturore e shekullit të njëzet është në rrezik, së pari si çdo fenomen që jeton mes nesh i panjohur. Trashëgimia moderne është një pasuri që mbetet për t'u studiuar, mbrojtur, regjistruar. Instituti i Monumenteve të Kulturës, kur i kërkon të dhëna për këtë temë, të përcjell si ai që ka ngatërruar pavijon.

Galeria Kombëtare e Arteve nuk disponon qoftë edhe indikacione elementare. Drejtoria Rajonale e Monumenteve për Tiranën është e urdhëruar nga ministria e Turizmit dhe Kulturës të mos flasë për "Shekullin". Individët. Ata që mund t'i vijnë në ndihmë vendit janë individët që nuk aderojnë në ndonjë institucion-parti.

Duke marrë shkas nga diskutimet e muajve të fundit për trashëgiminë në rrezik, iu drejtuam Lorenc Bejkos, arkeolog-historian, ish drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ai bën një udhëtim virtual në vendet ku ndodhet Trashëgimia moderne shqiptare dhe vlerat që duhen dokumentuar saktë sipas kritereve të përcaktuara.

Biseda me Bejkon, nuk harron të kujtojë se propozimet për reformën në trashëgiminë kulturore janë kthim prapa, para viteve '90.

Është folur së fundi për problemin e mosregjistrimit të trashëgimisë kulturore të shekullit të njëzetë. Është mirë që si fillim të japim një përcaktim: çfarë përfshihet tek kjo trashëgimi; çfarë shtrirje gjeografike ka; çfarë të dhënash ka deri tani për të; çfarë duhet bërë?

Trashëgimia e shekullit të 20të, ose siç mund ta quajmë ndryshe "Trashëgimia Moderne" është një koncept relativisht i ri për sistemin shqiptar të trashëgimisë kulturore, por jo vetëm atë shqiptar. Vetëm në këto 20 vitet e fundit është ngritur në mënyrë institucionale nga ICOMOS apo Qendra e Trashëgimisë Botërore, shqetësimi për studimin, vlerësimin dhe konservimin e kësaj trashëgimie.

Përcaktimi i saj është jo gjithmonë i lehtë dhe ka evoluar brenda dy dekadave. Shumë legjislacione kombëtare për trashëgiminë, edhe ai shqiptar deri para pak kohësh përcaktonin një kufi kohor jo më pak se 100 vjet për objektet e vëna në mbrojtje si monumente kulture.

Kjo pikë është e tejkaluar dhe janë bërë përparime në drejtim të mbrojtjes së Trashëgimisë Moderne. Edhe interesi juaj është shenjë pozitive për sensibilizimin e shoqërisë shqiptare për këtë pjesë të vlerave të saj. Është pikërisht sensibiliteti i ulët i shoqërisë bashkëkohore ndaj Trashëgimisë Moderne një nga problemet/rreziqet e saj.

Shekulli i njëzetë ka vetëm 10 vjet që ka kaluar dhe distanca e shkurtër e bën të vështirë objektivitetin e vlerësimit të tij në të gjitha këndvështrimet. Të gjithë ne më të mëdhenjtë se 10 vjeç kemi lindur dhe e kemi jetuar atë, ndaj gjykimi i tij duket si gjykim i vetvetes, gjë jo dhe aq e lehtë për natyrën njerëzore. Nga ana tjetër, Trashëgimia Moderne ka disa specifika në krahasim me Trashëgiminë më të hershme që do të përpiqem t'i përmend shkurt.

Nisur nga konteksti historik, çfarë specifikash ka kjo trashëgimi?

Sikurse edhe trashëgimia më e hershme ajo moderne duhet parë si dëshmi historike e një periudhe të kaluar, por konteksti i saj historik është shumë i ndryshëm.

Ai ka në thelb modernizimin e vrullshëm të shoqërisë njerëzore që është karakterizuar nga studiues të filozofisë dhe sociologjisë (po unë po përdor atë të Jügen Habermas) si një tërësi procesesh të formimit të kapitalit dhe mobilizimit të burimeve, të zhvillimit të forcave prodhuese dhe rritjes së rendimentit të punës, të konsolidimit të pushtetit politik të centralizuar dhe formimit të identiteteve kombëtare, të përpunimit të të drejtave të pjesëmarrjes politike dhe të formave urbane të jetesës, të edukimit formal dhe të sekularizimit të vlerave e normave, etj. Pra, në qendër të modernizimit nuk qëndron vetëm koncepti teknologjik, por edhe ai i individualizimit të shoqërisë, demokratizimit dhe industrializimit të saj.

Nuk ka dyshim se këto ndryshime të thella u materializuan me shfaqje të papara më parë si p.sh. metropolet e mëdha, komplekset industriale, format e reja të transportit dhe komunikimit, planifikimet urbane, banesat e mëdha kolektive, teknologjitë dhe materialet e reja të ndërtimit, konceptimet e reja të peizazheve, etj. Shqipëria nuk bën përjashtim.

Shekulli i njëzetë ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare, historinë dhe kulturën kombëtare. Mjafton të përmendim ngjarje të tilla madhore si shpallja e pavarësisë, konsolidimi i shtetit shqiptar, mbretëria, Lufta e Dytë Botërore, industrializimi gjatë periudhës së socializmit, apo ndryshimet rrënjësore politiko-shoqërore të viteve 1990 dhe çlirimi i Kosovës.

Këto dhe shumë të tjera kanë formësuar një trashëgimi të pasur moderne shqiptare që kërkon studim të thelluar, dokumentim të saktë dhe përpunim kriteresh koherente për vënie në mbrojtje nga sistemi i Trashëgimisë Kulturore.

Duke pasur parasysh dinamikën e asaj kohe, çfarë dallimesh vihen re në trashëgiminë e dy gjysmave të shekullit?

Vihet re një dallim jo i vogël. Duken si më të pranueshme gjerësisht dhe me vlera më të spikatura monumentet e gjysmës së parë të shek. XX. Ndoshta për qëndrimin emocional që kemi ndaj periudhës së socializmit.

Por ka ardhur koha të jemi më të kujdesshëm edhe ndaj investimit të madh dhe produktit historiko-kulturor të shoqërisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Kemi jetuar dhe vazhdojmë të jemi në kontakt me Trashëgiminë Moderne dhe tentojmë të mos e vlerësojmë objektivisht.

Shumë gjëra nuk na bëjnë përshtypje, nuk i shohim fare, nuk bëhemi merak për zhdukjen dhe degradimin e tyre. Kjo edhe sepse Trashëgimia Moderne mbart pak koncepte origjinale dhe në shumicën e saj përbëhet nga riprodhime të shumta (të standardizuara) të një forme.

Në gjysmën e dytë të shek. XX, ndërtimi dhe materialet tradicionale u zëvendësuan nga teknologji dhe materiale të reja ndërtimi. Objektet e arkitekturës janë aq të shumta dhe i ndeshim në formë të përsëritur deri në mërzi, sa nuk na ngjallin asnjë interes. Kështu që procesi i vlerësimit dhe përzgjedhjes është i rëndësishëm. Përcaktimi i kritereve të përzgjedhjes bëhet edhe më primar.

UNESCO dhe disa institucione të saj janë përpjekur të përpunojnë disa linja guida në këtë drejtim. Ato e vënë theksin tek aspektet estetike të Trashëgimisë Moderne, por edhe tek kontributi i saj në historinë e teknologjisë dhe në zhvillimet politike, kulturore, ekonomike dhe sociale.

Duhet konsideruar me kujdes vlera historike dhe antropologjike e monumenteve si produkte të rrethanave politiko-shoqërore, të merren në mbrojtje tipe të rinj monumentesh që përfaqësojnë zhvillime të rëndësishme ekonomiko-shoqërore. Vetëm vlerat estetike nuk janë të mjaftueshme. Me rëndësi në vlerësim janë idetë, thellësia dhe impakti i tyre në jetën reale, si dhe mënyra e materializimit të tyre.

Si ish-drejtor i Monumenteve të Kulturës keni bërë diçka në këtë drejtim?

Nëse i referoheni periudhës kur kam drejtuar IMK, mund të them se kam realizuar një pjesë të vogël të objektivave që kisha për këtë kategori të trashëgimisë.

Për arsye se një sërë rrethanash më detyruan ta ndërpres vetëm pas 15 muajsh qëndrimin në atë funksion, por edhe sepse puna e thelluar që kërkohet më dukej larg kapaciteteve njerëzore të IMK. Ishte dhe mbetet e fortë bindja ime se në atë institucion kërkohet një punë strategjike për formimin e kapaciteteve dhe riformatimin e funksioneve. Kjo kërkon strategji afatgjatë dhe të mos ndryshojë me ndryshimet e shpeshta të drejtuesve.

Sidoqoftë, jam përpjekur të aktivizoj disa studime të vlefshme për vënien në mbrojtje të një pjese të Trashëgimisë Moderne në qytetet e Pogradecit dhe Bilishtit (studime të Prof. Pirro Thomo) si dhe shtrirjen e tyre në disa nga peizazhet rurale më me vlerë, si në rastin e fshatit të Rehovës në Kolonjë. Bashkëpunuam me disa universitete italiane për qëndrimin ndaj objekteve të rëndësishme në Tiranë, si Hotel Dajti, Pallati i Brigadave dhe ndërtesa e Kryeministrisë.

Duhet ta përmend se gjeta në IMK të trashëguar nga paraardhësit e mi (veçanërisht Artan Shkreli dhe Gjerak Karaiskaj) disa kontribute të rëndësishme në këtë fushë. Mbetet e nevojshme vazhdimësia e punës.

Kontributi i tanishëm lidhet me përfshirjen e kësaj teme në programet e studimit që Universiteti i Tiranës ka filluar për Trashëgiminë Kulturore, diskutimin me studentët e ciklit të dytë (Master) që nesër shpresoj të kontribuojnë konkretisht në njohjen dhe ruajtjen e Trashëgimisë Moderne.

Keni ngritur shqetësimin për efektet e infrastrukturës mbi trashëgiminë mjedisore dhe kulturore. Sa e rrezikuar është në veçanti trashëgimia e shekullit të njëzet nga transformimi që po pëson dita ditës territori i vendit?

Transformimi i vrullshëm i mjedisit shqiptar po bëhet një karakteristikë themelore e shek. XXI. Ndaj është e domosdoshme që sistemi i Trashëgimisë Kulturore të bëjë disa hapa drejt përfshirjes në këto zhvillime.

Krijimi i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik dhe promovimi i Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë në nivelin e institucioneve të specializuara ishin dy nga këto hapa të rëndësishëm që u ndërmorën në 2008. Disa rezultate pozitive shihen qysh sot, me rritjen e numrit të investigimeve paraprake që ASHA kryen qysh në fazën e projektimit të veprave të ndryshme. Duhet punuar shumë më fort për stimulimin e sektorit jo-shtetëror, i nevojshëm për të mbështetur punën e madhe që kërkohet të bëhet.

Edhe në këtë drejtim shihet diçka pozitive siç është krijimi dhe aktiviteti profesional i Qendrës Frashëri.

Trashëgimia Moderne është e rrezikuar nëse procesi i Studimit të Impaktit mbi Mjedis nuk kryhet seriozisht dhe me procedura rigoroze.


Para pak kohësh më tërhoqi vëmendjen protesta me bllokimin e përkohshëm të punimeve për ndërtimin e rrugës Levan-Vlorë nga banorët e një fshati të Vlorës. Kërkesa e tyre ishte jo vetëm legjitime, por minimumi i asaj që u takon.

Rruga ua ndan fshatin më dysh dhe për punët e tyre të përditshme prodhuese, u duhet të kalojnë rrugën e re dhjetëra herë në ditë me mjete bujqësore dhe gjë të gjallë. Janë të ndërgjegjshëm se do të rrezikojnë jetën e tyre dhe të drejtuesve të mjeteve. Kërkojnë nën- ose mbi-kalim dhe kjo është e drejta e tyre e plotë. Studimi paraprak i ndërtimit të kësaj rruge duhet ta kishte marrë parasysh ndikimin social-ekonomik të saj mbi këtë komunitet.

E njëjta gjë vlen edhe për trashëgiminë kulturore të nëntokës që prekin ngritja e veprave të tilla...

Është tendencë e përhapur tek investitorët dhe zbatuesit se procesi i Studimit të Impaktit mbi Mjedis sjell humbje kohe dhe parash! Jo! Është ligj i shtetit shqiptar dhe standard i shoqërisë moderne që duhet zbatuar dhe me shumë seriozitet! Praktika ka treguar se nuk është humbje as kohe, as ngarkesë financiare.


Përkundrazi, ndihmon planifikimin e mirë, eviton problemet dhe pengesat e fazës së zbatimit. Nëpërmjet këtij procesi, Trashëgimia Kulturore shndërrohet në një sektor të rëndësishëm ekonomik të shoqërisë shqiptare.

Ofron punë për specialistë të rinj (dhe jo vetëm të rinj) që po përfundojnë studimet në sistemin e reformuar të arsimit të lartë duke i nxitur të operojnë si profesionistë të lirë (vendet shtetërore të punës nuk ka dyshim që do të mbeten gjithmonë të kufizuar), ose të inkuadrohen në organizime jo-shtetërore; aktivizon ato burime alternative financiare të shoqërisë që janë të nevojshme për vlerësimin, dokumentimin dhe mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore; ofron shërbimin e domosdoshëm për shoqërinë e sotme dhe të nesërme lidhur me mbrojtjen e pasurisë kulturore dhe integrimin e saj me jetën e vendit.

Në këtë kuadër, a keni ndonjë koment për sa ka ndodhur me rrugën drejt një parku të rëndësishëm si i Butrintit?

Edhe rasti i rrugës në zonën e mbrojtur të Butrintit buron nga moszbatimi i Studimit të Impaktit mbi Mjedis të projektit. Puna filloi menjëherë, por organet e Trashëgimisë Kulturore ndërhynë duke bllokuar punimet dhe bile edhe duke modifikuar projektin.

A nuk është kjo humbje më e madhe kohe dhe ekonomike për projektin, sesa koha dhe shpenzimi për kryerjen (të kërkuar me ligj!) e Studimit të Impaktit mbi Mjedis?

Rasti i Butrintit tregoi edhe një gjë tjetër interesante: Agjencia e Shërbimit Arkeologjik u tregua një institucion i aftë për ta përballuar gjendjen emergjente të krijuar nga fillimi i papritur i punimeve. U krye vrojtim sipërfaqësor arkeologjik dhe disa gërmime shpëtimi më pas, që treguan mundësinë e negocimit të përmirësimit të infrastrukturës me ndikimin e saj mbi pasurinë arkeologjike.

Për sa i përket qëndrimit tim ndaj rrugës në Butrint, mendoj se përmirësimi i saj dhe i sigurisë së vizitorëve ishte e domosdoshme (siç përmendet edhe në planin e administrimit të Parkut Arkeologjik të pranuar edhe nga UNESCO), por projekti mund dhe duhet të ishte më modest dhe me ndikime sa më të kufizuara mbi mjedisin natyror.

Meqenëse nuk e kam parë asnjëherë projektin përfundimtar të rrugës, këtë gjykim e mbështes në ato që kam vërejtur në terren. Rasti i Butrintit tregon se sa i nevojshëm është edhe debatimi publik i disa projekteve sensitive. Koha kërkon hapje më të madhe të institucioneve ndaj shoqërisë dhe grupeve të interesit dhe një dialogim më efektiv me ta.

Keni qenë kritik ndaj përpjekjes për reformimin e sistemit të trashëgimisë kulturore në vend. Shumë shpejt, me fillimin e punës së parlamentit shqiptar pritet të ketë të reja në këtë drejtim. Ku po gabohet me ndryshimet e propozuara nga MTKRS dhe këshilltarët e trashëgimisë?

Unë nuk pretendoj ti jap vetes rolin e gjykuesit se kush gabon e ku. Por kam shprehur mendimet dhe bindjen time. Shoqëria shqiptare kërkon një rol shumë dinamik të Sistemit të Trashëgimisë Kulturore.

Që nga viti 2003 e këtej kjo ka filluar të ndodhë hap pas hapi dhe një përvojë pozitive, sikurse dhe shumë probleme janë evidentuar dhe kërkojnë zgjidhje. Krijimi i parqeve arkeologjike, Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik dhe nisja e forcimit gradual institucional të Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, së bashku me administrimin e dedikuar të disa muzeve kombëtarë (Krujë, Berat, Korçë) ka çuar në disa rezultate pozitive që duhen thelluar. Jemi ende shumë larg transformimit të këtyre realiteteve në produkte të mirëfillta kulturore, por rruga e zgjedhur është në drejtimin e duhur.

Çfarë kam parasysh me "produkt kulturor"? Një muze ose një Park Arkeologjik, p.sh. nuk mund të mbeten vetëm vende ku dikush pastron barin dhe mbeturinat, apo ruan territorin dhe merr edhe masa konservuese; vendos disa tabela drejtuese dhe emërtuese të monumenteve apo objekteve. Jo.

Atëherë ç'duhet të jetë një park apo një muze arkeologjik?

Duhet të jetë një institucion që prodhon kulturë, që të shndërrohet në qendër të aktivitetit kulturor të territorit të gjerë rreth tij; u drejtohet grupeve të ndryshme të shoqërisë dhe vizitorëve potencialë duke u ofruar atyre arsye të forta pse duhet të vizitojnë dhe rivizitojnë; promovon koleksionin dhe monumentet e veta, por edhe thelbin kulturor të komuniteteve rreth tij; shndërrohet në pikë referimi për identitetin rajonal; nxit prodhimet tradicionale lokale; ndikon në ekonominë e zonës; bëhet aktiv në edukimin e qytetarëve, veçanërisht të brezit të ri nëpërmjet programeve kreative të edukimit; promovon aktivitete dhe produkte të diversifikuara turistike; bën marketimin e vlerave të veta; nxit aktivisht kërkimin shkencor, njohjen e thellë të monumenteve apo koleksioneve; monitoron, mirëmban dhe konservon objektet dhe peizazhet që administron; bashkëpunon me institucionet brenda dhe jashtë vendit. Bëhet, pra, një organizëm i gjallë dhe aktiv.

Për të arritur këtë nuk ka rrugë tjetër veç profesionalizimit të këtyre institucioneve dhe forcimit të strukturave administruese. Këto struktura nuk duhet të shkrihen dhe të reduktohen në një grup punëtorësh mirëmbajtjeje sepse kjo do ta reduktonte rolin e institucioneve në atë që kishin para viteve 1990. Koncepti i konservimit të monumenteve në kohën tonë është një proces dinamik negocimi të vazhdueshëm.

Ai bëhet atje ku është monumenti dhe në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë faktorët socialë dhe ekonomikë rajonalë dhe lokalë. Për këtë arsye Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore janë dhe duhet të bëhen shtylla kurrizore e sistemit të Trashëgimisë. Ato absolutisht nuk duhet të shndërrohen në struktura të thjeshta zbatuese të urdhrave që vijnë nga qendra. Ato duhet të forcohen profesionalisht dhe të shndërrohen në administruesit e vërtetë dhe të përgjegjshëm të Trashëgimisë së territorit të tyre. Ky është një nga problemet e mëdha parimore që kam me ato që siç thoni ju do të fillojnë të ndodhin në shtator.

Ku bazohen ndryshimet që propozohen?

Ndryshimet që propozohen bazohen në një koncept tërësisht të tejkaluar kohe për trashëgiminë dhe zhvillimin e saj të qëndrueshëm. Siç e kam thënë shpesh, ato përfaqësojnë të kaluarën dhe në asnjë mënyrë të ardhmen e sistemit shqiptar të trashëgimisë. Përfaqësojnë një kthim shumë të përkohshëm dhe shumë të panevojshëm mbrapa (nuk e di pse duhet ta pranojmë këtë, po mesa duket po bëhet realitet që nuk kemi ç't'i bëjmë veç shprehjes së mendimeve alternative).

Që nga momenti kur MTKRS nisi diskutimin e hapur për propozimet e bëra e deri sot kam parë me shumë kujdes se si propozuesit jo vetëm që sjellin modelin e para viteve '90, por edhe frymën e asaj kohe: presione dhe shpifje të ulëta ndaj kritikëve, shantazhe ndaj njerëzve të sistemit, intriga të paprincipa. Mendimet alternative dhe veçanërisht kundërshtitë i quajnë si humbje kohe dhe bartësit e tyre si armiq personalë. E gjitha kjo më ka habitur pa masë dhe nxitimi i madh për të mbaruar punë shpejt, shpejt, shumë shpejt e bën të domosdoshëm monitorimin e kujdesshëm të ecurisë së gjërave.

Thellimi i reformimit është i nevojshëm dhe duhet të mbështetet në studimin e thelluar të të sotmes dhe të së ardhmes. Duhet të ngjallë entuziazëm në zgjidhjen e gjërave dhe në debatimin e hapur të alternativave. Duhet të frymëzojë veçanërisht të rinjtë e sistemit që janë e ardhmja fiziologjike e tij. Kurse këto ndryshime ju siguroj që janë depresive, të papjekura, sipërfaqësore dhe konfuze. Humbje e vërtetë kohe, peshqesh për atë brez të operatorëve të sistemit të trashëgimisë që ka misionin ta çojnë realisht përpara modernizimin e tij dhe që sot ka si alternativë të vetme fjalën.

Disa kategori të Trashëgimisë Moderne

Uzina, fabrika, bunkerë, burgje

Lorenc Bejko vlerëson trashëgiminë moderne për shumëllojshmërinë dhe cilësinë e saj. Ja cilat janë sipas tij disa nga kategoritë kryesore të Trashëgiminë Moderne Shqiptare:
- Trashëgimia industriale e vlerësuar në raport me arkitekturën, territorin dhe mjedisin: uzina, fabrika, kombinate (ai metalurgjik në Elbasan është veçanërisht tërheqës) dhe elementë të tjerë të lidhur me to.
- Ansamblet urbane apo zonat industriale si zgjerime të atyre tradicionale, ose qytete të rinj fare të ngritur nga zero në funksion të një koncepti të ri të organizimit ekonomik, shoqëror dhe të territorit.
- Koncepte të reja urbane, plane urbanistike.
- Trashëgimia e mobilitetit: format e reja të transportit, infrastrukturës, veprave inxhinierike si rrugë, ura, porte, aeroporte, hekurudha, stacione treni, etj.
- Peizazhe urbane, rurale dhe hapësira publike si sheshe, parqe, kopshte, zona rezidenciale, etj.
- Objekte kulturore-edukative: pallate kulture, muze, shkolla, universitete, kampuse universitare të tipit të qytetit studenti.
- Objekte të rinj banimi kolektiv.
- Objekte sportive si stadiume, pallate sporti, pishina sportive, poligone qitjeje.
- Objekte shëndetësore si spitale, poliklinika, qendra spitalore.
- Objekte administrative të administratës qendrore dhe lokale.
- Objekte të artit monumental: skulptura monumentale, mozaikë, relieve, shatërvanë publike.
- Objekte të mbrojtjes dhe ushtarake: bunkerë, reparte, zona ushtarake, armatime luftarake jashtë funksionit (aviacioni, flota, armët e tjera).
- Objekte të dhunës shtetërore: burgje, kloni kufitar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama