UNESCO raporton se në shumë prej siteve arkeologjike mungojnë pajisjet hidrante për shuarjen e zjarreve, automjetet zjarrfikëse, si dhe ka mungesa në grupet e emergjencave civile për të menaxhuar situata problematike në raste zjarresh.
Në periudhë vere një nga rreziqet që u kanoset objekteve të trashëgimisë sonë kulturore janë zjarret, burimi i të cilave hera-herës është i qëllimshëm e në raste të rralla edhe aksidental. Qytetet antike të Apolonisë, Butrintit, qyteti i Beratit, Gjirokastrës, kishat e Voskopojës dhe objekte të tjera të trashëgimisë sonë kulturore janë përfshirë në listën e UNESCO-s si objekte të rëndësishme të kulturës botërore e për këtë arsye një vëmendje të veçantë “mbrojtësit” u kushtojnë edhe masave që duhen marrë në raste zjarresh në këto site arkeologjike.
Sipas raportit që paraqet UNESCO mbi këtë çështje, në shumë prej siteve arkeologjike mungojnë pajisjet hidrante për shuarjen e zjarreve, nuk ka mjaftueshëm automjete zjarrfikëse që të mund të parandalojnë përhapjen e vatrave të zjarrit, si dhe vërehet se ka mungesa përsa i përket burimeve njerëzore në grupet e emergjencave civile që duhen për të menaxhuar situata problematike në raste zjarresh. Nisur nga kjo situatë UNESCO ka hartuar së fundmi një strategji për parandalimin e zjarreve në qendra dhe objekte të trashëgimisë sonë kulturore që janë përfshirë në listën e këtij unioni Për qytetin e Gjirokastrës, një prej qendrave më të rëndësishme historike, sipas statistikave të UNESCO-s, që nga viti 1990 ka patur ulje drastike të impianteve hidrante të zjarrit. Nga 30 të tilla që ka patur në këtë qytet deri në vitin 2005 rezultonin vetëm 3.
Në vitin 2005, në mbështetje të programit europian PHARE u instaluan 5 pajisje të tilla. U ngrit gjithashtu dhe një grup i emergjencës civile për të menaxhuar situatat problematike që shfaqeshin sidomos gjatë periudhës së nxehtë të verës. Me qëllimin e reduktimit të rrezikut nën kujdesin e zyrës së UNESCO-s në Venecia, ICCROM dhe MTKRS-së, mbajtën seminare trajnimi me specialistë të trashëgimisë mbi rreziqet që mund të shkaktojnë katastrofat, si dhe zhvillimin e procesit të një plani veprimi për menaxhimin e tyre. Në këto trajnime një rëndësi e veçantë iu kushtua përgatitjes së këtyre specialistëve ndaj rrezikut nga zjarret por dhe tërmetet. Kësaj iniciative iu bashkuan përfaqësues nga Gjirokastra, Berati, Saranda, Butrinti, Apolonia etj. Përveç administratorëve të këtyre siteve arkeologjike pjesë e këtij projekti trajnues u bënë dhe përfaqësues nga bashkitë përkatëse dhe të institucioneve të mbrojtjes civile. Një tjetër problem që kërkon zgjidhje është dhe pamjaftueshmëria e automjeteve zjarrfikëse të vogla, të cilat janë të domosdoshme pasi mund të hyjnë lehtësisht në rrugicat e ngushta të qytetit. UNESCO tërheq vëmendjen se për të zgjidhur këtë problem nevojitet një bashkëpunim i ngushtë mes Bashkisë së qytetit dhe Prefekturës.
Nga një projekt i financuar nga Bashkimi Europian në vitin 2011 për instalimin e hidranteve të zjarrit përfitoi vetëm qyteti i Beratit, por gjithsesi ato nuk plotësojnë nevojat që ka gjithë qyteti. Kështu mbeten të ekspozuara nga rreziku i zjarreve lagjet ‘Gorricë’ dhe ‘Mangalem’. Pavarësisht kësaj, për Beratin ka përfunduar një plan masash për parandalimin e zjarreve, ndërkohë që një plan i detajuar është ende në proces, i cili në fakt përparon ngadalë përsa i përket zbatimit për shkak të mungesës së fondeve. UNESCO thekson faktin se në Berat ka filluar puna për të siguruar hidrantët e ujit për një pjesë të madhe të qytetit. Ndërsa në Gjirokastër numri i hidranteve të zjarrit është ende i pamjaftueshëm. Për këtë të fundit shihet si nevojë emergjente që të nisë zbatimi i një projekti të ngjashëm si në Berat, sepse ndërtesat karakteristike të qytetit me korniza druri janë shumë të ekspozuara ndaj rrezikut dhe kërkojnë mbrojtje emergjente. Por problemi më i madh në këto zona gjatë kësaj periudhe mbeten zjarrvëniet e qëllimshme.
Në qytetin antik të Antigonesë ky ka qenë një shqetësim i përhershëm. Sipas specialistit Ilir Lluri, zjarret viheshin qëllimisht nga banorët e fshatrave përreth për ripërtëritjen e kullotave. Situata nga viti në vit ka ardhur drejt përmirësimit, por zjarret e qëllimshme mbeten ende një problem në këtë zonë dhe shumë të tjera në gjithë Shqipërinë. Gjatë këtyre viteve statistikat tregojnë për dëmtime të konsiderueshme në disa prej siteve tona, sidomos për shkak të zjarreve të qëllimshme nga barinj që kërkojnë t’i shndërrojnë ato në kullotë. Apolonia dhe Butrinti janë zonat më të prekura nga këto fenomene, ku çdo sezon vere nuk mungojnë rastet e zjarreve. Por po aq të rrezikuara mbeten dhe Antigonea, Hadrianopolisi, kishat e Voskopojës dhe qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës. UNESCO shpreh shqetësim për këtë fenomen dhe bën apel që të hartohet dhe të nisë zbatimi i një plani veprimi brenda vitit 2014. A.Tuci
Rotacion në Akademinë e Shkencave, kryetari bëhet nënkryetar dhe anasjelltas
Myzafer Kërkuti dhe Gudar Beqiraj me shumë gjasa do të ndërrojnë postet në Akademinë e Shkencave, tashmë që janë mbyllur të gjitha aplikimet për zgjedhjet e reja në këtë institucion dhe të vetmet kandidatura mbeten kryetari aktual, Beqiraj dhe nënkryetari Kërkuti. Me pak fjalë, për mandatin e ri e vetmja dosje e paraqitur për postin e kryetarit është ajo e nënkryetarit aktual, Myzafer Kërkuti dhe e vetmja dosje e paraqitur për postin e nënkryetarit është ajo e kryetarit aktual, Gudar Beqiraj. Sipas dy kandidatëve, nuk ka patur asnjë arsye tjetër për mungesën e kandidaturave përveçse mosinteresit të shumë akademikëve për këto poste. Mandati i kryetarit Gudar Beqiraj mbyllet pas katër vitesh qëndrimi në drejtimin e Akademisë së Shkencave. Beqirajt iu dha besimi nga shumica dërrmuese e anëtarëve të Akademisë, duke e konsideruar atë si një menaxher të mirë që i duhet këtij institucioni. Të 39 anëtarët e Akademisë do të votojnë për të zgjedhur drejtuesit e rinj në fillim të muajit shtator, që sipas të gjitha parashikimeve do të drejtohet edhe për 4 vitet e ardhshme nga dyshja Kërkuti-Beqiraj.