Ditën e djeshme, gjatë konferencës ndërkombëtare “Rijetëzimi i Trashëgimisë Kulturore, potenciale dhe sfida”, profesori Pirro Thomo, specialist karriere në fushën e trashëgimisë foli për vështirësitë dhe problematikat që ekzistojnë sot në Shqipëri, sa i përket restaurimit dhe mirëmbajtjes së objekteve të shpallura monumente kulture, por dhe atyre me rëndësi historike, që janë shkatërruar. Sipas profesorit, Shqipëria rreshtohet në ven-det e para, jo vetëm në Ballkan, por dhe në Evropë, sa i përket numrit të monumenteve. “Shqipëria numëron 1351 në listën e monumenteve të kategorisë së parë, monumente këto që përfshijnë lloje të ndryshme ndërtimore, sepse kanë ndërtime arkeologjike, inxhinierike, ndërtime të kultit të krishterë dhe mysliman, qen-dra dhe ansamble historike, banesa qytetare dhe fshatare etj”.
Ky numër nuk është i prerë, pasi në të nuk futen shumë monumente që mirëmbahen dhe restaurohen në qendrat historike siç janë Butrinti, Antigonea, Bylysi etj. Po kështu, brenda qendrave historike përfshihen një numër shumë i madh ndërtimesh. “Nëse i konsiderojmë me vlerë të gjitha këto ndërtime, numri i monumenteve që shteti ka për detyrë t’i mbrojë dhe t’i restaurojë e kalon numrin 2000, por këtyre duhet t’u shtohen dhe mijëra objekte që janë pjesë e kulturës kombëtare, përveç shumëllojshmërisë së gjinive ndërtimore”.
Sipas profesor Thomos, situata vështirësohet dhe nga harta gjeografike e këtyre monumenteve, sepse shpesh herë banesat fshatare apo kalatë ndodhet në terrene shumë të vështira për tu restauruar. Përpos këtij realiteti profesori ngre pyetjet. A është në gjendje shteti ynë të mbajë një barrë kaq të rëndë? A janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë financiare, bashkëpunuese për të përballuar gjendjen shumë të dëshiruar të monumenteve? A është e përgatitur shoqëria për tu ballafaquar me ketë sfidë madhore, siç është mbrojtja e trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar? A kemi ne një politikë kulturore për t'u përgjigjur këtyre nevojave? “Është një e vërtetë e pamohueshme, që veprimtaria e deritanishme në fushën e mirëmbajtjes dhe restaurimit të monumenteve ka njohur arritje të shënjuara.
Asokohe të transferosh kaq qendra historike, banesa, ndërtesa kulti etj, nuk ka qenë një punë e lehtë, kurse tani shumica e restauratorëve të rinj nuk e dinë sesi mund të kenë qenë më parë këto ndërtesa, nuk i dinë punimet që janë bërë në Berat, na pazarin e Gjirokastrës, në Kishën e Manastirit etj., që të bëjnë ndërhyrjet e duhura”. Këto janë vetëm disa probleme që shfaqen në restaurimit e monumenteve. “Nuk mund të mohohet se gjendja në përgjithësi nuk është aspak e mirë, sepse shumë monumente janë dëmtuar plotësisht, për shembull shtëpia e patri-otit, Luigj Gurakuqi në Shkodër, ka qenë një kryevepër nga ana arkitektoni-ke dhe e arteve të aplikuara, tavani, ox-haku etj., por është rrafshuar komplet, kështu nuk zbehet vetëm kujtimi i Luigj Gurakuqit, por dhe vlera që ka pasur kjo shtëpi. Gjithashtu shtëpia e Flamurit në Korçë, nga shtëpi muze është rrafshuar dhe nuk e ekziston më”. E kështu mund të numërohen raste pafund sipas profesorit, prandaj ai bëri thirrje që kjo gjendje ku ndodhet trashëgimia jonë kulturore të ketë një vëzhgim sistematik për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e saj.
Këtë e tregon dhe fakti se në banesat fshatare apo kalatë janë bërë shumë pak ndërhyrje vitet e fundit, megjithëse gjendja e tyre lë për të dëshiruar. “Këto fakte tregojnë ose se neglizhohet, ose se nuk njihen vlerat e tyre. Gjithashtu për këto ndërhyrje nuk mund të kërkohen fonde nëse nuk verifikohen dëmtimet. Si pasojë, deri më tani është bërë një shpërndarje jo e drejtë fondeve të akorduar nga buxheti i shtetit, apo të organizatave ndërkombëtare”. Pra kriteri bazë i restaurimeve është gjendja e monumenteve dhe rëndësia e tyre. Por sa është ndjekur ky kriter? Profesori tregon se para disa vitesh u tenderuan disa projekte të qendrave historike, por në mungesë të bashkëpunimit midis institucioneve, ky program nuk ia arriti qëllimit. Profesori përmend ndërhyrjet që janë bërë në Kalanë e Vjetër në fshatin e Himarës, ku ishte parashikuar ndriçimi, rrethimi, stolat etj, por pas kaq vitesh rezulton se nuk ka asnjë përdorim të kalasë. “Ata që e kanë bërë nuk e dinë përse e bënë. Prandaj duhet një bashkëpunim, duhet të ketë sesione nga institucionet kompetente nëse duhen ose jo këto ndërhyrje. Në treg ka një numër të madh liçensash të lëshuara në një kohë kur në universitete prej disa vjetësh nuk ekziston dega e Restaurimit, nuk ekzistojnë shkolla apo kurse që mund të përfitojnë që mund të japin aftësi për restaurimin”, tha profesori. Kur fondet për mirëmbajtjen e monumenteve janë të pamjaftueshme për restaurimin e tyre, kërkohet kujdes në menaxhimin e tyre.
Monumentet, duhet ndërhyrje tërësore
Projekti REVATO përfshin një sërë veprimtarish të tjera si: identifikimi i pronarëve të banesave “Monument kulture” dhe regjistrimi i tyre në një bazë të dhënash, mbështetja për regjistrimin e pronësive në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, restaurimi i 11 çative në të dyja qytetet historike, përgatitja e 10 modeleve planesh biznesi që demonstrojnë shembuj se si në ndërtimet historike mund të zhvillohen biznese të vogla, kryesisht në shërbim të turizmit familjar, etj. Në konferencë morën pjesë zyrtarë përfaqësues të institucioneve të merren me trashëgiminë kulturore, specialistë, përfaqësues të ambasadave të akredituara në Tiranë dhe donatorëve, si dhe qytetarë të dy qyteteve.
Drejtori i Fondacionit Gjirokastra, Sadi Petrela tha se: “Qëllimi është që të krijohet ndërgjegjësimi në shtresat e ndryshme të shoqërisë dhe administratës shqiptare, si dhe donatorëve që menaxhimi i trashëgimisë kulturore kërkon ndërhyrje tërësore dhe gjithëpërfshirëse me shkallë të lartë profesionalizmi, larg çdo improvizimi amator dhe politizimi, apo instrumentalizomi për qëllime që nuk kanë të bëjnë me përdorimin e TK si aset identiteti kombëtar dhe evropian, por edhe zhvillimi e punësimi duke respektuar mjedisin”. Projekti REVATO u zbatua nga fondacioni Gjirokastra me mbështetjen e BE. Fondacioni Gjirokastra ka 12 vjet veprimtari në Gjirokastër dhe së fundmi në Berat. Me mirënjohjen për mbi 20 donatorëve, fondacioni ka mobilizuar më shumë se 2 milionë euro në mbi 50 projekte për menaxhimin e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e turizmit dhe artizanatit, që kanë kontribuar ndjeshëm për ta mbajtur të ndezur shpresën e shpëtimit të trashëgimisë kulturore në dy qytetet shqiptare të UNESCO-s.