Trashegimia shpirterore e Butrintit nepermjet historive te banoreve

Trashegimia shpirterore e Butrintit nepermjet historive te banoreve

Qendra për Trashëgiminë Kulturore Shqiptare “Trakult” po zhvillon një projekt në Butrint për trashëgiminë shpirtërore me titull “Zërat e Butrintit”. Qëllimi është që nëpërmjet historisë së treguar të nxiten komunitetet që banojnë afër sitit të Butrintit, të kuptojnë më mirë trashëgiminë e tyre kulturore. Në këtë projekt përfshihen fshatrat e Ksamilit, Vrinës, Shën Dëlliut dhe Xarrës. Ilir Parangoni, arkeologu që drejton këtë studim, tregon për “Shekullin” se, projekti ka si metodologji intervistat me banorët lokalë dhe kujtimet që ata kanë në lidhje me Butrintin. “Duke iu përgjigjur pyetjeve të tilla sesi ka evoluar peizazhi përqark Butrintit, si e kujtojnë ata sitin përgjatë viteve dhe çfarë mendojnë se Butrinti ka qenë dhe është për të ardhmen e tyre, synohet të krijohet një arkiv historik gojor me njerëz që shpesh janë lënë jashtë vëmendjes së studiuesve”, shprehet Parangoni. Target grupi gjatë këtyre intervistave janë njerëzit, të cilët kanë punuar në sistemin e drenazhimit bujqësor në fushën e Vrinës, që gjendet përballë Butrintit, moshat e mëdha të cilët ruajnë në memorien e tyre ngjarje që lidhen me periudhën komuniste, ndryshimet e peizazhit dhe jetës gjatë dhe pas rënies së komunizmit, si edhe efektet e menaxhimit disa-vjeçar nga anglezët. Përmes kujtimeve projekti, gjithashtu,  do të synoj që të nxisë qëndrueshmërinë e ardhshme të Butrintit, përmes inkurajimit të pronësisë lokale të sitit.

 

I gjithë materiali i intervistave do të transkriptohet dhe do të përdoret përmes Fondacionit Butrinti për qëllime edukimi në shkollat e kësaj zonë si dhe turistët e ndryshëm. Projekti do të ofrojë për Fondacionin Butrinti një arkiv me histori të treguara, i cili në terma afatgjatë do të mund të përdoret për të siguruar burime për shkollat në rajon, si dhe vizitorët ose turistët në Butrint. Ky është një projekt i cili ndërmerret për herë të parë në Butrint, por edhe në Shqipëri. Qëndrueshmëria e këtij projekti do të jetë shtrirja e tij edhe në site të tjera historike dhe arkeologjike të Shqipërisë duke ofruar një mjet për studimin e mjedisit historik në vend.

 

Ilir, ju jeni drejtues i projektit “Zërat e Butrintit”, çfarë mund të na thoni për këtë projekt?

 

“Zërat e Butrintit” është një projekt i cili po ndërmerret nga Qendra “Trakult” gjatë muajve Mars-Prill dhe financohet nga Fondacioni Butrinti. Në këtë projekt, objekt studimi është zona përreth Butrintit ku përfshihen fshatrat e Ksamilit, Vrinës, Shën Dëlliut dhe Xarrës. Qëllimi i këtij projekti është që përmes historisë së treguar (oral history) të përftohet informacion nga banorët vendas mbi ndryshimet  që kanë ndodhur në Butrint dhe zonën që e rrethon atë. Gërmimet arkeologjike ose burimet dokumentare shpesh nuk mund të thonë gjithçka për të shkuarën e një vendi, në këtë rast për Butrintin. Shumë ngjarje dhe ndryshime që kanë ndodhur në këtë zonë ruhen vetëm në kujtimet e banorëve vendas, të atyre që jetojnë çdo ditë me sitin dhe peizazhin rrethues.

 

Prandaj, dokumentimi i këtij informacioni është një risi në projektet me komunitetet. Çfarë synoni që të arrini nëpërmjet tij?

 

Historia e treguar është dëshmi e dorës së parë për të kaluarën, por ajo është gjithashtu traditë, folklor dhe transmetim ngjarjesh nga brezi në brez. Përmes intervistave, projekti synon të krijoj një arkiv digjitale me kujtimet dhe historitë e banorëve që jetojnë afër   Butrintit. I gjithë ky informacion do të ruhet në arkivin e Fondacionit Butrinti dhe do të përdoret për qëllime edukuese në të ardhmen. Nga ana tjetër, kthimi i vëmendjes së banorëve vendas nga trashëgimia kulturore e zonës përmes kujtimeve do t’i bëj ata më të vetëdijshëm për të. Përmes kësaj qasje, komunitetet do të kuptojnë më mirë trashëgiminë e tyre kulturore, e cila në kthim do të ndikojë që ata ta ruajnë më mirë atë. Ndërsa, për sa i përket pjesës studimore, projekti synon që nëpërmjet kujtimeve të njerëzve të zakonshëm të interpretohen ndryshimet në peizazh dhe në zonën përreth Butrintit, duke futur aspektin social në studimin e historisë së Butrintit përgjatë shekullit XX. Dhe më besoni rezultati është mbresëlënës.   

 

Kujdesi ndaj trashëgimisë

 

Mendoni se nëpërmjet kujtimeve të të moshuarve mund të krijohet një panoramë historike, që mund të ndikojë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në vitet që vijojnë?

 

Ajo çfarë ne po përpiqemi të bëjmë përmes këtij projekti lidhet me të shkuarën e afërt të Butrintit, atë të shekullit XX. Gjatë kësaj kohe, Butrinti përjetoi ngjarje të mëdha si zbulimet e Ugolinit, vizitat e udhëheqjes komuniste vendase dhe të huaj, transformimet e mëdha mjedisore me karakter bujqësor dhe ushtarak apo përfshirja e Parkut të Butrintit në listën e Trashëgimisë Botërore. E gjithë kjo dinamikë ngjarjesh përgjatë shekullit XX ka lënë gjurmë në kujtimet e banorëve që jetojnë çdo ditë pranë Butrintit. Duke përdorur këto kujtime për qëllime edukuese, mund të rrisim qëndrueshmërinë e ruajtjes së Butrintit përmes inkurajimit të identifikimit përmes sitit. Mund t’iu jap një shembull, intervistat do t’u jepen shkollave të zonës në formë të përpunuar. Mund ta imagjinoni kur ata fëmijë të lexojnë mbi tregimet e gjyshit, gjyshes, të moshuarve të zonës apo të afërmeve të tjerë që lidhen me Butrintin. Kjo do të nxisë interesin te fëmijët duke u rritur me një ndjenjë përkujdesje ndaj pasurisë kulturore dhe natyrore të zonës ku ata jetojnë. 

 

 Të intervistuarit ndalen në periudhën komuniste

 

 Cila është metodologjia që keni përdorur në këtë projekt? 

 

Projekti është bërë në konsulencë të ngushtë me Karen Knight, e cila ka një përvojë të gjatë në Mbretërinë e Bashkuar me komunitetet lokale. Fillimisht u identifikuan qendrat e komuniteteve që do ishin objekt i intervistave. Xarra, Vrina, Shën Dëlliu dhe Ksamili u përzgjodhën në këtë projekt, pasi janë dhe më afër Butrintit. Si target group u mendua të ishin personat e moshuar, fermerë, punonjës të parkut, peshkatarë dhe kushdo që ka një kujtim në Butrint. Intervistat u zhvilluan në formë bisedash të hapura për t’i bërë ata të ndiheshin më të lirë. Pas mbarimit të intervistave në terren, i gjithë materiali audio është duke u transkriptuar dhe një përmbledhje e shkurtër e tyre do të përdoret për qëllime edukuese, promocionale dhe studimore. 

 

Deri më tani nga intervistat që keni bërë, në çfarë periudhe ndalin të intervistuarit? A ka ndonjë histori konkrete që mund të na e tregoni?

 

 Historitë janë të shumta, të mbushura me ngjarje dhe kujtime unike për secilin të intervistuar. Pjesa më e madhe e të intervistuarve ndalen në periudhën komuniste, kohë në të cilën e gjithë zona iu nënshtrua një ndryshimi të planifikuar, që ndryshoi rrënjësisht peizazhin e zonës. Një moment tjetër i veçantë është fillimi i viteve ‘90 me ardhjen e Fondacionit Butrint, apo anglezëve siç i quajnë banorët vendas. Shumë banorë kujtojnë sesi gjatë kësaj kohe kanë hapur shtigje të reja për turistë, sesi kanë asistuar specialistët anglez gjatë kërkimeve arkeologjike apo restaurimeve të monumenteve, sesi janë bërë pjesë e shkollës ndërkombëtare të trajnimit të studentëve në arkeologji apo pjesëmarrja në   aktivitetet e hapura me komunitetet të zhvilluara nga parku. Për sa i përket një ngjarje që më ka bërë përshtypje, lidhet me rënien e zjarrit para disa vitesh në kodrat përreth Butrintit. Ideja se zjarri mund të përhapej më tej duke rrezikuar edhe Butrintin bëri që, banorët e fshatrave afër sitit të përfshiheshin në një aksion të gjatë për shuarjen e tij. 

 

Një vend të rëndësishëm në kujtesën e atyre banorëve duhet të zënë edhe bunkerët. Çfarë tregojnë ata për ndryshimet gjatë kësaj periudhe?

 

Aktiviteti ushtarak gjatë periudhës komuniste përreth zonës së Butrintit ka qenë i konsiderueshëm pasi kjo zonë është afër kufirit me Greqinë dhe në terma strategjik mbikëqyr lëvizjen detare në kanalin e Korfuzit. Ndërtimi i bunkerëve dhe bazave ushtarake ka qenë pjesë e një plani për transformimin rrënjësor të mjedisit në gjithë gadishullin e Ksamilit. Ato ecën paralelisht me shpyllëzimin e kësaj zonë përmes punës vullnetare dhe ushtarake. Pa diskutim, i gjithë ky ndryshim rrënjësor që ndodhi gjatë periudhës komuniste është një element thelbësor për të studiuar ndërhyrjen e njeriut në mjedis dhe përbën kujtesën më të fortë të këtij komuniteti. Nga të dhënat paraprake del se ndryshimet më të dukshme që ka pësuar peizazhi kanë qenë gjatë periudhës komuniste. Thjesht për t’iu ilustruar mund t’iu përmend kujtimet e disa banorëve nga Ksamili mbi punën e tyre në hapjen e brezareve në këtë zonë. Pothuajse i gjithë ky gadishull ka qenë një pyll i vërtetë para periudhës komuniste. Madje, banorët tregojnë se zona e Ksamilit ka qenë e mbushur me derra të egër, e cila përdorej shpesh për gjueti. Më vonë, fal punës vullnetare i gjithë peizazhi natyror ka marrë pamjen që është sot.   

 

Veriorët pasuruan vlerat fetare dhe etnike

 

Po shndërrimet që kanë ndodhur nga banorët e Veriut në Butrint, si interpretohen?

 

Gjatë gjysmës së dytë të viteve ‘90 në kodrën e Shën Ilias (Shën Dëlliut) përballë Parkut të Butrintit u vendosën banorë të ardhur kryesisht nga zona e Mirditës dhe Dibrës. Në kujtimet e tyre ata përmendin mënyrën e vështirë të viteve të para të ardhjes dhe si ata u integruan më vonë në jetën e zonës. Ardhja e banorëve nga Veriu e pasuroi edhe më tej vlerën e bashkëjetesës fetare dhe etnike të zonës. 

 

A është Butrinti ende një burim drite, por edhe një stacion për zhvillimin e rrugës së turizmit?

 

Parku Kombëtar i Butrintit është destinacioni më i vizituar sot në Shqipëri me një numër mbi 70.000 vizitorësh në vit. Megjithatë, çdo gjë do të varet nga institucionet shqiptare. Më i rëndësishmi në këtë drejtim do të ishte qasja me komunitetin lokal duke lidhur kështu një pjesë të munguar në kolonën vertebrale të menaxhimit të Trashëgiminë Kulturore nga autoritetet përkatëse. 

 

Sipas mendimit tuaj a menaxhohen këto pasuri mjaftueshëm?

 

Menaxhimi i Butrintit është një histori sfidash dhe përjetimesh. Megjithatë, ka ende shumë për t’u bërë. Një problem kyç që institucionet e trashëgimisë kulturore në vendin tonë vazhdojnë të kenë është autonomia financiare. Shumë projekte dhe fonde sot humbasin për shkak të burokracisë së madhe shtetërore. Të ardhurat që nxirren nga muzetë apo parqet arkeologjike nuk shkojnë të gjitha për nevojat e tyre. Centralizimi financiar është një qasje e vjetër në kohë që nuk i përshtatet dinamikës së zhvillimit të sotëm. 

 

Por, ky është një problem që e kanë të gjitha institucionet e trashëgimisë në Ballkan. Sidoqoftë, pasuritë kulturore dhe mjedisi përreth mund shfrytëzoheshin më mirë nëse do të integroheshin brenda një plani strategjik të institucioneve vendore. Nëse kërkimet arkeologjike, restaurimet, komuniteti, programet edukuese, burimet turistike dhe intelektuale do të menaxhohen në mënyrë të integruar dhe vizionare nga ana e drejtuesve vendorë, duke i kthyer institucionet e trashëgimisë në institucione karriere, besoj se mund të kishim modele suksesesh. Jam i bindur për këtë.    


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama