Amerikani Sam Snead ishte një legjendë golfi që adhurohej nga të gjithë për mënyrën e tij perfekte në të gjuajtur. "Njerëzit thoshin gjithmonë se kisha një talent të lindur. Nuk mendonin se punoja shumë", tregonte Snead në një revistë sportive. "Por kur isha i ri, luaja dhe stërvitesha gjithë ditën. Pastaj vazhdoja edhe natën në dritën e makinës sime. Duart e mia ishin gjithmonë të gjakosura. Askush nuk shtrohej në golf më shumë se unë". Nga tregimi i Sneadit del një element që qëndron shpesh pas shumë historish suksesi: një punë e madhe për vite me radhë, për të perfeksionuar talentin tënd. Por shpesh suksesi nuk është vetëm meritë individuale dhe fryt i ambicieve të mëdha.
Tre "çelësat" e suksesit Kanë shumë rëndësi edhe mundësitë që na ofrohen nga familja dhe jo vetëm. "Përbërësit e suksesit janë angazhimi dhe paraqitja psiko-fizike, përkatësia sociale dhe fati", tregon një docent psikologjie. Kombinimi i veçantë i këtyre elementeve - kapacitet, avantazhe, mundësi, që konturojnë rezultatet dhe fatin e secilit prej nesh në jetë. Studimet shkencore na tregojnë se çfarë roli luajnë dhe si ndërveprojnë me njëri-tjetrin.
1. Angazhimi
Si mund të kenë arritur te suksesi një talent në tenis apo një pianist? Shpesh njerëzit mendojnë se mbi të gjitha ai që ka luajtur një rol të rëndësishëm ka qenë "talenti natyral", falë të cilit që të vegjël ata arrinin të bënin ushtrime dhe të kishin performanca ndryshe nga të tjerët. Disa studime e kanë mbështetur rolin e talentit natyral, i kuptuar si një predispozitë e lindur që mund të çojë drejt suksesit dhe të shpjegojë aftësitë ndryshe nga të tjerët. Por studime të tjera, kanë treguar se talenti mund të zhvillohet. Edhe pse ashtu siç thonë psikologët, secili prej nesh ka një aftësi intelektuale dhe fizike. Për shembull, struktura e trupit mund të luajë një rol të madh në suksesin sportiv. Karl Andres Ericsson, profesor psikologjie në "Florida State university", analizon prej vitesh "ekspertët", ata që kanë performancë superiore në fusha të ndryshme, nga arti te sporti. Për të nuk ka asnjë dyshim: mjeshtër nuk lind po bëhesh.
Mjeshtër bëhesh
"Nuk kemi treguar se faktorët e lindur janë të nevojshëm për suksesin, me përjashtim të gjatësisë dhe masës trupore: është e qartë se gjatësia e një personi luan një rol të rëndësishëm në sporte të tilla si basketbolli dhe nuk mund të modifikohet përmes stërvitjes. Por në kërkimet e bëra nuk kemi gjetur prova të një talenti të "lindur" tek ata që kanë performanca të jashtëzakonshme. Mes muzikantëve, për shembull, veshi absolut për muzikë, aftësi për të dalluar notat duke i dëgjuar është një mundësi që të gjithë fëmijët mund ta fitojnë nga tre deri në 5 vjeç duke u shtruar vazhdimisht", tregon Ericsson. "Çdokush ka në dorë ta përmirësojë performancën e tij me praktikë. Nuk mund të thuhet kurrë ti nuk ke talent në një fushë të caktuar. Gjithçka është çështje kohe, motivimi dhe mundësie për të ndjekur objektivat e tu", pranon Ericsson. ]
Metodikë dhe të palodhshëm
Për të pasur sukses, një gjë është vërtet thelbësore: angazhimi. Aplikacion, autodisiplinë dhe shumë, shumë lodhje. Mbi të gjitha nëse synon të arrish sa më lart. Shkencëtarët kanë llogaritur se sa punë duhet për t‘u bërë një "gjeni" në disiplinën e tyre. Rezultati? 10000 orë. "Është rregulli i 10 mijë orëve. Nuk mund të kesh performancë të shkëlqyer nëse nuk je angazhuar dhe nuk ke punuar të paktën 10000 orë në mënyrë intensive", vazhdon më tej Ericsson.
Kërkimet kanë treguar se duhen të paktën 10 vjet përgatitje për të arritur në nivele të larta në disiplina të ndryshme, si për shembull në kompeticionet ndërkombëtare në sport. Por ajo që ka rëndësi nuk është vetën sasia, por edhe cilësia e ushtrimit. Sipas Ericsson, duhet "praktika ndërkombëtare": një ushtrim metodik i përqendruar në objektiva të qartë, duke u sforcuar për të arritur gjithmonë mbi nivelin që ke. Pra nuk mjafton të përsërisësh automatikisht fushën ku e ndien veten të zotin, por duhet të bësh atë që ende nuk ke arritur ta bësh, duke përmirësuar veprimet dhe korrigjuar gabimet. Gjithmonë është i nevojshëm një mjeshtër që të udhëheqë stërvitjen dhe progresin.
2. Familja
Majat e suksesit nuk mund të arrihen me forcat e tua. "Familja dhe përkatësia sociale kushtëzojnë potencialin dhe ofrojnë mundësi të ndryshme", pranojnë psikologët. Familja luan një rol të rëndësishëm. Mbështetja materiale është e rëndësishme për të studiuar apo zhvilluar aftësitë e tyre përmes kurseve dhe mësimeve të ndryshme. "Pa marrë në konsideratë që njohjet apo rrjetet sociale të familjes mund të ndihmojnë shumë pas studimeve", thotë sociologu. "Familja mund të transmetojë motivacione, si diplomimi, ose pasione kulturore. Dhe jo vetëm kaq. Po ashtu të tjera zakone që mund të luajnë një rol të rëndësishëm e që transmetohen direkt nga familja janë: mënyra e sjelljes, veshjes dhe prezantimit.
Të gjitha këto elemente të ndërthurura me njëra-tjetrën luajnë një rol kyç për një karrierë të suksesshme". Annette Lareau, docente e shkencave sociale në Universitetin e Pensilvanisë në SHBA, ka analizuar këta mekanizma duke ndjekur në jetën e përditshme dy grupe fëmijësh 10-vjeçarë, që u përkisnin familjeve me të ardhura të mira ose familjeve të varfra. Ajo dalloi dy modele edukimi që ripasqyronin diferencat e klasës shoqërore që i përkisnin.
U pa se në familjet me të ardhura më të mëdha "prindërit kërkonin ta promovonin talentin e fëmijëve përmes aktiviteteve të ndryshme, i përballin me eksperienca të ndryshme, arsyetojnë dhe marrin në konsideratë mendimet e tyre", tregon Lareau. Në familjet më të varfra prindërit ndiqnin "realizimin e rritjes natyrale: ua plotësojnë nevojat, por nuk përqendrohen në zhvillimin e talenteve të veçanta. Prindërit nga familjet e pasura i stimulonin fëmijët të ishin të ndërgjegjshëm për të drejtat e tyre dhe i përgatisnin për të biseduar edhe me të rriturit, pavarësisht pozicionit të tyre. "Fëmijët e shtresës së mesme zhvillonin kështu bindjen se opinionet e tyre kishin vlerë, ndaj kjo mund t‘i bënte ata të ndiheshin të autorizuar për t‘u ankuar për notat dhe për të diktuar me profesorët. Kjo aftësi për të diskutuar mbi gjithçka, mund të jetë e mrekullueshme", përfundon Lareau.
3.Fati
Në fund në lojë hyn edhe fati: të jesh në vendin e duhur në momentin e duhur, apo të kesh mundësi të jashtëzakonshme dhe të jesh në gjendje t‘i shfrytëzosh. Mundësi të veçanta mund të favorizojnë rritjen profesionale të atyre që janë gati t‘i shfrytëzojnë.