1. Qendra tregtare
Pista e parë hetimore ka qenë përfshirja e z. Santo në një biznes hotelerie-turizmi në Kosovë, ku ka pasur disa mosmarrëveshje
2. Transfertat e dyshimta
Prokuroria ka marrë në dorë disa lëvizje të mëdha parash brenda dhe jashtë vendit ndaj personave që dyshohen për afera kriminale
3. Transaksionet dhe aksionet
Pista e tretë është ajo e disa blerjeve të dyshimta të aksioneve të bankës, por edhe të ndërhyrjes së “Credins” për ARMO
Ngritja e një kompleksi turistik në Kosovë, paratë e kokainës kolumbiane dhe transfertat bankare të “Credins” me disa biznese azerbajxhanase, janë tri pistat hetimore të Prokurorisë së Tiranës, të cilat kanë dalë në dritë pas ekzekutimit mafioz të bankierit. Një grup prej katër prokurorësh po verifikon çdo fakt dhe provë të sjellë nga policia, SHISH, por edhe nga bashkëpunëtorë të ngushtë të 58-vjeçarit, të cilët kanë treguar planet e biznesit të bankierit, afatshkurta dhe afatgjata. Në fokus të hetimeve është vendimmarrja e Santos në transaksionet bankare, javët, muajt apo vitet e fundit, ku në prokurori kanë mbërritur edhe shtatë volume nga banka.
Transaksionet
Futja në grupin hetimor e një prokurori të Task-Forcës duket se do të ndryshojë edhe rrjedhën e hetimeve. Prokurori Ndini Tavani ka kryer edhe më parë verifikime në bankën “Credins”, pikërisht transfertat miliona euroshe të biznesmenit Rezart Taçi dhe familjes së tij, që i kalonin njëri-tjetrit shuma të mëdha. Ende kjo çështje është në hetim nga njësia antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Sipas kallëzimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ndaj biznesmenit thuhet tekstualisht se “më datë 06.08.2013 është kryer transferta e parë prej 35 milionë eurosh në favor të Rezart Taçit në llogarinë e tij personale në bankën ‘Credins’. Në datat 6 dhe 07.08.2013 shtetasi Rezart Taçi ka transferuar në emër të të afërmve të tij shumën 12 milionë euro, në total”.
Ndërkohë, prokuroria ka faktuar edhe se biznesmeni Taçi ka qenë aksioner i bankës “Credins”. Ai ka blerë një paketë aksionesh në vitin 2011, për miliona USD, ku në fakt firmëtar ka qenë pikërisht Santo. Ndërkohë, sipas disa dokumenteve që disponon edhe Shqip disa ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013 Taçi i ka shitur aksionet, sërish për miliona euro. Në fakt, krahas shitjes së aksioneve të bankës, ai ka kryer edhe shitjen e një sërë aksionesh të tjera në shoqëritë e tjera, për të cilat Policia e Shtetit ka bërë edhe një kallëzim penal. Shitja e aksioneve është bërë në muajin korrik të vitit 2013, ndërsa prokuroria thotë se po heton të gjitha lëvizjet e kuotave në bankën “Credins”, ku dhe Artan Santo ka qenë drejtor i përgjithshëm.
Episodi i tretë i hetuesve ka qenë çështja me kompaninë ARMO. Për këtë kompani mësohet se ka ardhur një shumë prej 45 milionë eurosh në bankën “Credins”. Në “lojë” kanë qenë edhe disa shtetas nga Azerbajxhani, të cilët kanë ardhur edhe disa herë në Shqipëri, ndërsa dyshohet se mund edhe të kishin kryer ndonjë vepër penale, por që drejtësia ende nuk e ka dokumentuar, në mungesë të një kallëzimi penal.
Investimi në Kosovë
“Po hetojmë përfshirjen e zotit Santo në disa shoqëri bankare, sigurimesh, hotelerisë dhe mediash. Disa prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij janë marrë në pyetje, megjithëse ende nuk kemi zbardhur ndonjë konflikt të madh”, pohojnë burimet nga akuza, të cilat saktësojnë se këto verifikime kanë krijuar bindjen se zoti Santo ka qenë një ndërmjetës i shkëlqyer, ku arrinte të sheshonte probleme. Akuza thotë se hetimet po fokusohen tek eliminimi i tij i mundshëm për të fshehur ndonjë pastrim parash apo për përvetësimin e kompanive të tij, ndërsa në fokus ka qenë edhe investimi i tij për ngritjen e një kompleksi turistik në Prishtinë. Në fakt, për ngritjen e këtij kompleksi kanë qenë disa aksionerë, ku xhelozitë me njëri-tjetrin kanë krijuar probleme, aq sa z.Santo është tërhequr nga ky investim.
Paratë e drogës
Prokuroria e Tiranës thotë se ka marrë në shqyrtim edhe disa materiale hetimore që vijnë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, që kanë të bëjnë pikërisht me çështjen e kokainës së Malit të Zi, ku një shtetas kolumbian është arrestuar në Tiranë, me akuzën e bashkëpunimit për trafikun e rreth 250 kilogramë drogë, që u kap në Tivar. Dy ditë më parë, prokuroria tha se kemi marrë materialet dhe po i shqyrtojmë me imtësi. “Shtetasi kolumbian, në rrëfimin e tij për prokurorët, nuk ka përmendur emra bankash dhe për këtë arsye hetimet janë vështirësuar. Do të kërkojmë që ky shtetas të rimerret në pyetje, pasi ka deklaruar më parë se do të kalonte në Spanjë një shumë të madhe parash, nga një bankë e nivelit të dytë. Madje ka shpjeguar se një bashkëpunëtor i tij njihte një drejtues banke që mund të kryente këtë transaksion. Por sërish asnjë emër personi apo banke”, pohojnë burimet nga akuza e kryeqytetit.