Tre variantet e flamurit qe u ngrit me 28 nentor 1912

Tre variantet e flamurit qe u ngrit me 28 nentor 1912
Historia e flamurit shqiptar tretet në mjegullën e kohës. Në veprën e tij “Jetët paralele” Plutarku thotë se Pirroja, mbreti i Epirit, pas betejës së Herakles, kur dëgjoi luftëtarët e tij që po këndonin një këngë që e quanin shqiponjë, ai u thotë atyre: “Në qofsha unë shqiponjë, ju jeni krahët fitimtarë që më sollët deri këtu.”. Në monnedhat e qytetit iliro-epirot të Orikumit, duket një shqiponjë që mban në kthetra rrufetë e Zeusit.

Po kështu, kalorësit e Skënderbeut, gjatë fushatës së tij në Pulia, na ndihmë të mbretit të Napolit, mbanin flamuj të vegjël të kuq me një shqiponjë të zezë dykrerëshë në mes. Shqiponja dykrerëshe është simbol i pushtetit perandorak bizantin, gjerman, rus. Sundimtarët e mëdhenj e të vegjël, që u shkëputën nga perandoria bizantine, vazhduan të mbajnë këtë simbol pushteti. Kështu, mbase ka bërë edhe Skënderbeu. Sidoqoftë në gojëdhënat e arbëreshëve ky kumt ruhet ende i gjallë.

Mbi varrin e nipit të Skënderbeut në kishën e shën Marisë së ëngjëjve, në Napoli, është vënë stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të bardhë e vezëllitës pesëcepësh mbi të dy krerët e saj. Midis viteve 1880 – 1895, Zef Skiroi e më pas Anselmo Sorekio, në të përmuajshmen e tyre arbëreshe, e botuan , pothuajse në çdo numër, këtë emblemë si flamur të Shqipërisë. Pa 1900-ës atë e vë edhe Faik Konica në të përmuajshmen e tij “Albania” në Bruksel. Në shtator të vitit 1909, së bashku me djelmurinë e qytetit, unë organizova në shtëpinë timë shfaqjen e dramës “Pirrua” të Mihal Gramenos.

Aty, ku kryepriftëresha e Orikumit i zgjat Pirros, që po nisej për në Itali, një flamur, dhe me një ton patetik e duke shkërbyer legjendën e Kostandinit i thotë: “Me këtë shenjë ti do të fitosh”, në prani të prefektit, oficerëve turq si edhe të gjithë trupit konsullor me shaka, por edhe me një farë kapadaillëku, unë ngrita për herë të parë në skenë flamurin shqiptar. Asnjë nga zyrtarët e pranishëm turq nuk u ndi0e, ndërkohë që salla shpërtheu në duartrokitje. Euforia atdhetare krijoi një gjendje të nderur. Natyrisht që u raportua menjëherë në Stamboll, por qortimi i vetëm që dëgjova unë pastaj, më erdhi nga xhaxhai, Ferit pasha, asokohe ministër i Brendshëm. Ai e quajti të “pahijshme” këtë sfidë në shtëpinë time e para të ftuarve të mi. Ka pasur edhe raste të tjera kur flamuri shqiptar ka luajtur role, madje shumë më luftarake.

Në kohën e kryengritjes së malësorëve katolikë, në vitin 1911, në Cetinj mbërritën vullnetarë arbëreshë për t’u bashkuar me kryengritësit, e që për herë të parë mbanin një flamur kombëtar. Njëri nga krerët e këtyre vullnetarëve quhej Terenc Toçi. Në krye të një grupi vullnetarësh e malësorësh, ai çau deri në Mirditë, ku edhe shpalli një republikë shqiptare, doemos jetëshkurtër, që me ngritjen e flamurit shqiptar për disa ditë rresht ngriti fuqishëm moralin e popullit. Madhështore në këtë aksion, të thuash operete, ishte besnikëria ndaj etnitetit shqiptar që arbëreshët dëshmuan me qëndrimin e tyre: “Ata luftuan me trimëri të rrallë e pa asnjë mëdyshje, thuajse me gëzim, rrezikuan jetën e tyre, duke u dhënë kështu zemër edhe vëllezërve në atdheun e lashtë e të braktisur para aq kohësh. Më vonë Terenc Toçi, ky atdhetar i zjarrtë pati poste të larta zyrtare në Shqipëri, deri sa, pas një procesi, ku u akuzua për mungesë patriotizmi, pushkatohet nga komunistët në vitin 1945.

Tre versione për flamurin

Jemi mësuar të themi se flamurin e ka qëndisur Marigoja, e cila u largua nga vendlindja e saj Oçishti i Korçës dhe u vendos në Vlorë. Shkak i braktisjes së vendlindjes ishte persekutimi që po i bëhej atdhetarëve nga reaksioni grek. Në vitin 1904 bashkë me të shoqin u vendos në një shtëpi të lagjes Muradie, në rrugën që mban emrin e gazetarit francez Justin Goda. Shpejt ajo u fut në vatrat vlonjate me idetë e saj përparimtare, por edhe me qëndismat që bënte.

Gazeta “Arbëria” që dilte në Gjirokastër, në kohën e saj shkruan se “Flamurin kombëtar që u ngrit për herë të parë në Vlorë nga Ismail Qemali është qëndisur nga Marigo Posio mbi copën e blerë te tregtari Diamant. Qëndisja është bërë sipas modelit të shqipes që kishin vizatuar patriotët don Mark Vasa dhe Petro fotografi. Këtë e dinin dhe shumë patriotë të tjerë. Me të hollat e saj punoi dhe 500 flamuj për zyrat e ndryshme të shtetit të parë shqiptar”.

Marigoja për këtë gjest është dekoruar në vitin 1960 “Urdhri i Lirisë së Klasit të Dytë”, me motivacion “ka punuar pa u lodhur në përhapjen e gjuhës shqipe, çlirimin dhe emancipimin e gruas shqiptare duke përjetësuar kështu traditat e lavdishme të grave shqiptare”. Më pas ka marrë emrin e saj një shkollë tetëvjeçare.

“Flamurin që ngriti Ismail Qemali në Vlorë e kam sjellë unë nga Bukureshti, duke e mbajtur në gji”, ka thënë në kujtimet e tij, Spiridon Ilo, njeri prej firmëtarëve të aktit të pavarësisë. Për shumë vite me radhë, versioni zyrtar ishte: “Flamuri që Ismail Qemali ngriti në ballkonin e shtëpisë së tij, u qëndis nga korçarja Marigo Posio, që jetonte në atë kohë në Vlorë. Marigoja e qëndisi falmurin brenda natës”. Ky është pak a shumë shpjegimi zyrtar, që jepet ndër të tjera edhe në tekstin e Historisë së Shqipërisë. Por, versioni i shndërruar në legjendë, nuk i kënaq të gjitha interpretimet.

Versioni më i mundshëm dhe më i vërtetuari kohët e fundit është ai që del nga gjithë kujtimet e pjesëmarrësve në shpalljen e Pavarësisë. Flamuri, që Ismail Qemali ka ngritur në Vlorë dhe që simbolikisht shënon pavarësinë, është po ai që zbukuronte podiumin e hotel “Kontinentalit” në Bukuresht, mbrëmjen e 5 nëntorit 1912. Takimi i Ismail Qemalit me patriotët Shqiptarë të Bukureshtit, u bë vendimtar për shpalljen e pavarësisë, që u bë realitet 23 ditë me vonë në Vlorë. Të gjitha burimet shënojnë se flamuri u mor nga Spiridon Ilo dhe gjatë gjithë udhëtimit, ai e ka mbajtur me vete. Por, Spiridon Ilo ishte djali i tezes i Marigo Pozios. Mbrëmjen e 27 nëntorit, ai ka bujtur në shtëpinë e saj në Vlorë dhe sipas dëshmive, Pozio ka qëndisur brenda natës thekët e flamurit dhe zbukurimet e shqiponjës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama