Trebeshina dhe Jero ne Europen e Teatrit

Trebeshina dhe Jero ne Europen e Teatrit
Teatri shqiptar merr pjesë në Festivalin Europian të Përkthimit Teatral, “L’Europe des Théâtres”, që po mbahet në Paris, 8-29 qershor 2012. Një nismë e EURODRAM-ës, rrjeti europian për përkthimin e dramës në bashkëpunim me Shtëpinë e Europës dhe Orientit.

Në një intervistë para disa kohëve, drejtori i ShEO, Dominique Dolmieu, specialist i dramaturgjisë bashkëkohore në Europën Lindore, e kishte uruar pjesëmarrjen e dramës shqipe në këtë festival. Sot, prej orës 12 deri më 22.00, shfaqen regjistrimet e spektakleve që Teatri Kombëtar i Silvadisë, ka realizuar prej vitit 1992 deri më 2012, nën kujdesin e Dolmieu-ës.

Shfaqja e parë është “L’Histoire de ceux qui ne sont plus” nga Kasëm Trebeshina (55 minuta), e realizuar nga regjisori Pierre Debauche në Paris më 1992. Komedia tragjike “Historia e atyre që s’janë” është e para pjesë shqiptare për teatër e vënë në skenë në Francë, me interpretimin e: Cyril Bellenger-Josselin, Richard Grolleau, Alexandre Pavloff, Chloé Rejon, Sylvie Vidach, Maya Vignando.

Kjo vepër e Trebeshinës e shkruar në vitin 1961, njeh vetëm një botim në shqip në Kosovë nga “Buzuku” më 1992 dhe pak kësaj është vënë në skenë nga Teatri Kombëtar i Kosovës.

Te kjo komedi tragjike gjen shkatërrimin e njëpasnjëshëm të anëtarëve të një familjeje nën një presion psikologjik përndjekjeje. Dialogë si ky që po botojmë, midis Jemimës dhe Abelmaimit, janë të natyrshëm për gjithë zhvillimin dramatik të botës së individit.

Nisur nga këndvështrimi i një teksti që është testuar në skenë, dramaturgu nga Kosova Fadil Hysaj shënon: “Duke kaluar nëpër ferrin ekzistencial homo dramatikusi i Kasem Trebeshinës përjeton rënie në nivelet më të ulëta të nënshtrimit e prostituimit fizik e shpirtëror, por edhe ngritje ne nivelet më sublime të heroit me guxim mbinjerëzor kur mund frikën nga vdekja, që ishte instrument efikas i terrorit në kohën e diktaturës.” Ai mendon me “Historia e atyre që s’janë” shënohet një pikë kthesë në historinë modeste të dramës sonë kombëtare që “do të imponojë kritere të reja vlerësimi, edhe pse me vonesë të madhe, të asaj që është shkruar për të”.

Është homazhi i dytë që Shtëpia e Europës dhe Orientit i bën veprës dramaturgjike të Trebeshinës. Vitin e kaluar, drama e tij “La Forêt” u paraqit në “L’Europe des Théȃtres”, në kuadrin e ditëve të Festivalit Europian të Përkthimit Teatral. Anne-Marie Autissier ka bërë përkthimin nga origjinalit “Pylli – Evandri dhe Nausika” i vitit 1976. Edhe kjo u botua në Kosovë nga “Faik Konica”, si pjesë e Antologjisë personale me një cikël dramash që Trebeshina ka shkruar në vitet 1937-2006.

Me botimin e “La Forêt” nga enti botues “L’Espace d’un instant” Trebeshina prezantohet si “një ikonë e teatrit dhe disidencës në vendin e tij”.

Pas shfaqjes së spektaklit të Trebeshinës, shfaqet një vepër që ka marrë përmasën e legjendës në historinë shqiptare të teatrit: “Les Taches sombres” e Minush Jero (100 minuta), një përshtatje e Dominique Dolmieu-ës, e vitit 1998.

Siç dihet, “Njollat e murrme” u shfaq për herë të parë në teatrin e Korçës në vitin 1968 me regji të Mihal Luarasit dhe u rivu në Tiranë, me aktorët Vangjush Furxhi, Edi Luarasi dhe Minella Borova. U dënua si “vepër revizioniste” ndërsa autori dhe regjisori u dënuan me burg. Te kjo dramë, sot në distancë kohore, evidentohen ndër të tjera si elementë anti-skemë psikologjia e personazheve, që nuk kanë gjë të përbashkët me heronjtë pozitivë.

Me botim“Njollat e murrme” përkthyer nga Christiane Montécot, përurohej në vitin 2002 kolona e botimeve “L’Espace d’un instant”. Në dhjetë vjet ky ent i Shtëpisë së Europës dhe Orientit ka botuar 200 pjesë nga 150 autorë.

Një tjetër vepër shqiptare që zë vend në projeksionet e sotme, është “Oasis” nga Eqrem Basha (7 minuta), i vitit 1999.

Ditët e Festivalit Europian të Përkthimit Teatral prezantojnë vepra dhe autorë nga rajoni ballkanik, projekte teatrale të shkollave të artit dramatik bazuar në tekste të autorëve nga Lindja.

Do të ketë edhe lexim të pjesëve të seleksionuara nga rrjeti Eurodram për vitin 2012. Drama shqipe është bërë pjesë e këtij rrejti me autorë klasikë e bashkëkohorët, qoftë nga Shqipëria qoftë nga Kosova, duke funksionuar brenda një zinxhiri që ndihmon në promovimin e autorëve nga “vende dhe gjuhë të vogla” dhe krijojnë mundësi që veprat e tyre të kenë kontakt me skenat perëndimore.

Një fragment nga “”Historia e atyre që s’janë”

Jemima – Ç’të bëjmë atëherë?

Abelmaimi – Fati ynë është caktuar që me stërgjyshërit tanë, që përpara se të lindnim ne. Ajo që është paracaktuar nga fati, do të bëhet.

Jemima – Ti po më flet disa gjëra të pakuptuara!

Abelmaimi – I mbushe të shtatëmbëdhjetat?

Jemima – Shkurtin që shkoi!

Abelmaimi – Shtatëmbëdhjetë vjet janë shumë për kohën tonë. Në këto kohëra  pleqëria fillon shumë shpejt dhe njeriu duhet të mendojë për të gjitha.

Jemima – Unë nuk dua që të mendoj!

Abelmaimi – Nuk ka si bëhet ndryshe!

Jemima – Ti po më tmerron!

Abelmaimi – Këtu nuk ka ndonjë gjë për t’u tmerruar. Njerëzit vijnë të lozin një rol me pak fjalë, një rol të vogël… Se nuk ka role të mëdha! Edhe kur duken si role të mëdha, nuk janë të tilla. Vijnë që të ikin përgjithnjë tek vendi prej nga kanë ardhur dhe kjo është e tmerrshme, se nuk dihet dhe nuk duhet të ishte e tmerrshme për vetë faktin që nuk dihet… Duket, tmerri vjen ngaqë është një gjë, që nuk ka asnjë përcaktim. Ndofta më mirë që puna jonë po shkon kështu! Përndryshe ne do të martoheshim si gjithë bota, duke i shkuar si rruaza ditët bashkëshortore, duke folur një gjë dhe duke menduar një gjë tjetër, duke shijuar puthjet me aroma gjellësh… Duke bërë fëmijë…

Jemima – Ashtu, ashtu e doja jetën time! Gjithë të tjerat as që më duhen. Kush rri dhe i mendon të gjitha? Kryesorja nuk vjen nga mendimi, se mendimi është vetëm një ngushëllim për ngatërresat që ne ngatërrojmë me qëllim! Vetëm të ishim të dy… Ashtu… Dhe të bënim fëmijë…

Abelmaimi – Duket, që kur u ndanë qeniet, hyri në mes mendimi dhe nuk i lë të bashkohen kurrë më. Aty ku është forca, dobësia bëhet më e fortë.

Jemima – Jo, jo! Unë e ndjej veten të dobët, të braktisur! Ti nuk dot më lësh, ti do të martohesh me mua dhe do të më mbrosh! Përndryshe… ku mund të vete unë? Ku të mbytem? Ti nuk do të më lësh!

Abelmaimi – Nuk do të të lë. Dhe mos i mendo të gjitha sa ke në mendjen tënde!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama