Testi i parë në këtë fazë përgatitore kundër Lipshtadit ishte special për Bajernin. Arsyeja? Ishte i pari për Ançelotin me klubin e tij të ri dhe një rikthim për Karl-Hainc Rumenigen në vendlindje. Shefi i Bajernit lindi më 25 shtator 1955 pikërisht në qytezën lindore të Vestfalisë. Në një intervistë të gjatë për "Tz", Rumenige i rikthehet të shkuarës së tij dhe përfundon me temat e aktualitetit, Sançes, Hënes, Myler dhe Gëce.
Të shtunën u rikthyet në shtëpinë tuaj. Përveç kësaj ndeshjeje, çfarë e sjell tjetër Rumenigen në Lipshtad?
Fatkeqësisht, nuk e vizitoj shumë shpesh Lipshtadin. Së pari kam shumë punë te Bajerni dhe së dyti nuk më ka mbetur më askush nga familja. Fatkeqësisht, prindërit e mi nuk jetojnë më, ndërsa vëllezërit e mi jetojnë në Dortmund dhe Bremen. Jam shumë kurioz për të parë se çfarë ka ndryshuar nga vizita ime e fundit.
Çfarë ndieni tani që riktheheni?
Nostalgji, sepse kam lindur dhe kam kaluar këtu 18 vitet e para të jetës. Kam pasur një fëmijëri të bukur edhe sa i përket karrierës sportive te Borusia Lipshtad.
Çfarë do të thotë për ju vendlindja juaj? I keni sjellë me vete fëmijët për të mësuar ku shtrihen rrënjët e tyre?
Ata kanë ardhur më parë këtu, kështu që e njohin Lipshtadin. Por Karlo Ançelotit më është dashur t'ia shpjegoj ku shtrihet Lipshtadi.
Në Lipshtad besojmë se keni pasur të dashurën tuaj të parë nga mosha 16 apo 17 vjeç?
E dashura ime e parë është gruaja ime aktuale. Ajo ishte 15 vjeçe kur u takuam për herë të parë. Dhe gjërat i bëmë menjëherë zyrtare. Unë u prezantova me prindërit e saj dhe ata e miratuan lidhjen tonë.
Ju e keni trashëguar dashurinë tuaj për sportin nga babai juaj, i cili ka luajtur për Lipshtadin dhe Soester Tv. Çfarë roli ka luajtur ai që ju të bëheshit futbollist?
Im atë ishte tipi i Berti Fogstit në mbrojtje. Por ai kishte mbështetjen tonë dhe vëllezërve dhe të tre shkonim për ta mbështetur në çdo ndeshje. Kur ne përtonim, ai na merrte të treve me biçikletë aq sa përplaseshim te pemët. Nuk kishim makinë. Ai i bënte të gjitha në atë klub. Pasi doli në pension u mor me fushën që ajo të ishte në gjendje të mirë. Borusia Lipshtad ishte jeta e tij.
Çfarë ju këshilloi ai kur ju erdhi oferta e Bajernit?
Unë kisha 16-17 oferta nga e gjithë Bundesliga. Së bashku me babanë, vizitën e fundit e kishim bërë në Mynih te menaxheri i atëhershëm, Robert Shvan. Në zyrën e tij unë isha shumë nervoz dhe plot tension. Shvan na la 10 minuta vetëm me njëri-tjetrin: duhet të merrnim një vendim. Në atë kohë, Hamburgu ishte në formë shumë të mirë dhe kishte edhe paratë. Por babai nuk u mendua dy herë dhe më tha: "Kur njeriu merr një ofertë nga Bajerni i Mynihut, shkon te Bajerni i Mynihut!".
Kjo konsideratë ishte për Bajernin edhe atëherë?
Po, dhe këtë unë ia them sot çdo lojtari të ri që vjen te Bajerni dhe xhepat e pantallonave i ka plot. Unë u tregoj historinë time dhe i them: "Kur ia dola unë, do ia dalësh edhe ti".
Nëse nuk do të ishit bërë futbollist, do të ishit ende në Lipshtad sot?
Nuk e di. Dikur kam marrë leksion finance në "Volksbank" dhe ndoshta do të isha bërë bankier. Por mund të jetoja në Lipshtad, Frankfurt apo Londër. Nga njëra anë e ndiej shumë vendin tim, nga ana tjetër kam pasur edhe një dobësi për të vizituar vendet e tjera, kam pasur gjithnjë një ndjenjë globalizimi.
Ju nuk e flisni dialektin bavarez, por flisni një italishte të rrjedhshme. A do të thotë kjo se do të krijoni një lidhje të ngushtë me Ançelotin?
Sigurisht që e kemi më të lehtë për të komunikuar, por Karlo dëshiron të mësojë shpejt gjermanisht. Dhe ai po punon fort, është shumë i përkushtuar dhe i motivuar.
Përflitet se është shumë tip familjar. Është e vërtetë?
Është jashtëzakonisht shumë. Ai i shkon shumë mirë për shtat familjes së Bajernit. Ju vetë keni ardhur te Bajerni 18 vjeç, po aq sa Renato Sançes nga kampionët e Europës.
U surprizuat edhe ju që do të vijë në Mynih si kampion Europe?
Po dhe jo. Kur një 18-vjeçar luan si ai në Europian, është diçka speciale. Kur unë isha 18 vjeç isha shumë larg paraqitjeve të tilla. Por djaloshi duket se ka një talent të jashtëzakonshëm. Ne jemi me fat që vendosëm më herët për ta transferuar, që pas çerekfinales ndaj Benfikës në Champions. Dhe ne jemi të lumtur që patëm guximin që të bënim një ofertë 35 milionë euro që në prill, që duhet thënë janë shumë para. Pas Europianit, do të ishte bërë me siguri më i shtrenjtë. Do ishte bërë i papërballueshëm për Bajernin, sepse do të flitej për shuma shokuese parash dhe me siguri që këtë sezon nuk do të luante në Bundesligë.
Ku e ndoqët Europianin?
Me pushime në Sylt. Gjatë ditës isha në plazh dhe në mbrëmje shikoja ndeshjet. Për shkak të interesave të mia me futbollin ka marrë shumë edhe gruaja ime dhe kjo është diçka perfekte.
Si e analizoni turneun?
Mendoj se Europiani me 16 skuadra ishte më i mirë se ky me 24. Ajo forma e kualifikimit të ekipeve të treta më të mira nuk ishte një zgjidhje e mirë. UEFA do ishte mirë të këshillohej që ta rishikonte edhe një herë. Për tifozët, kjo është diçka e vështirë për t'u konceptuar. Por ndoshta duhet t'i provojmë këto eksperimente për të kuptuar se në të shkuarën ka funksionuar më mirë. Tani besoj se është kuptuar që nuk duhet ta zgjerojmë formatin sepse humbasim nga konkurrenca. Tani po flitet edhe për një Botëror me 40 skuadra. Nuk duhet t'i sfilitim lojtarët.
Ju mendoni se futbolli i shtrydh si limona futbollistët?
Ky Europian u bë interesant vetëm në fazën me eliminim direkt. Në fazën e grupeve nuk kishte emocione.
Ka nevojë Tomas Myleri për disa fjalë nxitëse pas këtij turneu?
Nuk besoj. Natyrisht që i mungoi fati. Në gjysmëfinale dha gjithçka, por nuk shënoi dot gol. Ai ishte thjesht i shtrydhur nga një sezon sfilitës. Unë kam përjetuar një Europian si ky në 1984. Përfundimisht, mendja dhe trupi ishin të lodhura.
Siç jeni ju tani, që pas dorëheqjes së Zamerit keni marrë edhe përgjegjësitë e tij, apo...?
Ne e kemi shpërndarë përgjegjësinë e rolit të tij prej 3 muajsh. Po dakord, tani unë duhet të bëj diçka më shumë.
Kush do ta zëvendësojë?
Janë përfolur disa emra, por ju them me sinqeritet se nuk kemi kontaktuar ende me asnjërin dhe kjo nuk do të ndodhë tani afër.
Po një rikthim i Uli Hënesit president?
U takuam në mesjavë në zyrë, por unë nuk jam më i zgjuar se publiku dhe nuk e di se çfarë do të vendosë.
Kur do të firmosë Gëce me Dortmundin dhe pse u largua?
Për sa kohë nuk ka asgjë zyrtare, mund të them vetëm se po negociojmë me Dortmundin. Nuk e bëj dot zyrtare, sepse ka një shifër transferimi për t'u diskutuar. Mario është një lojtar i shkëlqyer, por ai ka nevojë të luajë në vazhdimësi. Duhet të provojë një klub të ri. Te Bajerni nuk u përshtat këto 3 vite.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO