Tregtaret Po na luftojne per te shpetuar supermarketin perballe

Tregtaret: 'Po na luftojne per te shpetuar supermarketin perballe'

Tregtarët, që prej vitesh punojnë në tregun agroushqimor tek ish- uzina Dinamo, këmbëngulin se qëllimi i dëbimit të tyre nga kjo zonë është i qëllimshëm. Sipas tyre, “lufta” po bëhet për shpëtimin e një supermarketi, në trotuarin përballë hyrjes së tregut, i cili është drejt falimentimit, pasi shesin produkte të ngjashme, por me çmime të ndryshme. Ky është pretendimi i një pjese të tyre, që thonë për gazetën “Shqip” se kanë dëgjuar të përflitet se “zhdukja” e tregut fsheh pas qëllime klienteliste dhe se nuk do të zhvendoset për mungesë të kushteve higjieno- sanitare apo të dokumentacionit të nevojshëm, që lejon ushtrimin e këtij aktiviteti. Por, burime zyrtare në Bashkinë e Tiranës dhe në prefekturë mohojnë që këto pretendime të jenë të vërteta, duke theksuar se thelbi i kësaj nisme synon cilësinë e jetës së qytetarëve. Një prej tregtarëve që prej 8 vjetësh shet fruta me bashkëshorten e tij në një prej tezgave të tregut pranon se nevoja për përmirësim të kushteve ku tregtohen ushqimet është domosdoshmëri, por thekson se ky nuk është qëllimi pse kërkohet transferimi i tyre.

 

“Jam dakord që kushtet e tregtimit kanë nevojë për përmirësim. Në bashkëpunim me strukturat e posaçme shtetërore ne mund të gjejmë një rrugë për përmirësimin e kushteve, por as prefekti, as AKU, as Bashkia e Tiranës nuk po e kërkojnë këtë. Ata janë të vendosur të na dëbojnë, pavarësisht nëse plotësojmë ose jo standardet. Kjo është më se e qartë, sepse përndryshe, nuk do të merreshin vetëm me ne, por me të gjitha tregjet e sidomos me ata që shesin zarzavate e fruta në mes të rrugës, në pluhur, pisllëk, mes makinave. Pse nuk largojnë ata, po merren me ne? Këtu ka diçka që nuk shkon. Madje, kemi dëgjuar që përflitet se shkak për largimin tonë është bërë supermarketi, në trotuarin përballë hyrjes në tregun industrial. Për shkak se ne ofrojmë si zarzavate, fruta, veshje, të gjitha llojet e produkteve të nevojshme, ky supermarket nuk ka punë, është drejt falimentimit. Për të shpëtuar atë, bashkia dhe qeveria janë bërë bashkë për të na larguar”, tregon mesoburri me inicialet I.L.



Por, ndërsa qëndrimit të zotërisë i bashkohen edhe tregtarë të tjerë, i pyetur për gazetën “Shqip”, lidhur me këto pretendime, prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi sqaron: “Si prefekt i Tiranës dhe drejtues i Task-Forcës për kontrollin e tregjeve ushqimore, ju siguroj se e kam ndjekur me shqetësim protestën dhe pretendimet e palëve. Ka pasur një keqinterpretim nga ana e subjekteve që shesin në tregjet në fjalë dhe uroj që të ketë qenë thjesht një keqkuptim nga ana e tyre dhe jo një dashakeqësi për të bërë zhurmë. Task-Forca dhe aq më pak Prefekti as nuk hapin dhe as nuk mbyllin tregje. Ne kemi dalë me një vendim të përbashkët për të shtuar kontrollin mbi subjektet tregtare për t’i detyruar kundërvajtësit që të zbatojnë ligjin, apo të tërhiqen nga aktiviteti i tyre tregtar në rast se nuk plotësojnë normat për cilësinë e ushqimit, detyrimet fiskale etj.”. Prefekti i Tiranës theksoi, se propozimin për ushtrimin e kontrolleve të këtij lloji, e kanë kërkuar edhe vetë tregtarët dhe sipas tij, praktikisht Task-Force këtë po bën. Ndërkohë, edhe burime zyrtare në Bashkinë e Tiranës bëjnë me dije se synimi i këtij institucioni është sigurimi i cilësisë së jetës së qytetarëve, asgjë më shumë sesa kaq. “Bashkia e Tiranës ka një dhe vetëm një objektiv, cilësinë e jetës së qytetarëve. Është e angazhuar dhe e përkushtuar për të punuar për këtë qëllim. Gjithçka tjetër është spekulim”, thonë burime në këtë institucion.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama