Tregtarët te ish-uzina Dinamo, janë përplasur sot herët në mëngjes me forcat e policisë mbi vendimin e Task Forcës të udhëzuar nga Prefektura dhe Bashkia e Tiranës për mbylljen e tregut për shkak të kushteve të këqija hijeno-sanitare. Tregtarët kanë bllokuar hyrjen e tregut, duke vendosur aty kazanë plehrash, ndërkohë që policia ka ndërhyrë për të mos lejuar që të bllokohej rruga. Protestuesit kanë lëshuar thirrjet “Duam bukë”, “Policia është me ne”, “Poshtë Prefekti” etj dhe kanë kërkuar takim me Prefektin Sadi Vorpsi, kryetarin e Bashkisë Lulzim Basha si dhe me kryeministrin Edi Rama.
Ata u shprehën të zhgënjyer, pasi theksuan se ky treg ka qindra të punësuar dhe se do të jetë e pamundur që ata të sistemohen në vende të tjera pune nëse largohen prej këtej. Në fund, tregtarët kërkuan një komision për verifikimin e kushteve në tregun e ish-uzinës Dinamo. Po ashtu, Prefektura dhe Bashkia e Tiranës kanë vendosur që për shkak të kushteve të papërshtatshme, të mbyllet edhe tregu te “Qyteti i Nxënësve”.