Tregtia e brendshme dhe e jashtme

Qytetet ishin njëherazi qendra tregtare dhe zejtare. Qysh në shek. XVI pazari i Elbasanit (çarshi), i Shkodrës, i Prizrenit dhe i Beratit kishin nga 900 dyqane secili, kurse Shkupi numëronte 2 150 dyqane. Këto të dhëna tregojnë se Shqipëria kishte tregjet më të zhvilluara të Ballkanit. Bukureshti nuk kishte atëherë më tepër se 1 000 dyqane, ndërsa Plovdivi (Bullgari) 880 dyqane. Dyqanet ishin përqendruar në një lagje të vetme, duke formuar rrugica të ndara sipas zejeve. Shkodra në shek. XVII kishte 27 rrugica të tilla, si ajo e kazanxhinjve, kujunxhinjve, dyfekxhinjve etj. Prizreni kishte 24 sokakë (rrugica), Elbasani 30. Përveç zejtarëve, tregtarëve, pronarëve të dyqaneve, në qytete ishin edhe selitë e pronarëve të mëdhenj. Kështu Hysen Pasha kishte në Berat 100 dyqane. Në disa qytete, si në Prizren, Shkup, Manastir dhe në Elbasan u ngritën edhe pazaret e mbyllura (bezistene) për shitjen e mallrave të kushtueshme. Në shek. XVII-XVIII të tilla bezistene kishte në Kavajë, në Berat, në Shkodër e në Janinë.
Përveç dyqaneve e bezisteneve, në qytetet shqiptare ishin ngritur edhe tregjet e hapura javore për shitblerjen e prodhimeve bujqësore, blegtorale e zejtare. Madje në disa qytete kishte edhe sheshe për drithin, kafshët etj.
Një rol të rëndësishëm në gjallërimin e ekonomisë monetare luajtën panairet lokale e krahinore, të organizuara me rastin e festave fetare. Nga panairet më të përmendura në Elbasan ishin ai i Shën Gjon Vladimirit (22 maj), i Shën Ilisë (20 korrik), i Shën Mërisë (15 gusht). Këto panaire zgjasnin disa ditë. Këtu vinin nga krahinat e Dibrës, Durrësit, Tiranës, Strugës dhe të Beratit. Panaire organizoheshin edhe në Strugë, në Peshkëpi të Gjirokastrës, në Prizren, në Korçë etj. Përveç panaireve të vendit, tregtarët shqiptarë merrnin pjesë në panairet e Bullgarisë dhe të Maqedonisë, si në Plovdiv, Xhumapazar, Serez, në panairet e Italisë etj.
Zhvillimi i tregut lokal rreth një qyteti dhe organizimi i panaireve ndikuan në forcimin e lidhjeve ekonomike ndërkrahinore. Në shek. XVIII, si rrjedhojë e zhvillimit të përgjithshëm të zejtarisë e të bujqësisë, u rrit dhe tregu shqiptar. Me zhvillimin e qyteteve, mbi bazën e tregjeve të vogla lokale u krijuan disa tregje të mëdha ndërkrahinore. Më i rëndësishmi ishte ai me qendër Shkodrën, që përfshinte veprimtarinë tregtare të Pashallëkut të Shkodrës, të Kosovës dhe të krahinave më në veriperëndim të Shkodrës. Ky treg përshkohej nga një rrugë kryesore karvanesh që lidhte bregdetin shqiptar me Evropën Perëndimore dhe me zonat e brendshme të Ballkanit. Në Shqipërinë e Mesme, u krijua një treg tjetër ndërkrahinor përreth qytetit të Elbasanit. I vendosur mbi rrugën Egnatia, Elbasani tërhoqi rreth vetes tregtinë e Shqipërisë së Mesme. Elbasani siguronte gjithashtu lidhjen e Durrësit me pjesën e brendshme të Ballkanit. Në Shqipërinë e Jugut, me themelimin e Pashallëkut të Janinës, u krijua një treg tjetër i madh ndërkrahinor, që kishte si qendër në fillim Beratin e më vonë Janinën. Ky treg ndërkrahinor përfshinte Shqipërinë e Jugut (Epirin) dhe pjesërisht Thesalinë. Tregu ndërkrahinor më i fuqishmi i Shkodrës, arriti të shtrinte ndikimin e tij në Shqipërinë e Mesme dhe në atë të Jugut. Lidhjet ndërmjet tregjeve ndërkrahinore ishin të dobëta. Megjithatë, brenda tyre zhvillohej një veprimtari e gjallë ekonomike. Formimi i tri tregjeve ndërkrahinore shënonte një hap përpara në krijimin e premisave për ngritjen e një tregu gjithëshqiptar.
Gjallërimi i tregtisë së jashtme u ndihmua edhe nga përfundimi i traktatit të paqes midis Perandorisë Osmane e Venedikut më 1502 dhe nga lidhja e marrëveshjeve tregtare me Francën, Holandën, Anglinë (1535), që garantonin lirinë e lundrimit dhe të tregtisë në tokat osmane. Këto marrëveshje të quajtura “kapitulacione” kishin fuqi edhe për tokat shqiptare, ku lidhjet e rregullta ekonomike me vendet perëndimore ishin dobësuar së tepërmi. Qëllimi kryesor i marrëdhënieve ekonomike me Perëndimin ishte shitja e tepricave të prodhimeve bujqësore e blegtorale, të cilat nuk konsumoheshin në vend dhe as përpunoheshin. Kundrejt tyre bliheshin artikuj industrialë për prodhim e konsum, ndër të cilët një vend me rëndësi zinin artikujt e luksit, që i blinte kryesisht aristokracia.
Qytetet bregdetare shqiptare si Vlora dhe Shkodra u shpallën “porte të hapura”. Në qytetet shqiptare filluan të dukeshin tregtarë venedikas, raguzanë etj., që shisnin mallra të huaja, si pëlhurë, cohë, lëkurë të përpunuara etj., dhe blinin drithë, kripë, zift, lesh, lëkurë, dyllë, lëndë druri etj. Në vitin 1553 në Dalmaci, Venedik, Ankonë e në Spanjë u eksportuan 150 000 stara drithë. Venediku blinte nga Gryka e Drinit deri në 50 000 stara drithë. Edhe prodhimet shqiptare tërhoqën vëmendjen e tregtarëve të huaj venedikas, raguzanë e fiorentinas. Në këtë mënyrë filluan të plotësoheshin më mirë një varg kërkesash të aristokracisë me artikuj luksi. Vëllimi më i madh i tregtisë dhe i tranzitit në shek. XVI kryhej në skelat e Vlorës, Durrësit dhe të Lezhës.
Tregtarët e huaj ose edhe ata vendas, sillnin mallra që shkëmbeheshin me monedha ari e argjendi dhe me prodhime bujqësore e blegtorale shqiptare. Mirëpo ky vëllim i rritur i importimeve nuk mund të konsumohej në vend. Prandaj, qysh në shek. XVII, tregtarët shqiptarë u drejtuan në brendi të Gadishullit Ballkanik. Këtu ata shisnin tepricën e mallrave të importuara, kundrejt të cilave blinin prodhime bujqësore e blegtorale si dhe prodhime zejtare që i shisnin në tregun perëndimor.
Bashkë me tregtarët shqiptarë, këtë veprimtari filluan ta kryenin edhe tregtarë të tjerë ballkanas. Në mbarim të shek. XVII në skelën e Durrësit, që ndërkohë ishte bërë skela kryesore e vendit, vepronin rreth njëqind tregtarë shqiptarë nga Shkodra, Elbasani, Voskopoja e Janina si dhe tregtarë të viseve fqinje nga Selaniku etj. Të gjithë këta tregtonin kryesisht me Venedikun. Nga gjysma e dytë e shek. XVII u rrit edhe tregtia tranzite, në të cilën, përveç Shkodrës e Vlorës, një rëndësi të dorës së parë po merrte Durrësi. Në tregtinë tranzite Durrësi po konkurronte me sukses me Selanikun dhe, pas Raguzës, zinte vend të rëndësishëm në tregtinë e bregut lindor të Adriatikut. Tregtarët vendas e të huaj kishin në këtë port magazinat e tyre, ku grumbullonin mallrat nga Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria e nga Serbia, të cilat i dërgonin në Venedik, Mesinë, Ankonë dhe në qytete të tjera të Italisë, ku kishin përfaqësuesit e tyre. Gjatë vitit 1699 u eksportuan nga Durrësi për në Venedik ndër të tjera 3 000 kv dyllë, 15 000 kv lesh të cilësisë së parë, përveç sasive të mëdha të lëkurave.
Tregtia e brendshme tranzite kryhej me karvane, të cilat ndiqnin rrugët e vjetra Shkodër-Prizren, Vlorë-Berat-Korçë, Durrës-Elbasan-Ohër etj. Në kapërcyellin e shek. XVII-XVIII prodhimet shqiptare dhe ato tranzite tërhoqën mjaft shtete evropiane, si Francën, Anglinë, Holandën. Franca themeloi zyra konsullore në Durrës (1699), në Janinë e në Artë (1701-1702). Në Shkodër, në Durrës e në Vlorë, pas paqes së Pozharevacit (1718), u krijuan agjenci konsullore të Anglisë, Holandës, Venedikut, Raguzës e të Austrisë.
Në fillim të shek. XVIII eksporti shqiptar drejtohej në pjesën më të madhe në Venedik. Pas tij vinin Ankona, Raguza e Franca. Tregtarët më të njohur shqiptarë kishin organizuar një rrjet agjencish tregtare, si ai i vendeve kapitaliste. Ky rrjet shtrihej jo vetëm gjatë brigjeve të Adriatikut, por deri në Francë, Vjenë e në Budapest. Artikujt kryesorë të tregtisë shqiptare ishin leshi, dylli, lëkura e mëndafshi. Leshi shqiptar shkonte deri në Evropën Qendrore. Në vitin 1744 u dërguan 500 000 okë lesh në Lajpcig e në Hungari. Në gjysmën e dytë të shek. XVIII në krye të qarkullimit tregtar shqiptar qëndronte Shkodra. Tregtarët shkodranë blinin në trevat e brendshme të Ballkanit sasira të mëdha leshi, lëkurësh, pambuku e mëndafshi. Rreth 150 anije ulqinake furnizonin në vitin 1755 Dalmacinë me drithë. Veç borgjezisë tregtare me tregti merreshin edhe familjet e mëdha çifligare. Eksportues i madh drithi ishte Ali pashë Tepelena. Ndërsa Bushatllinjtë në vitin 1767 eksportuan 17 000 fuçi vaji. Raporti midis eksportit dhe importit të kësaj periudhe tregon se Shqipëria kishte atëherë një bilanc aktiv në tregtinë e jashtme.
Ashtu si zejtarët, edhe tregtarët ishin organizuar në korporata të njohura si gilda. Qysh në shek. XVI u ngritën organizatat e para tregtare. Tregtarët ishin të dy llojeve: ata që qenë lidhur me tregun e brendshëm (bakenj) dhe ata që vepronin jashtë këtij tregu, si ambulantë ndërmjetës apo tregtarë të mëdhenj (tuxhar). Në shek. XVII-XVIII gildat morën trajtën e plotë si esnafet e zejtarëve. Në shek. XVII Berati kishte dy gilda të tilla, në Shkodër një shekull më vonë kishte një gildë të madhe, që drejtohej nga një këshill i përbërë prej 16 anëtarësh. Po kështu kishte gilda në Voskopojë, Vlorë, Prizren etj. Ato mbikëqyrnin çështjet tregtare dhe mbronin interesat e anëtarëve. Në tregun e brendshëm detyra kryesore ishte caktimi i çmimeve të artikujve ushqimorë sipas stinëve, ndalimi i kontrabandës, si dhe frenimi me çdo mënyrë i konkurrencës.
Në përputhje me strukturën ekonomike ndodhën ndryshime edhe në strukturën shoqërore të qyteteve. Zejtarët e tregtarët formonin një grup më vete. Ata përbëheshin nga disa kategori, si çirak, kallfë e mjeshtër. Më lart nga këta qëndronin anëtarët e llonxhave dhe të këshillave të gildave qytetare. Në shek. XVII nga ky grup u shkëput një shtresë e borgjezisë zejtare-tregtare, e cila filloi të organizohej jo mbi baza feudale, por kapitaliste. Ajo ishte e lidhur kryesisht me tregun e brendshëm e të jashtëm. Si rrjedhim i zhvillimit të tregtisë tranzite në radhët e saj u dallua shtresa e borgjezisë tregtare (reshpere) që ishte lidhur me tregun e jashtëm. Në krye të borgjezisë tregtare qëndronte ajo e Shkodrës.
Një kategori më vete përbënin klerikët myslimanë e të krishterë. Kategoria e klerikëve myslimanë niste me nxënësit e medreseve (softët), vazhdonte me hoxhallarët, myftinjtë, kadilerët deri te dijetarët e fesë islame (ulemat). Kategoria e klerikëve të krishterë niste me priftërinjtë e shërbyesit e thjeshtë të kishave dhe vazhdonte me peshkopët e kryepeshkopët. Një kategori tjetër përbënin banorët e qytetit që merreshin me bujqësi. Një shtresë të veçantë formonin pronarët e mëdhenj e të mesëm, të cilët ndonëse zotërimet i kishin në fshat, rronin në qytete. Së fundi, në qytete kishte njerëz të papunë, endacakë, hamej.
Çdo grup e shtresë kishte detyrime ndaj shtetit. Kështu, ata që merreshin me bujqësi shlyenin të dhjetën, salarien, taksat shtetërore. Zejtarët e tregtarët i shlyenin shtetit detyrimet e zakonshme e të jashtëzakonshme. Në disa raste banorëve të qyteteve u qenë falur detyrimet e jashtëzakonshme, por qenë ngarkuar me detyrime të tjera. Kështu popullsia myslimane e qyteteve Berat, Gjirokastër dhe Përmet ishte e ngarkuar të mbronte me armë kështjellën e Vlorës, të merrte pjesë në shtypjen e çdo kryengritjeje në Kurvelesh, si dhe të vilte taksat e kësaj krahine. Po kështu popullsia myslimane e katër lagjeve të qytetit të Elbasanit ishte ngarkuar të mbronte kështjellat e Durrësit dhe të Bashtovës.
Për mirëmbajtjen e kështjellave të Shkodrës, Lezhës, Podgoricës, Zhabjakut e Medunit, u përdor një numër qytetarësh së bashku me fshatarët që banonin përreth tyre. Për mirëmbajtjen e urës së Bahçallëkut në Shkodër u caktuan një varg qytetarësh, ashtu siç ishin caktuar fshatarë për t’u kujdesur për urat e lumenjve Cem e Moraça.
Në dokumentacionin e kohës evidencohen edhe disa shfaqje të kundërthënieve shoqërore në qytete. Të tilla ishin: ankimet në gjyq të mëditësve kundër mjeshtërve lidhur me pagën; protestat e esnafëve kundër grabitjeve nga sipërmarrësit, të cilët bashkëpunonin e binin në ujdi për veprime të tilla me funksionarët e tjerë të pushtetit, e kryesisht me kadilerët; protestat e përfaqësuesve të shtresave të ndryshme të popullsisë qytetare dërguar Portës së Lartë, kundër veprimeve arbitrare të sundimtarëve vendor, të cilët synonin të nxirrnin fitime të paligjshme në kurriz të qytetarëve prodhues; manifestimet e vegjëlisë së uritur kundër sundimtarëve, që nxirrnin në treg bereqetin e hambarëve të tyre në muajt e dimrit ose të pranverës, kur prodhimet në treg pakësoheshin, dhe e shisnin atë me çmime të larta. Po në këto akte shoqërore bënte pjesë edhe veprimtaria e reparteve të të rinjve të organizatave esnafore, të cilët u kundërviheshin akteve arbitrare në qytete dhe në treg, që shpeshherë merrte formën e qëndresës me armë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama