Tregu te Dinamo Panariti Te mbyllet. Shalsi E padrejte

Tregu te 'Dinamo', Panariti: Te mbyllet. Shalsi: E padrejte

Kërkesa e Ministrisë së Bujqësisë për mbylljen e tregut ushqimor në uzinën “Dinamo” ka provokuar përplasje brenda maxhorancës. Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, ka dalë kundër rekomandimit të ministrit Panariti, duke ofruar mbështetje për tregtarët. I pranishëm ditën e djeshme në ambientet e tregut agroushqimor në uzinën “Dinamo”, Shalsi e ka konsideruar të padrejtë vendimin për pezullimin e aktivitetit të tregtarëve. Në cilësinë e kyetarit të Komisionit të Veprimatrisë Prodhuese, ai tha se ishte aty për të dëgjuar zërin e tregtarëve që protestojnë dhe pas inspektimit do të kontaktonte me ministrat përkatës për t’i dhënë zgjidhje situatës.

 

“I kam ndjekur me shqetësim zhvillimet këto ditë. Penalizimin e plotë të këtij tregu do ta konideroja të padrejtë. Do të marr kontakt me ministrat përkatës”, tha Shalsi. Përkundrejt këtyre deklaratave dhe protestës së nisur nga tregtarët për vendimin e mbylljes së tregut, ka reaguar edhe ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. Gjatë një konference për shtyp, Panariti ka shprehur vendoshmërinë e tij dhe të dikasterit që drejton, se në asnjë rast nuk do të bëhet kompromis me helmimet, kancerin dhe keqformimet embrionale, duke e cilësuar masën e marrë për pezullim konform standardeve për garantimin e sigurisë ushqimore. “Ju siguroj se nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi me helmimet, nuk do të bëjmë kompromis me infeksionet, nuk do të bëjmë kompromis me kancerin, nuk do të bëjmë kompromis me keqformimet embrionale që bazën e kanë te ndotja e mjedisit dhe te ndotja e prodhimeve ushqimore. Prandaj të lejohen autoritetet të veprojnë konform ligjit”, u shpreh ministri i Bujqësisë.

 

Kërkesat eAKU


 Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pas inspektimit të tregut ushqimor në uzinën “Dinamo”, kërkoi menjëherë nga Bashkia Tiranë që kjo e fundit të bënte të mundur pezullimin e aktivitetit tregtues deri në përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare. Por sipas AKU, Bashkia Tiranë nuk ka marrë asnjë masë, duke injoruar në këtë mënyrë kërkesën e bërë nga Autoriteti i Ushqimit për mbylljen e përkohshme të tregut. “Megjithëse ditën e hënë, më datë 09.12.2013, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i është drejtuar Bashkisë Tiranë me shkresën me numër protokolli 2948 për mbylljen e përkohshme të tregut tek uzina ‘Dinamo’, deri në plotësimin e kushteve higjieno-sanitare, nuk është marrë asnjë masë. Në këto kushte, AKU për të garantuar sigurinë ushqimore të konsumatorit do të ndërmarrë kontrolle dhe të gjitha pikat e shitjes që nuk plotësojnë kushtet do të mbyllen. Atyre do t’u vihet shiriti dhe nuk do të lejohen të hapen deri në plotësimin e kushteve higjieno-sanitare”, thuhej në njoftimin e përcjellë për shtyp nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Situata në tregun ushqimor prej ditësh vijon të mbetet një vatër që ka ngjallur tension. Përkundrejt konfliktit të krijuar mes institucioneve, janë edhe tregtarët që kundërshtojnë transferimin e tregut.

Aksioni i tetorit


Bashkia Tiranë ka kërkuar mbylljen e tregut ushqimor në uzinën “Dinamo” më herët, me argumentin se s’plotëson kushtet higjieno-sanitare. Nisma për bllokimin e aktivitetit tregtues, e ndërmarrë nga Policia Bashkiake gjatë muajit tetor, nuk u finalizua për shkak të  ndërhyrjes së Policisë së Shtetit. Kjo e fundit nuk ka lejuar pezullimin e tregut, duke dalë në mbrojtje të tregtarëve. Aksioni mbeti një tentativë më shumë në radhën e atyre që janë ndërmarrë në vite.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama