Që nga ajo kohë, prototipe trenash të tillë kanë dhënë demonstrime të shumta, por shfrytëzimi masiv i kësaj teknologjie nuk ka mbërritur ende. Sot ka vetëm dy trena të tillë në funksionim, një është në Kinë dhe një në Japoni. Por sipas BBC, shpejt kjo situatë mund të ndryshojë. Rrugët po mbingarkohen gjithnjë e më shumë ndërsa transporti ajror mbetet i mbushur me shqetësime për ndotjen e ambientit. Qeveritë po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të teknologjisë Maglev si një shpëtim.
Hileja e fluturimit
Të gjitha trenat Maglev veprojnë me një parim të thjeshtë. Nëse keni luajtur me magnete, duhet ta mbani mend se dy pole të kundërta tërheqin njëra-tjetrën ndërsa dy pole të njëjta shtyjnë njëra-tjetrën. Pikërisht kjo është forca që e ngre një tren disa milimetra mbi shina duke i lejuar të “fluturojë” me shpejtësi shumë më të madhe se sa trenat konvencionalë.
Treni Maglev që funksionon në Kinë, i transporton pasagjerët me 400 kilometra në orë mes Shangait dhe aeroportit Pudong. Por një linjë më e gjatë nuk është tentuar deri më sot për shkak se shinat kthehen në magnet kur elektrizohen dhe në mënyrë që treni të ecë, nevojitet një sistem i stërholluar i kontrollit të elektrizimit të shinave, i cili deri më sot ka qenë shumë i vështirë. Kompania General Atomics në SHBA është aktualisht duke i dhënë një zgjidhje këtij problemi. Sistemi do të përdorë superkompjutera për të garantuar funksionimin e duhur.