Pastaj presto, e fortë, balerinët ia zbusin kurrizin njëri-tjetrit, vibrojnë trupat si nën efektin e elektroshokut. Intensiteti i dhunës tregon në të vërtet një formë pjekurie të balerinëve të dancit kontemporan. Janë studentë të koreografisë në Akademinë e Arteve, në klasën e Gjergj Prevazit, që prej dhjetë vitesh drejton Albanian Dance Theatre Company.
Puna katërjavore nën drejtimin e Katharina Maschenka Horn e cila i udhëhoqi si kërcimtare dhe aktore edhe në skenë, kishte bërë atë që aktet e jashtme të ndiheshin se po kryheshin nën shtysën e energjive të brendshme, siç ndodh me një trup që kur s'ka gjë për të humbur, mobilizohet për një hap të fundit të fort. "Dje dhe nesër" u prodhua në këtë një muaj, brenda aktiviteteve të Tetorit Gjerman, që siç është thënë diskuton subjekte për 20 vjeçarin pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore.
Katharina Maschenka Horn, 28-vjeç, jeton mes Holandës dhe Gjermanisë si krijuese e lirë e danc teatrit, është hera e dytë që krijon për "Albanian Dance Theater Company" diçka të sajën me një motiv shqiptar të gjithkohshëm. Katarina urime për spektaklin. Ndeshëm që në fillim në disa shenja dhe rituale që na janë të njohura: përshëndetja me grusht e pionierit, por edhe për nder të komunizmit; tjetra është një valle popullore që mbahet mend të jetë kërcyer në një nga Festivalet Folklorike të Gjirokastrës.
Njëherë Enver Hoxha do të shfaqej në një kronikë televizive duke e kërcyer me djemtë e vegjël me fustanella. Nga i nxorët ju këto elemente?
Duhet të them që ka një dualitet në gjithë këtë gjuhë shenjash, pozitiv dhe negativ. Negativja është që u përdorën gjatë periudhës së diktaturës sikurse thoni dhe ju, në prani të diktatorit u luajtën këto valle, u kënduan këto këngë. Pozitivja është që këngët dhe vallet shqiptare mua më pëlqejnë shumë dhe sidomos këto vallesh që u performuan edhe dje, ose u bënë analogji. Unë i kam këto lloj shenjash dhe këtë gjuhë njëherë nga Gjermania Lindore, sepse ishin të ngjashme dhe mënyra e përshëndetjes. Se si ishin pikërisht në Shqipëri, për këtë kam lexuar material, por edhe kam pyetur gjatë punës me studentët dhe me koreografin, kam mësuar se si ka qenë kjo gjuhë në Shqipëri.
Në ndërtimin e një historie me atë subjekt që ti e quani "Dje dhe nesër", e tashmja ku është?
E tashmja është prania jonë në skenë, shfaqja jonë, ajo që dje biseduam, që e transmetuam nëpërmjet lëvizjes, ajo çka u përjetua. Pikërisht kjo është e tashmja.
Një histori dhune? Është e vështirë që pas asaj dhune njerëzit të jenë prapë bashkë. Këtë thoshte finalja. Ti si e kishe menduar, çfarë doje të arrije?
Mund të thuhet që kjo është e vërtet. Natyrisht, mbas gjithë asaj dhune secili u rrah, u batërdis nga të tërë, këta persona nuk mund të jenë më bashkë ose të ketë ndonjë njëfarë optimizmi dhe perspektive së bashku. Mirëpo këtë optimizëm u mundova ta jap unë me këngën që këndova. Është një këngë shumë e njohur e Gjermanisë Perëndimore e viteve '60-'70 që thotë në refren: "Për mua do të bjerë një shi trëndafilash të kuq".
Kënga tjetër që dëgjuam gjermanisht, i ngjante një këngë revolucionare. Çfarë përfaqëson?
Ky kompozim quhet "Kundër luftës". Është vepër e Hanns Eisler-it që është nga kompozitorët më të shquar të Gjermanisë Lindore. Ka bashkëpunuar gjatë me Bertold Brehtin dhe teksti është i tij dhe muzika jep gjithë kohën këtë ndjesi.
Unë e kam njohur shpejt, dikur e kam kënduar në kor këtë pjesë dhe desha të jepja dhe një zë tjetër si njëfarë kontrapunkti në atë që u shfaq dje. Në një pjesë thuhet: "Kjo nuk është lufta ime" dhe kjo përsëritet gjithmonë: kjo nuk është lufta ime, luftën e bëjnë të tjerë, unë jam vetëm mish për top. Duhet thënë që muzika nuk është shkruar në kohën e RDGJ-së, është shkruar më përpara. Pra nuk është një tekst që lidhet me komunizmin. Është e përgjithësuar kundër luftës. Mua më duket e rëndësishme që të përgjithësohet një mesazh, mos të mbetet vetëm i një kohe
Shfaqja dhe gjestet e tua në skenën e parë duken të ngjashme me një fragment nga një realizim të viteve '80, "Carnations", të Pina Bausch. Më shumë donim të dinim për influencën e kësaj artisteje te ty. Ka qenë një shembull i madh për mua, për fat të keq ka qenë, një artiste e madhe e këtij zhanri. Isha e magjepsur prej saj që kur isha nxënëse, isha magjepsur prej një pjese që kish realizuar. I shkrova një letër.
Drejtoreshës së shkollës i pëlqeu shumë kjo letër aq sa ia çoi asaj. Ajo e mori dhe më ftoi në provat e saj. Kështu që kam shkuar 4-5 herë gjatë provave që bënte për përgatitjen e shfaqjeve. Jam ndikuar prej saj sidomos prej mënyrës jo intelektuale, jo abstrakte të performimit, por një mënyre njerëzore, një mënyrë që prek shumë. Natyrisht është gjë e mençur ajo çfarë ekzekuton ajo, por nuk është elitare.
Me këta të rinj shqiptarë me të cilët punove, si ka qenë dialogu për të ndërtuar këtë "histori"? Me çfarë shenjash ju ndihmuan ata? Sa brenda historisë së të shkuarës nën diktaturë ishin ata?
Në të vërtetë unë isha e drejtpërdrejtë me shenjat e mia. Ata ishin konkret vetëm në vallen që bënë. Ajo çka ata dinin për diktaturën ishte më shumë një ide e njohur nga rrëfimet e prindërve, nuk është se kishin ndonjë informacion të madh. Kështu që disa gjëra ua përçova unë, por ndihmoi shumë edhe prania e Gjergj Prevazit i cili transmetonte këtë informacion që desha të jepja po edhe shtonte gjërat e tij, se si ishte gjestikulacioni këtu në Shqipëri në kohë të diktaturës.
Dy vjet pas rikthimit në Tiranë, si të duken studentët, janë zhvilluar?
Duhet thënë që në përgjithësi danci kontemporan nuk është zhvilluar në Shqipëri, d.m.th është i pranishëm në Akademi falë Gjergj Prevazit, po më shumë jo, nuk ka ndonjë zhvillim. Në shkollën time isha mësuar që të vinin vazhdimisht të ftuar, pedagogë, të rinj. Kurse këtu nuk ndodh kjo gjë. Përshtypja ime është që në këto shkollat tuaja njerëzit duan të ruajnë strukturat e vjetra. Do uroja për studentët që të zhvilloheshin.