Sipas axhendës së përcaktuar, më 27 nëntor, në orën 11:00, do të zhvillohet ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Vlorës” akademikut Rexhep Qosja, shkrimtarit Ismail Kadare, dhe ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, John Uidhers.
Një orë më pas do të përurohet shtatorja e Ismail Qemalit në sheshin “Pavarësia”. Më tej, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, do të organizojë një koncert festiv në Sheshin e Flamurit, në orën 18:00, dhe menjëherë pas saj një darkë ku janë të ftuar Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministra dhe autoritete diplomatike të akredituara në Shqipëri. Data 28 Nëntor nis që në mëngjes me një koncert në Sheshin e Flamurit.
“Të gjithë shqiptarët në Sheshin e Flamurit”, është motoja e një manifestimi të madh që do të mbahet në orën 09:00 në bulevard. Më tej, në orën 10:00, do të mbahet ceremonia e ngritjes së flamurit nga Presidenti Nishani, i cili më pas do të nderojë Ismail Qemalin. Pas saj, po në Sheshin e Flamurit, do të bëhet përshëndetja drejtuar të gjithë shqiptarëve nga kryetari i Bashkisë së Vlorës dhe Presidenti i Republikës. Festa do të vijojë me koncerte. Më 29 Nëntor do të mbahet një koncert festiv para Pallatit të Sportit për nder të Festës së Çlirimit dhe në darkë do të kulmojë “Nata e Bardhë”.
Veç ceremonisë së ngritjes së flamurit paradite asnjë përfaqësues i qeverisë “Berisha” nuk do të jetë në Vlorë më vonë me 28 nëntor, pasi siç kanë lajmëruar ata, festimet do të jenë të fuqishme në Tiranë. E djathta nuk ka qenë e pranishme as në ceremoninë e zhvilluar dje kur u nderuan me tituj “Qytetar Nderi” 4 personalitete, veç deputetit Leonard Demi, pasi një prej titujve u dha për gjyshin e tij.
Këshilli Bashkiak miratoi pak ditë më parë titujt “Qytetar Nderi” për tre personalitete të Kosovës, Sokol Bashota, Ramush Haradinaj, Sami Lushtaku, si dhe veprimtarit të shquar të Pavarësisë së Shqipërisë, Musa Demi. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, kryetari i PS-së, Edi Rama, familjarë, personalitete të shquara të historisë dhe deputetë të PS-së, drejtues institucionesh dhe bashkëkombës nga Kosova. Për Ramush Haradinajn titullin “Qytetar Nderi të Vlorës” e mori bashkëshortja e tij, Anita Haradinaj. Në fjalën e tij, Edi Rama e përshëndeti Gjikën për nismën e tij, duke bashkuar dy skajet, Kosovën dhe Çamërinë.
DATA 27 NËNTOR
• Ceremoni për dhënien e titujve të nderit Kadaresë, Qosjes
dhe Uidhersit, ora 11:00
• Përurohet shtatorja e Ismail Qemalit, ora 12:00
• Koncert festiv në Sheshin e Flamurit nga kryeparlamentarja,
ora 18:00
DATA 28 NËNTOR
• Koncert festiv te Sheshi i Flamurit, ora 08:30
• Manifestim i madh në këtë shesh, ora 09:00
• Ceremonia e Ngritjes së Flamurit nga Presidenti i Republikës,
ora 10:00
• Përshëndetje drejtuar shqiptarëve nga Kryetari i Bashkisë
Vlorë dhe Presidenti i Republikës, ora 10:25
• Koncert Ceremonial për 100-vjetorin e Pavarësisë, ora
10:40
• Koncert Jubilar te Pallati i Sportit, ora 11:30
• Koncert “Shqipja hapi krahët” te Sheshi i Flamurit, ora 17:00
• Ekspozitë me flamujt te Pallati i Kulturës, ora 17:00
DATA 29 NËNTOR
• Koncert festiv para pallatit të sportit, ora 17:00
• Nata e bardhë, para pallatit të sportit, ora 18:00