Tri minuta ceremonial personal i Rones

Tri minuta ceremonial personal i Rones
Rona Nishliu me interpretimin e këngës “Suus” ka çuar Shqipërinë në finalen e Festivalit Europian të Këngës, Eurovizion. Mbrëmjen e së martës, mbrëmje e gjysmëfinales së parë, kjo këngë, e pesta në radhë u duartrokit nga 23 mijë spektatorë që kanë ndjekur drejtpërdrejt spektaklin në sallën “Crystal Hall” në Baku të Azerbajxhanit. Përfaqësuesja e Shqipërisë, 26-vjeçarja nga Mitrovica e Kosovës, fituese e Festivalit të 50-të të Këngës në RTSH, doli vetëm në skenën ku dominonin dritat e kuqe. E veshur në fustan të zi me jakë të lartë, me një lloj pelerine blu të derdhur mbi të, ndërsa me një gërshet flokësh ka stiluar një gjerdan natyral mbi gjoks.

Performanca që shpalosi edhe këtë herë një rrëfim mjaft personal të tekstit, shkruar nga vetë Rona dhe muzikës së Florent Boshnjakut, u shoqërua dy herë me duartrokitje gjatë këngës. E më pas këngëtarja shtatvogël, me vokal të maturuar potent, e ka lënë skenën me lot në sy.

Ndërsa në Shqipëri festivali nuk është transmetuar nga Radio Televizioni Shqiptar deri në datë 23 ora 00:05, për shkak të ditës së zisë kombëtare mbajtur për tragjedinë e Himarës. Kjo u bë e ditur dhe nga prezantuesja e Eurosong-ut.

Këngëtarja kosovare ka bërë një koment për RTK-në e Kosovës dhe është shprehur se interpretimin e “SUUS” do t’i dedikonte tragjedisë së Himarës nga e cila gjetën vdekjen 13 persona, kryesisht vajza studente. “Në radhë të parë dua të shpreh ngushëllimet për familjarët e viktimave. Një tragjedi që na ka goditur të gjithëve, madje jashtëzakonisht shumë edhe mua sonte ma vështirëson këtë përgjegjësi që kam. Jemi të ndikuar dhe të prekur nga ajo që ka ndodhur, prandaj bashkërisht këtë prezantim ja dedikojmë situatës”, tha ajo.

Një ditë para se të niste maratona e netëve gjatë të cilave zhvillohet “lufta” për këngën më të mirë europiane, konkurrentët i janë nënshtruar për herë të parë provës së përgjithshme. Komenti i njërit prej prezantuesve të “Eurovisionit” për përfaqësuesen shqiptare ishte “Çfarë zëri”, ndërkohë që parashikimet e publikuara në blogjet e internetit, e kishin renditur ndërkohë Rona Nishliun në vendin e gjashtë.

Shteti që hapi konkurrimin ishte Mali i Zi i përfaqësuar nga Rambo Amadeus me këngën “Euro Neuro”; vazhdonte më Islandën, me këngën “Never Forget” të duetit Greta Salome dhe Jonsi; Greqia me “Aphrodisiac” interpretuar nga Eleftheria Eleftheriou; Lituania që u prezantua me këngëtaren Anmary me “Beautiful Song”. E pesta, Shqipëria me Rona Nishliun dhe këgën e saj “Suus” ia la vendin Rumanisë, Zvicrës, Belgjikës etj.. Nga kjo natë hyjnë të finale veç Shqipërisë, konkurrentët nga Rumania, Islanda, Hungaria, Danimarka, Qiproja, Greqia, Rusia dhe Irlanda.

Tetëmbëdhjetë këngët e para u votuan nga juria e secilit shtet pjesëmarrës të natës së parë. Ndërsa juria përfaqësuese e vendit tonë e cila do të votojë për këngët e shteteve të tjera përveç Shqipërisë, përbëhet nga Sokol Marsi, Edison Miso, Eranda Libohova dhe Endri Sina. Votave të profesionistëve i shtohen edhe ato të teleshikuesve.

Përtej interpretimit të shkëlqyer, te Rona Nishliu është për t’u përshëndetur paraqitja e saj skenike. Ekipi që ka punuar për këtë ditë, e ka menduar momentin skenik të Ronës si një ceremonial po aq personal saç është interpretimi vokal i vajit në “SUUS”.

Më në fund një ekip që kupton se edhe në një festival europian ku sipas një interpretimi të ekzagjeruar manifestohen identitetet e kombeve, me meloset dhe kostumet, me instrumentet po edhe me koreografitë, vendi përfaqësohet me cilësitë individuale të artistit e jo me shqiponjat qesharake që kanë damkosur këto vite fustanet e këngëtareve shqiptarë, apo imitimet e xhubletave, qeleshet dhe brezat e burrave apo daullet, një zell i llogaritur sipas modës së folkut që ka shpalosur Eurosong-u kohë pas kohe. Rona Nishliu është shfaqur “e qëruar” nga gjithë ky shpërdorim simbolesh dhe elementesh kombëtare. Për flokun dhe grimin është kujdesur Arber Bytyqi, për stilimin e veshjes Flutura Dedinja dhe për fotografinë Shenoll Zehri. Me të njëjtin kujdes është punuar edhe fotoja me të cilën këngëtarja shfaqet në faqen zyrtare të Eurosong-ut. Është një portret-maskë, i veshur me një vel-rrjetë, me qepalla të rënduara nga grimi i fortë i zi. Poshtë këtij portreti, deri në fund të natës finale, ata që e kanë pëlqyer këngën “SUUS”, gjejnë numrin 3. Për të le të votojnë.

Ky është edicioni i 57-të i “Eurovizionit” që mbahet në kryeqytetin e Azerbajxhanit, vendi fitues vitin e kaluar me “Running Scared” e kënduar nga Ell dhe Nikki (tekst dhe kompozim të Stefan Oern, Sandra Bjurman dhe Iain Farquharson).

Sonte, ora 21:00 hyjnë në konkurrim 37 këngë, ndërsa finalja e madhe mbahet mbrëmjen e 26 majit.

Biografi

Rona Nishliu (1986) është nga  qyteti i Mitrovicës. Gjimnazin e kreu në shkollën “Sami Frashëri” në Prishtinë. Qysh në moshën 6-vjeçare studioi piano, pasion që u këmbye më vonë me këngën derisa më 2004 shfaqet këngëtare, pjesëmarrëse në spektaklin  “Ethet e së premtes mbrëma” në Tiranë. Studion Administrim Biznesi në Universitetin Amerikan në Kosovë. Merr pjesë në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar ku interpreton në bashkëpunim me Teuta Kurtin dhe Vesa Lumën këngën “Flakaresha”. Ndër këngët e saj mund të përmendim, “Shenja”, “Veriu” apo “Zonja Vdekje” me tekst të sajin me të cilën është prezantuar më 2009 në festivalin “Kënga Magjike”. Për të ardhur te një majë e saj “Suus”, fituese e Festivalit të 50-në RTSH. Në Shqipëri, Kosovë dhe në Mal të Zi njihet si interpretuese e muzikës pop dhe jaz eksperimental.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama