Tri qendrat spitalore ne kryeqytet biznes me te vdekurit

Tri qendrat spitalore ne kryeqytet, 'biznes' me te vdekurit

Stafi i tri qendrave spitalore universitare në kryeqytet bashkëpunon me agjencitë private funerale, duke bërë biznes me jetën e pacientëve. Investigimi i emisionit Fiks Fare është shtrirë në tri qendrat spitalore në kryeqytet dhe në disa spitale rajonale, ku zbardhen fakte skandaloze të pazareve që bëhen me të pajetët nga stafi i mjekëve. Fiks Fare solli dje fakte sesi mjekët dhe infermierët ndihmojnë të afërmit e pacientëve për të gjetur numrat e kontaktit të agjencive funerale për të transportuar trupat e pajetë nga spitali. Gazetarët e Fiks Fare sollën fakte mbi lidhjen e infermierëve, kryeinfermierëve, rojeve, deri te personeli që shpërndan ushqimin në spitale me zyrat e funeraleve private, në këmbim të parave. Në spitalet publike është gati e pamundur të gjesh një ambulancë për të transportuar trupin e pajetë të ndonjë pacienti që ndërron jetë në spital. Nëpër korridoret e spitaleve rrinë e presin gati për “klientin e ri” përfaqësuesit e agjencive funerale.

 

Numrat e tyre të telefonit mund t’i gjesh kudo, nga roja deri tek infermierët, e kryeinfermierët e pavijoneve. Një tjetër problem që zbulohet nga gazetarët e Fiks Fare është se ambulancat shtetërore ose janë të pakta në numër dhe përdoren për raste emergjente, ose edhe në rastet kur janë, nuk mund t’u shërbejnë pacientëve, pasi nuk kanë karburant. Investigimi nis në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku shpërndarësja e ushqimit dhe dy rojet e spitalit rekomandojnë agjenci funerale të caktuara, duke ndihmuar gazetaren me numra telefoni. Pasi siç e pohojnë dhe vetë ata, spitali nuk ka një ambulancë që transporton trupat e pajetë.

 

Njëri nga rojet e gjen shoferin e ambulancës private në pavijon, i cili pasi flet me gazetaren i jep asaj një numër telefoni, duke i thënë se nuk ka ambulancë shtetërore. Sipas shpërndarëses së ushqimit, tezja e një prej infermierëve të këtij spitali ka një agjenci funerale, e cila në raste si këto shërben si urë lidhëse mes kësaj të fundit dhe familjarëve të viktimës, njësoj si puna e tregtisë. “Ti nuk i shikon, por i ke rreth e rrotull”, u shpreh punonjësja, për shoferët e funeraleve. Ajo i thotë gazetares t’i drejtohet për ndihmë nipit të saj, me inicialet B.L, infermier tek urgjenca. “Ai të orienton për çdo gjë e mund të shohë më lirë, e ke parasysh  mund të shohë më lirë. Ka numra që t’i sjell çdo gjë atje, ç’a të duash ti”, përfundon bisedën punonjësja. Ndërsa rojet pohojnë se për ambulancat shtetërore nuk ka naftë. Roja i spitalit rrëfen: “Po këtu këto ambulancat e spitalit nuk punojnë fare se nuk kanë karburant fare, vetëm me ambulancë private”.

Në spitalin universitar të mushkërive, “Shefqet Ndroqi”, ose siç njihet ndryshe Sanatoriumi, lidhjet janë akoma më të forta, në të ashtuquajturat “pazare” të tmerrshme të këtij lloji. Këtë herë gazetaren e ndihmon kryeinfermieri i pavijonit të kirurgjisë. Ai i premton gazetares se do e ndihmojë edhe për çmimet, kështu i jep numrin e një zyre funerale e cila ndodhet te rruga “Bardhyl”. Sipas tij, gazetarja duhet t’i prezantohet si mikja e kryeinfermierit të kirurgjisë që ta ndihmojë më shumë. “Jam mikesha e N… thuaj kryeinfermierit të kirurgjisë, që të ndihmojë më fort”, mbyll bisedën kryeinfermieri. Për të mos lënë jashtë investigimit asnjë nga spitalet e mëdha publike, gazetarja shkon edhe te Spitali Ushtarak Qendror Universitar.

 

Edhe në ambientet e tij paraqitet e njëjta situatë. Një prej infermiereve ndihmon gazetaren duke i dhënë një numër telefoni të një agjencie funerale. Edhe kjo e fundit porosit gazetaren e Fiks Fare që të prezantohet me emrin e saj, pra që e ka rekomanduar infermierja në fjalë. Gazetarët e Fiks Fare kontaktuan me të gjithë numrat e telefonit që u janë rekomanduar nga punonjësit e shëndetësisë, gatishmëria e të cilëve për të krijuar lidhje të tilla ishte e ngjashme edhe me ato të agjencive funerale. Punonjësit e këtyre funeraleve po ashtu përgjigjen pozitivisht duke u treguar të gatshëm për bashkëpunimin. Miku i kryeinfermierit thotë se e ka agjencinë te rruga “Bardhyl”. Ndërsa miku i infermieres e pret gazetaren tek agjencia e tij në Laprakë. Ai bisedon me të dhe si mik i infermieres i ofron gazetares edhe ulje çmimi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama