TIRANË, 16 Tetor/ ATSH/- Në ambientet e Komandës së Forcës Tokësore në Zall-Herr u zhvillua ceremonia e përcjelljes së trupave të kompanisë së parë të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, të cilët do të marrin pjesë në stërvitjen shumëkombëshe "Trident Juncture-15".
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo si dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA-së.
Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, duke iu drejtuar trupave pjesëmarrëse në stërvitjen "Trident Juncture 2015" tha se "ju ushtarakë të Kompanisë së Parë të Batalionit të Dytë po merrni pjesë në një nga angazhimet më të rëndësishme për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që nga nisja e procesit të anëtarësimit në NATO".
Më tej, ministrja Kodheli u shpreh se "kjo stërvitje është një konfirmim i aftësive dhe kapaciteteve tuaja për t'iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë". "Nën moton '28 për 28´ ju do t'i bashkoheni më shumë se 36 mijë trupave ushtarake të vendeve të Aleancës, por dhe të atyre partnere. Ndihem krenare që ju po merrni pjesë në këtë angazhim masiv, të pajisur sipas standardeve dhe modeleve më të mira të NATO-s", theksoi ajo.
Në përfundim të fjalës së saj, ministrja Kodheli u shpreh "ju merrni pjesë në një angazhim historik të Aleancës. Prandaj ju kërkoj të tregoni më të mirën tuaj. Të jepni maksimumin për ta bërë si gjithnjë Shqipërinë krenare për ushtarakët që ka, për Aleancën që ka në gjirin e vet profesionistë të zotë, por dhe për familjet tuaja që kanë burra e djem trima e sypatrembur".
Qëllimi i stërvitjes "Trident Juncture-15" është të trajnojë dhe testojë Forcën e Reagimit të NATO-s, një forcë shumëkombëshe e gatishmërisë së lartë dhe teknologjikisht e avancuar e përbërë nga komponentët e forcave tokësore, ajrore, detare dhe forcave speciale.
Në këtë stërvitje do të përfshihet një personel prej 36 000 vetësh, më shumë se 60 luftanije dhe rreth 200 avionë nga mëse 30 vende aleate dhe partnere. Stërvitja do të zhvillohet në Itali, Portugali, Spanjë, Oqeanin Atlantik, Detin Mesdhe dhe gjithashtu në Kanada, Norvegji, Gjermani, Belgjikë dhe Holandë. Stërvitja "Trident Juncture-15" është stërvitja më e madhe e NATO-s që nga viti 2002, pas stërvitjes "Strong Resolve 2002" në të cilën morën pjesë rreth 40 000 trupa.
Ajo do të demonstrojë nivelin e ri të rritur të ambicies së NATO-s në luftën moderne dhe do të tregojë një Aleancë të aftë dhe të pajisur me aftësinë dhe kapacitetet e përshtatshme për të përmbushur sfidat e tanishme dhe të ardhshme të sigurisë.
Më tepër se 12 organizata ndërkombëtare, agjenci dhe organizata joqeveritare, të tilla si BE dhe AU, do të marrin pjesë gjithashtu në këtë stërvitje, duke demonstruar përkushtimin dhe kontributin e NATO-s në një qasje gjithëpërfshirëse.
Forcat Tokësore, Ajore, Detare dhe Forcat Speciale do të marrin pjesë në të njëjtën kohë në vende të ndryshme dhe në shtabe të ndryshme për t'u stërvitur në një mjedis kompleks për të përmirësuar kapacitetet e aftësive të Aleancës për të gjithë spektrin e operacioneve.
Puna e tyre ka filluar në vitin 2013, vit në të cilin Shqipëria vendosi të kontribuojë në Forcën e Reagimit të NATO-s me një kompani këmbësorie. Kjo kompani u dizenjua qysh në muajin dhjetor të vitit 2013 në mënyrë që të përmbushë të gjitha kapacitetet që përcakton Kodi i Kapaciteteve të NATO-s.
Falë mbështetjes së gjithanëshme të Forcës Tokësore, SHPFA dhe Ministrisë së Mbrojtjes kompania është pajisur me mjete dhe armatim të ri dhe është trajnuar brenda dhe jashtë vendit, në Qendrën Shumëkombëshe të Bashkuar të Gatishmërisë në Hohenfels, Gjermani./m.m/