Shkaqet janë të shumta. Organizimi i martesës është i komplikuar, si dhe dëshira e të sapomartuarve është që të bëjnë një festë perfekte duke filluar që nga ftesat për të ftuarit, të gjithë aksesorët e tjerë, deri te parukierët, trukuesit, një "konfirmim" të gjatë të atyre që do të vijnë dhe që nuk do të vijnë. Një impenjim i madh, i cili kërkon përkushtim shumë muaj dhe energji. Vjen dita e madhe, ajo e të thënit “po”, e cila në të njëjtën kohë ka zbrazur edhe portofolat (sipas sondazheve, rreth 30 mijë euro). Asgjë nuk duket siç është ëndërruar. Të dhënat tregojnë se 1 në 10 nuse të reja janë të sëmurura nga sindroma post-martesore.
Para martesës gjithçka i lihet imagjinatës. Kush ka vendosur që të martohet pas një bashkëjetese të gjatë ëndërron: "bashkëshorti" pas "Po"-së do të bëhet një superburrë, i cili do të gatuajë, do të rregullojë ndonjë defekt të lavatriçes ose ndonjë defekt elektrik. E njëjta gjë ndodh edhe me burrin, i cili mendon se gruaja e tij do të kujdeset për çdo gjë të shtëpisë së re, do t’i hekurosë këmishat dhe do të gatuajë për miqtë. Por takimi me realitetin është krejt i ndryshëm. Para së gjithash, një këshillë: mos mendoni se bashkëshorti/ja juaj do të bëhet hero pas martesës. Atë që nuk ka ditur ta bëjë më parë, nuk do të dijë ta bëjë edhe më vonë. E dyta: është e nevojshme që të mbushni kohën (merruni me një sport të ri ose me diçka që e keni pasion). Së treti, edhe pse mund t’ju bëjë të qeshni, është e domosdoshme që pas muajit të mjaltit të merrni një pushim të shkurtër. Këtë herë vetëm për t’u përqendruar në një objektiv dhe më pas për t’u kthyer në shtëpi të relaksuar. Mos mendoni për superburra apo supergra, sepse nuk ekzistojnë. Më mirë braktiseni idenë e të ftuarit të dëshmitarëve, të të afërmve për t’u treguar shtëpinë e re dhe sa të aftë jeni në gatim. Si çdo gjë tjetër kjo është një fazë kalimtare.
Si shuhet zjarri i fillimit
Në fillim dashuria është vërtet e verbër. Në trurin e një të dashuruari, kur mendohet vetëm për njeriun që kërkon të ketë pranë, reduktohet ndjeshëm aktiviteti i zonave të përdorura për të formuar gjykime dhe kritika. Por nëse në hapat e parë të dashurisë as që vihen re defektet e partnerit, me kalimin e kohës bëhet më e vështirë kapërcimi i pengesave dhe vendosja e rregullave në mënyrë që harmonia në çift të mos prishet. Xhon Gotman, psikolog i Universitetit të Uashingtonit prej vitesh, studion mekanizmat që i bëjnë çiftet të ndahen, ose të qëndrojnë së bashku.
Nga studimet e tij ka dalë se, një nga pikat kyçe të gjithë kësaj është mënyra se si çiftet i përballojnë zënkat. Nëse ata i kalojnë konfliktet me qetësi, apo nëse vazhdojnë të jenë të mbërthyer pas kritikave të ashpra dhe kokëfortësisë së tyre. Po cilat janë sjelljet për t’u evituar, ato që mbartin njëkohësisht edhe rrezikun e një ndarjeje? Pa frikë mund të themi kritikat për partnerin, për karakterin apo zhvlerësimi për personalitetin e tij. Por edhe vënia menjëherë në mbrojtje, duke e deklaruar veten të pafajshëm dhe duke shmangur çdo përgjegjësi nga problemet. Ose të formosh një "mur" të lartë dhe të mos tregosh fare interes ndaj kërkesave të partnerit.