-Pas përfundimit të ndeshjes, pukjanët bërtasin dhe festojnë pa fund në dhomat e zhveshjes, njësoj sikur të kishin fituar kampionatin duke u lagur edhe me ujë.
-Përveç skuadrës, edhe tifozët korçarë e kishin nënvlerësuar Tërbunin, teksa kanë qenë vetëm rreth 700 mbështetës në shkallët e stadiumit. Pas mbarimit të takimit, ata kanë lënë impiantin mjaft të mërzitur.
-Edhe presidenti Ardjan Takaj, pas vërshëllimës së fundit të takimit, është larguar nga stadiumi me shpejtësi, sigurisht duke shprehur mërzinë e tij dhe duke thithur vazhdimisht puron.
-Gjyqtari i katërt i takimit, në momentin e zëvendësimit të Xhejmsit me Plakun, ngatërron tabelën dhe u desh ndërhyrja e zyrtarëve të tjerë që gjithçka të rregullohej.
-Hamdi Salihi mungoi 25 ditë te Skënderbeu dhe vetëm 48 orë pas rikthimit në Korçë u aktivizua gjithë pjesën e dytë, duke shënuar një gol, çka e çon në 25 numrin e realizuar prej tij.
-Trajneri i Tërbunit, përpara se të dilte përpara mediave në konferencën për shtyp, e ka pasur xhaketën të lagur, kjo pas festës në dhomat e zhveshjes, ndërkohë që edhe vetë akoma nuk e besonte që kishte fituar në Korçë.
-Në pushim të pjesës së parë, e gjithë tribuna qendrore është parë që të protestojë karshi ekipit për lojën e dobët që shfaqi në fushë, duke u kërkuar të tregojnë forcën e karakterit dhe të luajnë si dinë të bëjnë. Përveç protestës ndaj ekipit, korçarët kanë shfaqur edhe irritimin për ekipin kundërshtar duke i quajtur ushtarë të Partizanit.