Troja - zhgenjimi i madheshtise se Homerit

Troja - 'zhgenjimi' i madheshtise se Homerit
Një hapësirë arkeologjike, që duhet thënë se nuk e kalon shumë Butrintin, pak turistë dhe varfëri ekspozuese, ky është pak a shumë sfondi arkeologjik i Trojës. I mbajtur aspak mirë; një muze i varfër, që paraqet historinë e gërmimeve; dhe zërat patetikë të zvargur të guidave turke, që përsërisin të njëjtat gjëra, në të vërtetë nuk ‘të grishin’ për asgjë. Gjithsesi, po t’i harrosh të gjitha këto, je në vendin më historik të botës dhe në një atraksion, që nuk duhet mbetur pa u parë sa të jesh gjallë...

“As 10% nuk është e zbuluar sot e kësaj dite nga Troja”, na thotë guida turke, që kur futet në hollësitë e shpjeguara në anglisht, humbet krejt. I shkurtër, i veshur si zakonisht guidat turke që mund t’i ngatërrosh me zyrtarët e provincave, bën udhë përpara duke u lëkundur. Grupi ynë laraman, që stratigrafisht fillon në moshë nga më pleqtë deri më të rinjtë, e ndjekim të bindur nga pas. Duket se për australianët, neozelandezët, dhe për një çift nga Afrika e Jugut, që historinë e kanë ndjekur vetëm nga filmi “Troja” i Wolfgang Petersen më 2004 dhe që mezi çapiten, kjo s’duhet të thotë ndonjë gjë të madhe. “Sikur s’ishte kështu kali. Këtu duket si vagon treni”, i thotë djali i ri të shoqes afrikano-jugore, tejet të hajthshme, e cila vazhdimisht tërheq vëmendjen. Për hir të së vërtetës, interesi më i madh i të gjithë turqve është të përcjellin turistët e pafundmë anglezë, neozelandezë dhe australianë drejt Galipolit. Po, këtu ata kanë se çfarë të thonë sepse i treguan vendin armatës së përbashkët anglo-franke dhe kuptohet legjionarëve të tyre të ANZAC (Armatës së përbashkët australianë dhe neozelandezë).

Drejt Çanakalasë

Një ditë më parë, ne të gjithë, në orë dhe nga drejtime të ndryshme, jemi përplasur në derën e të njëjtës shoqërie turistike afër Xhamisë Blu në Stamboll. Për 100 Euro dhe pak më shumë nëse do të rrish jashtë qytetit, kemi kërkuar një tur të organizuar në Galipoli, Çanakala dhe Trojë. Udhëtimi dhe gjithë gjërat e tjera zgjasin 15 orë dhe gjithçka duket se është e organizuar mirë. Nëse ke hotelin afër Sulltanahmet, pika turistike të merr në mëngjes herët dhe premton të kthejë drejt aty në darkën e vonët. Deri sa të bëhet e gjithë ngarkesa, ne dy shqiptarët, të parët në minibusin e vogël drejt Trojës, ‘mbledhim’ pasagjerë. Shkojmë hotel pas hoteli ku ‘britanikët’ kanë lënë adresat. Më të ngatërruar janë neozelandezët dhe australianët. Vinë si të shushatur. Pasi mbushet ngarkesa, marrim udhëtimin drejt veriut, që përkon me jashtë-murin bizantin të Stambollit. Ky i fundit, shumë i zhurmshëm në gati 18 orë të ditës, e fillon jetën ngadalë dhe i ngjan një bishe të madhe që mezi zgjohet. Zgjohet pak nga pak, kur makina pafund dhe targat e të gjithë Turqisë, mësyjnë qytetin. 2 milionë njerëz vinë mesatarisht për çdo ditë, ndërsa korsitë e daljes në mëngjes janë pothuaj të lira, përveç segmentit të aeroportit. Askush nuk pitëtin në minibus, por as edhe ka ndonjë entuziazëm. Nga dremitja kolektive, që i ngjan fundit të një seance spiritizmi, na zgjon guida turke me këmishë të bardhë dhe me flokët e gjata. “Po shkojmë në Galipoli, thotë- dhe disa miq do t’i lëmë drejt Trojës në Çanakala”.

 Askush s’do t’ia dijë. Ne, dy shqiptarët, me sa duket jemi të vetmit që duam të ikim në Trojë. Si për ta ç’dramatizuar ngjarjen i them bashkatdhetarit nëse është penduar. Duhet të jetë pak i tillë. Largimi nga programi i mikpritësve turq, na ka kushtuar paratë e këtij udhëtimi dhe hotelin. “Jo” më thotë gjysmë-zëri, dhe ia rifut gjumit i qetë. Guida përmend dhe njëherë diçka por më shumë monologun me një zë që kthehet disi lëbyrës, teksa minibusi i vogël përshkon fushat e pafundme të Turqisë. Peizazhi i saj urban ka ndryshuar plotësisht dhe tashti dhe vendet dikur aq të varfra janë sistemuar. “Dreka është falas, përveç pijeve. Për fëmijët e vegjël është free dhe biletat e hyrjes në muze janë free”.

“Kush merr tre ujë tek frigoriferi i autobuzit duhet të paguajë 2,5 Euro”, thotë pas një ore. Sërish s’ia vënë veshin. Ndalojmë në dy vende sepse Çanakale, destinacioni ynë, është 320 km nga Stambolli dhe po njësoj si ai ka territor në Evrope dhe në Azi. Pikërisht, aty ndalojmë dhe ndjekim një drejtim tjetër nga Çanakalaja, pika më e afërt urbane me qytetin antik të Trojës, ose Truva si i thonë vendasit. Brad Pitt, Akili në film, i ka dhuruar “Wooden horse” të filmit ‘Troja’ qytetit. Ndalojmë fillimisht në Eceabat dhe për 20 minuta duhet të jemi matanë në Çanakala. Lemë neozelandezët dhe australianët që të shkojnë në Galipoli, ndërsa ne lundrojmë.

Intermexo Galipoli

Fushata e Galipolit, e njohur po ashtu edhe si fushata e Dardaneleve apo Beteja e Galipolit, ndodhi në gadishullin me të njëjtin emër në fund të grahmave të Perandorisë Otomane mes 25 prillit 1915 dhe 9 janarit 1916 gjatë Luftës së Parë Botërore. Një trupë e përbashkët franko-britanike u përgatitën t’ia kthenin Krishtërimit kryeqytetin otoman dhe Konstadinopoja të ishte sërish në Evropë. Në fakt më shumë donin të siguronin udhë për në Rusi. Përpjekja ishte fatale, por për turqit, që arritën të mbajnë vendin e tyre, u konsiderua si një moment themeltar në historinë e popullit për identitetin modern dhe krijimin tetë vjet më vonë të Republikës. Pak vetë e njihnin atëherë Mustafa Kemal, Ataturkun, komandantin e Galipolit, që pas kësaj do kthehej në legjendë. Viktimat më të mëdha të kësaj lufte ishin forca e bashkuar ushtarake e Australisë dhe Zelandës së Re dhe kjo ngjarje shënon ditën e ndërgjegjes kombëtare në këtë vende. Pikërisht, njerëzit e autobusit tonë, nisen në këtë pelegrinazh.

Ataturku më 1934, shumë vite pas ngjarjes, do linte një nga epigramet më të bukura funerale për armiqtë e tij: “Atyre heronjve që dergjën gjakun e tyre dhe humbën jetët e tyre...ju tani shtriheni në tokën e një vendi mik. Kështu që prehuni në paqe. Nuk ka ndonjë diferencë mes Xhonave dhe Mehmetëve për ne, kur ata prehen krah njëri-tjetrit në këtë vendin tonë...Ju, nëna, që dërguat bijtë tuaj nga vendet e largëta fshini lotët tuaja; bijtë tuaj dergjen tani në gjirin tonë dhe janë në paqe. Pasi humbën jetën e tyre në vendin tonë ata do të bëhen bijtë tonë po aq”. Historia s’mbaron këtu ngaqë më 1922 ndodhi “Kriza e Çanakalasë”, ku forcat britanike dhe franceze, tentuan edhe njëherë t’i sfidonin turqit. Republika e re Turke kërkoi tërheqjen e tyre dhe Lloyd George do mbahet mënd se donte të thyente arrogancën e liderit turk në ‘Çanak’, Kemal Atatürk, që e sfidoi hapur. S’mundi sërish. Epilogu sërish viktima dhe si ndodh rëndom një marrëveshje.

Në Trojë

Marrëveshja jonë është që pasi të kalojmë matanë do të na presë dikush tjetër për të na përcjellë në Trojë. Pesë orë më vonë jemi ndarë krejt me grupin që përfundon në Galipoli dhe marrim udhën drejt Trojës. Një burrë, që na pret në “Çanak”, fillon historinë dhe na tregon çfarë di për Arnautistanin. Sa për Trojën, mjaftohet me një është pjesë e UNESCO World Heritage Site, që nga 1998. Troja, ku mbërrijmë pas një udhe vape, është e lokalizuar në cepin veriperëndimor të Turqisë rreth 6,5 kilometra nga deti Egje. Ngandonjëherë si sinonim për Trojën (apo Ilium) shërben emri i Hisarlik. Që në fakt njihet si Tepe, një pirg artificial, që është rritur me kalimin e shekujve, kur njerëzit jetonin aty. Lartësia e Hisarlik ka shkuar deri 30 metra dhe në gjysmën e parë të shekullit të XIX , shumë arkeologë amatorë, sugjeruan se aty ishte Troja. Zbulimin më të famshëm e bëri në fund të shekullit të XIX, Shliman, që u nis më shumë nga instinkti dhe nga puna e mëparshme e një arkeologu tjetër. Pasi marrim dhe turistët, që janë pjesë e të njëjtës agjenci, por që kanë udhëtuar një ditë më parë, drejtohemi aty në këtë cep të Anatolisë në juglindje të Dardaneleve dhe pranë malit Ida.

 Rruga, që të kujton disi fshatrat e bregdetit tonë (po të kalonte udha në fushën poshtë), dhe ku pena e Homerit ka skicuar Ciklin Epik grek, është grishëse. Ndaj nuk do t’i mungojnë kurrë turistët. Edhe pse, në të vërtetë, në këto ditë të parë korriku, s’ka shumë njerëz. Për fat, zyrtarët vendas kanë kuptuar se gjëja më e mirë atraktive për turistët ishte Kali dhe vërtetë një vendas ka bërë Kalin e lartë të Trojës rreth 15 metra, ku fotografohen të gjithë. Kali është që në fillim të Trojës dhe bën kokë mbi gjithë bimësinë e harlisur.

Ngjitem pas një japoneze dhe sipër një myslimane, që shamia e pengon disi të ngjitet te shkallët me pjerrësi gati 60%, që të fusin direkt në barkun e kalit. Përreth turqit kanë bërë një vend modern biletash, ku kontrollohesh edhe me masat e sigurisë; një muze i cili është tejet zhgënjyes për historikun e gërmimeve; dhe kuptohet sitin arkeologjik, që mezi presim ta shohim. Në sfond është deti. E habitshme më mbetet sepse të gjithë guidat turke dhe agjencitë e tyre, s’kanë ndonjë interes dhe duket sikur e fshehin Trojën. Sikur s’ka lidhje me ta. Sikter! Mendimin ma vrasin aziatikët, që e shkrepin pafund dhe bëjnë lloj-lloj pozash qesharake para kalit, që është me fytyrë nga qyteti antik. Janë shumë aziatikë që i besojnë një guide të tyre turke që flet japonisht.

Historianët antikë grekë e vendosin Luftën e Trojës në shekullin e XII-XIII-XIV p. K., Eratosteni më 1184 p. K., Herodoti më 1250 p. K. Arkeologët modernë e shikojnë Trojën e Homerit më shumë te Troja VII, i thotë një amerikan së shoqes, pa hequr sytë nga një libër i vogël...Të gjithë vazhdojnë te gërmimet. Me tabela, ku janë të shkuara shkronjat romake, janë të përcaktuara identifikimet e gërmimeve të qyteteve: VII, VI, II...

Gërmime

Ja vlen të dëgjosh këtu dhe ndaj futem në mes të dy grupeve që të ndjek gjithçka. “Ja aty, tregon guida- më 1865 ishte arkeologu anglez Frank Calvert që gërmoi hendeqe eksperimentale në fushën, që ai e kish blerë nga një bujk në Hisarlık, ndërsa më 1868 do ishte Hainrih Shlimann, një biznesmen dhe arkeolog i pasur gjerman që gërmoi sapo ishte njohur rastësisht me Calvert në Çanakale”. Këto gërmime zbuluan në varg qytetet, ku Troja e VII u identifikua me qytetin hitit Wilusa, me atë që grekët e quanin Ἴλιον, dhe që ende flitet se është Troja e Homerit. Sot kodra e Hisarlik, është vendi ku njerëzit vinë për Trojën. Gjetjet e Shlimanit në Hisarlik u njohën edhe si thesari i Priamit dhe u përcollën prej tij në muzeumin e Berlinit por ende ka shumë dyshime për to. Plot 60 vjet shpenzoi diplomati britanik Franc Calvert, ndërsa pas tij erdhën Wilhelm Dörpfeld (1893-4) dhe më vonë nga Carl Blegen (1932-8). Ata provuan nëntë qytete njëra pas tjetrit dhe Blegen arriti në përfundimin se Troja e nëntë mund të ndahej deri në 46 nënnivele.

Për dekada të tëra ky vend rreshti nga gërmimet dhe vetëm më 1988 gërmimet rifilluan nga një ekip i Universitetit të Tübingen dhe Universitetit të Çinçinatit nën drejtimin e Profesor Manfred Korfmanit në bashkëpunimin me Profesor Brian Rose. Nga një bisedë, sërish afër amerikani i shpjegon të shoqes se te Iliada- Akenjtë e ngritën kampin afër gojës së lumit Skamander (ka të ngjarë të jetë moderni Karamenderes), ku ata vendosën anijet e tyre. Qyteti i Trojës, vetë, qëndron në kodër përmes fushës së Skamander, ku ndodhi beteja e Trojës, e kthen nga ana tjetër guida jonë. Sot vendi arkeologjik është pesë kilometra nga bregu, por gryka antike e Skamender 3000 vjet të shkuara ishte në një distancë më të afërt dhe vendi është mbushur që atëherë me shumë aluvione. Gjeologët me arkeologët në bashkëpunimin e tyre arritën të krahasojnë gjeologjinë e sotme me peizazhet dhe karakteristikat bregdetare në “Iliadë” dhe burime të tjera klasike, veçanërisht gjeografisë së Strabo dhe panë një lidhje të Trojës së Shlimanit dhe pozicioneve të tjera si për shembull vendi ku ishte kampi grek, evidencat gjeologjike, përshkrime e topografisë dhe llogaritë e luftës së “Iliadës”.

Më 2010, qartësohet se një ekip kërkuesish kanë zbuluar dhe studiuan pjesë të sistemit mbrojtës të periudhës së Vonët të Bronxit, që shtrihej në jug të kalasë së Trojës. Ata gjetën fragmente të ndryshme mbetjesh deri në një hendek të gurtë që shtrihej deri një kilometër. Gjetjet provuan se hapësira është e banuar që nga periudha nga 1700 (Troja VII) deri më 1100 (Troja VI) para Krishtit.

Në ditët e sotme

Gjermanët dhe britanikët mbahen si më të devotshmit në gërmime, por neve na mjaftojnë më pak se dy orë që ‘të shëtisim’ Trojën e tyre. Është zhgënjim i madh, që guida e kupton. Na drejton diku afër detit vështrimin. “E shikoni atë pirgun, mendohet se është varri i një të madhi. Se Akili se Hektori”, na thotë. E braktisim zhgënjimin, ndërsa kujtoj se legjenda e Trojës ka qenë po kaq e madhe dhe njëmijë vjet më vonë më 334 p.K. kur Aleksandri i Madh erdhi këtu dhe theri kurbanë për heroin e tij të zemrës Akilin. Mundohem të bisedoj pak me amerikanin që është i interesuar, pak pasi e ‘ka braktisur” e shoqja, që shikon kuturu. Çfarë gjuhe kanë folur, i them. Ngre supet.

Se ku gjen diçka në libër dhe vjen afër. Kanë folur një gjuhë që quhet Luëëian dhe një profesor i Universitetit të Tübingen Frank Starke, nga një vulë e gjetur ka identifikuar emri Priam lidhet me fjalën e përbërë Luëian Priimuua, që do të thotë ‘veçanërisht kurajoz’, më sqaron. Siti i Trojës të lodh pak me përshkrimet e thata edhe pse vende-vende tabela çeliku kanë përshkrime të qytetit. Kush ishte Troja e Homerit, me zbulimet e reja, e pyes guidën: tashmë pjesa më e madhe e arkeologëve besojnë se ka të ngjarë që ajo që i përket Trojës VII,-përgjigjet,- ka të ngjarë të jetë ajo homerike, ngaqë sipas kërkuesve, në këtë shtresë ka gjurmë zjarri dhe lufte, që do të thotë se qyteti është dëmtuar shumë. Troja e VII daton që nga shekujt XIII-X p. K. Nuk ka shumë roje tip rangers në qytet, por disa zona janë të bllokuara, për efekt gërmimesh. Në fakt, arkeologët kanë prishur shumë.

P.sh thuhet për Shlimanin, nëse nuk gaboj, se ai u fut në Trojë, “si një elefant në dyqan qelqurinash”. Kërkimet më të fundit të projektit të Trojës u drejtuan më 2010 nga Profesori Ernst Pernik (Ernst Pernicka) nga Instituti i Historisë Antike në Universitetin e Tübingen, dhe kërkuesit vendosën që të analizonin të gjithë të gjithë radhën e kërkimeve dhe botimeve të gjetjeve arkeologjike të bëra deri më atëherë. Saktësia dhe serioziteti i tyre bëri që këto gërmime, vëzhgime gjeofizike dhe eksperimente, t’u jepnin arkeologëve të kuptonin më mirë Trojën në Periudhën e Bronzit.
...
Dalim pak orë më vonë. Nuk ka më shumë histori vetëm histori gërmimesh dhe pak zhgënjim. Duhet ta kenë të gjithë këtë. Shkojmë të blejmë disa suvenire në një vend lokale, sepse në dyqanin në Trojë kanë ardhur shumë njerëz. Një plakë, që di shumë mirë numrat në anglisht, të thotë vetëm çmimin kur afrohet rrëzë qafës...Në orën 11,30 të natës, një zë në vesh më thotë se arritëm në Stamboll. Qyteti është shfryrë pak. Më duket se kam qenë në ëndërr. Jo, kujtoj se Troja ishte zhgënjim. Butrinti më duket më tërheqës. Kontrolloj çantën me suveniret. Janë. Verë 2011.

*1 Korrik 2011. Të dhënat për Trojën janë konsultuar nga njoftimi i shtypit që ka bërë ekspedita e fundit e Institutit të Historisë Antike në Universitetin e Tübingen, pak muaj më parë

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama