Çfarë është neurobiologjia sintetike?
Është marrja e molekulave nga një botë natyrore dhe gjetja e mënyrës së shndërrimit të tyre në makina të vogla, që mund të përdoren më pas për të zgjidhur probleme të ndryshme të trurit. Bëhet fjalë për probleme të tij komplekse. Për më tepër, nëse do të sintetizonim disa procese të trurit dhe do të mundim të shkruanim informacione në to, do të na jepej mundësia që të testonim të kuptuarit tonë për trurin dhe të ndreqnim disa lloje çrregullimesh, duke e kontrolluar këtë proces nga përbrenda. Pra është si të fusnim në tru një program dhe ta vinim në punë në funksionin që dëshirojmë. Në këtë rast, kompjuteri është truri.
Truri si kompjuter…nuk duhet të çuditemi nga fakti se shkollimi juaj kryesor është ai i inxhinierisë elektrike dhe i fizikës.
Ky lloj shkollimi është shumë i rëndësishëm, sepse të duhet që të mendosh për gjërat në mënyrë logjike dhe intuitive. Inxhinieria elektrike ishte shumë e rëndësishme, sepse neuronet dhe pajisjet elektrike janë të ngjashme dhe ne duhet të mendojmë për trurin si për një rrjet elektrik. Kam qenë i interesuar gjithmonë për të panjohurat e mëdha të shkencës dhe të njerëzimit dhe truri është një nga të panjohurat tona më të mëdha dhe ndërtimi i mjeteve që na lejojnë që të njihemi më shumë me funksionimin e turit, më josh vërtet shumë.
Pra a e keni një tabelë të cirkuitit të trurit?
Nuk është ende e njohur se sa lloj qelizash ka në tru. Nëse po pyesni për një tabelë të saktë, unë ju them se nuk ka një të tillë, pra një tabelë të përcaktuar të cirkuitit të trurit. Dëshiroj që ta krahasoj dhe ta përfytyroj trurin si një kompjuter. Le të marrim për shembull “iPhone”. Ka të tillë me miliona në të gjithë botën dhe të gjithë kanë të njëjtën hartë, por në momentin e dhënë, të gjithë bëjnë operacione të ndryshme. Për të kuptuar një kompjuter, apo edhe një tru, të duhet shumë më tepër se vetëm harta e tij.
Si i keni zbuluar për shembull funksionet e neuroneve të ndryshme?
Ne kemi bashkëpunuar me një grup studiuesish të Institutit të Teknologjisë në Xhorxhia dhe me ta ndërtojmë disa robotë që na ndihmojnë të analizojmë trurin në nivel qelizor. Shpresojmë që nga përdorimi i këtyre robotëve, të marrim edhe të dhënat që kërkojmë në lidhje me qelizat e trurit, me përmbajtjen e tyre dhe të zbulojmë kësisoj se cilat janë atësitë dhe parametrat apo përbërësit e tyre, që nuk i njohim ende. Janë robotë shumë-shumë të vegjël.
Çfarë do të bëni më pas me të dhënat që do të merrni?
Një strategji për të cilën po punojmë është ajo që mund ta quajmë këqyrja e trurit të gjallë. Por është shumë e vështirë që të kuptosh zhvillimin e proceseve të ndryshme biologjike në një tru të gjallë. Për këtë na duhet që të punojmë për gjetjen dhe prodhimin e teknologjive të ndryshme. Jemi duke punuar për ndërtimin e robotëve me interfaqe tredimensionale që do të na lejojnë që të marrim informacione të cilat nuk i kemi marrë më parë dhe me këto robotë, do të identifikojmë se cilët cirkuite në tru janë të rëndësishëm në mënyrë që më pas të ndërhyjmë.
A i keni përdorur teknikat tuaja në eksperimente?
Po. Jemi përpjekur për shembull që t’i kthejmë shikimin një syri që ishte tërësisht i verbër dhe i pashpresë vetëm pas njohjes që i bëmë një zone të posaçme trunore, që ka të bëjë me të parin. Ka shumë shembuj sysh të verbër, në të cilët kemi futur robotët tanë. Janë raste të cilave nuk u bëjnë dot derman ilaçet dhe vetëm ndërhyrje të tilla kanë dhënë deri-diku dhe në disa raste, rezultat.
Sa larg jemi nga dita e përdorimit të teknikave të tilla në jetën e përditshme pra më shumë, më shpesh?
Laboratori në të cilin punoj ka për detyrë që të krijojë mjetet e ndërhyrjes, më pas ata që do të dëshirojnë, do të dalin vullnetarë që duhet ta caktojnë vetë. Deri më tani kemi bërë disa praktika me sytë, siç e thashë, por ka shumë hapësira të tjera.
Cilat janë avantazhet e përdorimit të teknologjisë, në vend të medikamenteve për kurimin e sëmundjeve të vështira?
Teknologjia mund të na ndihmojë që të zgjidhim probleme aty ku ilaçet nuk munden dhe madje mund të ndihmojnë edhe në gjetjen e medikamenteve më të mira se ato që tashmë ekzistojnë.