Truri floket apo thonjte 10 bindjet qe duhen rrezuar

Truri, floket apo thonjte 10 bindjet qe duhen rrezuar
Revista shkencore “Environmental Graffiti” ka publikuar një sërë bindjesh të gabuara për organizmin e njeriut, që nga kufizimi i funksioneve cerebrale e deri te somnambulët që nuk duhen zgjuar.

Kultura popullore është e mbushur me shumë bindje që shkenca shpesh i ka rrëzuar. Të gjithë kemi dëgjuar lloj-lloj shpjegimesh për fenomene të ndryshme të organizmit tonë, pavarësisht se i kemi besuar apo jo. Sigurisht që vërtetësia e tyre është e dyshimtë, sidomos nëse në mes futet shpjegimi shkencor. Duke u nisur nga ajo që kemi menduar prej kohësh e që sigurisht është gabim, gazetarja që merret me problemet shkencore në revistën “Environmental Graffiti”, Michele Collet, është përpjekur të rrëzojë disa bindje të gabuara mbi mënyrën e funksionimit të organizmit, mes të cilave edhe ajo se përdorim vetëm 10 për qind të trurit apo se thonjtë vazhdojnë të rriten edhe pas vdekjes.

Biologët e dinin që më parë, ndërsa për neurologët përdorimi i të gjithë trurit nuk është diçka e re. Por a nuk është bukur të mendosh se mendja fsheh brenda saj lloj-lloj misteresh që ne nuk i kemi zbuluar? Sipas një rregulli të zgjedhur nga ajo vetë, miti i parë që Collet rrëzon është ai që nuk duhen zgjuar somnambulët.

 Sipas asaj është më e rrezikshme të lësh dikë të bjerë e të vritet sesa të mos e zgjosh. Por psikologia Clorinda De Marco e mendon ndryshe: “Më mirë do ishte t’i lije të qetë. Duke i zgjuar mund të provokohet një reagim agresiv, gjendje konfuzioni dhe çakordimi. Në disa raste janë vërtetuar edhe kriza epilepsie”. Për psikologun që merret me problemet e gjumit, Luigi De Gennaro, në Universitetin “La Sapienza” në Romë, nuk ka asgjë të rrezikshme të zgjosh somnambulit. “Ky fenomen verifikohet në fazën e çlodhjes. Por një somnambul që zgjohet, në fillim do të ndihet pak i çorientuar dhe më pas asgjë më shumë”, thotë ai. Po ashtu artikulli i “Environmental Graffiti” shpjegon edhe se të bësh banjë me ujë të ftohtë në dimër nuk do të thotë domosdoshmërisht të ftohesh. I ftohti, shpjegon autorja, ul mbrojtjen imunitare, por nuk ka asnjë lidhje direkte mes këtij fakti dhe shfaqjes së simptomave që ne i njohim të gjithë. Një tjetër bindje e pabazë, sipas revistës, është ajo që thonjtë dhe flokët vazhdojnë të rriten përgjithmonë edhe pas vdekjes.

Një falsitet i konfirmuar nga mjekët dhe parukierët: “Flokët dhe thonjtë rriten për disa ditë pas vdekjes, sepse qelizat e tyre, për shkak të një faktori keratinik, nuk kanë vdekur plotësisht. Por edhe ato pas disa ditësh vdesin”. Për t’u rrëzuar është edhe mendimi se pas rrojës, qimet dalim më të dendura dhe më të forta. “Është plotësisht e gabuar. Rrënjët mbeten në folekulat më të thella të lëkurës dhe rritja e tyre vazhdon me të njëjtin intensitet si më parë”, tregojnë mjekët.

Edhe dermatologu Giulio Franceschini, drejtori shëndetësor i “Villa Salus Medical Skin & Antiaging Center”, konfirmon se bëhet fjalë për një mit të rremë: “Karakteristikat e qimes varen nga ADN dhe sasia e hormoneve mashkullore e femëror të gjithsecilit prej nesh, si testosteroni dhe androstenedioni: nëse këto rriten përtej vlerave normale mund të bëjnë që qimet të rriten më të dendura dhe më të forta, por modifikime të tilla nuk provokohen nga përdorimi i brisqeve apo makinave të rrojës”. Edhe për flokët me dy “koka” ekzistojnë mite që duhen rrëzuar. Balsami dhe shampoja na ndihmojnë apo jo për t’i zhdukur? Autorja shkruan se mënyra e vetme për t’i eliminuar është prerja e flokëve. Por ekspertët mbështesin idenë se një balsam i mirë mund ta zgjidhë këtë situatë. “Ekzistojnë produkte shumë të mira kozmetike të studiuara për flokët e dëmtuar apo të thatë që ndihmojnë në parandalimin dhe kurimin e flokëve me dy koka. Disa, të quajtur ‘termikë’, janë në gjendje të rregullojnë dëmtimet e flokut”, shpjegon Colombo.

Në aspektin psikologjik, Collet hedh poshtë mendimin se burrat mendojnë për seksin çdo shtatë sekonda. Bëhet fjalë për një ekzagjerim. Kështu mendon edhe psikologu De Gennaro. “Është një budallallëk. Elementet e lidhura me dëshirën tek qeniet njerëzore, janë të lidhura me ngacmimet e jashtme. Në tru ka sjellje që përsëriten vazhdimisht, por asnjë studiues nuk ka gjetur se mes mendimeve që përsëriten vazhdimisht tek meshkujt është edhe seksi”, shprehet ai. Nuk është vërtetë as ajo që thuhet se çdo zonë e gjuhës i korrespondon një shijeje të ndryshme. Secila është në gjendje të perceptojë çdo shije dhe për ta verifikuar mjafton të hash. Për sa i përket trurit dhe përqindjes që përdorim, “Environmental Graffiti” hedh poshtë teorinë e psikologut William James, që në gjysmën e dytë të shekullit XIX deklaroi se përdorim 10 për qind të potencialit cerebral. “Është një bindje e gabuar. Të gjithë humbasim neurone teksa plakemi. Por mënyra se si ata lidhen me njëri-tjetrin nuk ndryshon.

Truri është i pajisur me një plasticitet neuronal që mund të shfrytëzohet në maksimum çdo ditë nga mosha 20 deri në 80 vjeç. Sekreti qëndron te fakti për ta mbajtur të stërvitur dhe ta përdorësh në mënyrën e duhur”, tregon De Gennaro. Një tjetër mendim i gabuar është ai që lidhet me sheqerin dhe faktin se ai i bën fëmijët superaktivë. Asnjë studim nuk e tregon këtë. “Besoj se do të isha në dijeni po të ishte e vërtetë”, thotë neurologjia dhe specialistja e problemeve me ushqyerjen, Luciana Baroni. Revista ambientaliste në fund shkruan se të prekësh një thithëlopë nuk ka lidhje me faktin e daljes së lythave në lëkurë: “Është një legjendë e vërtetë.

Lythat transmetohen vetëm nga një person te tjetri, me kontakt të drejtpërdrejtë apo duke frekuentuar të njëjtat ambiente, apo duke përdorur të njëjtat gjëra (peshqirë, tualet, veshje sportive). Ato transmetohen nga virusi i papillomës humane, që futet në epidermë dhe e infekton”, shpjegojnë dermatologët. Një bindje e ngelur në kohë është edhe ajo se njollat e bardha te thonjtë tregojnë mungesë kalciumi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama